Institucionet publike shëndetësore, prej pas luftës nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale me barna, për shkak të buxhetit të ulët që ka Ministria e Shëndetësisë, dedikuar furnizimit me barna.
Por edhe përkundër kësaj, shpeshherë ndodh që manipulimet me barna, si blerja e tyre me çmim shumëfish më të shtrenjtë se vlera reale, të mos mungojë.
Por edhe futja e ndonjë ilaçi shumë të shtrenjtë në listë esenciale, derisa nevoja e pacientëve për llojin e ilaçit të tillë është e vogël ka ndodhur së fundmi në ministrinë e Shëndetësisë.
Në kuadër të monitorimit publik të këtij institucioni, nga Instituti Demokratik i Kosovës, është vërejtur se Ministria e Shëndetësisë ka hequr nga Lista e Barërave Esenciale, përkatësisht nga Lista e Citostatikëve, llojin e barit Ondansetron dhe Granisetron, që ishin në përdorim në dy vitet e fundit, dhe në vend të këtyre ka futur një lloj tjetër – Palonosetron e që është shumë herë më i shtrenjtë se ilaçet paraprake.
“Në kuadër të monitorimit publik, KDI në MSH ka gjetur një ndryshim në barnat e listës esenciale të vitit 2012. Ne kemi vërejtur që bari që është futur kushton 7 mijë për qind më shtrenjtë. Për të njëjtin bari paraprak ka qenë 1. 2 euro, derisa ky i fundit kushton 80 euro, derisa në shumën totale ka kushtuar 1 milion e 200 mijë euro”.
“Kemi pyetur pse ka ndodhur ky ndryshim, por nuk kemi marrë arsyetim pse ka ndodhur kjo. Ne kemi konsideruar si shpenzime të panevojshme shumën prej 1 milion e 200 mijë euro. Dhe ne kemi konsultuar profesionistë shëndetësorë dhe kemi marrë përgjigje se ky ndryshim ka qenë i panevojshëm”, thotë Besnik Ramadanaj, përfaqësues i KDI-së.
Si rrjedhojë e kësa, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani ka ndërprerë kontratën për furnizim me këtë lloj ilaqi .
Ushtruesi i detyrës së sekretarit permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Gani Shabani, thotë se listën esenciale brenda ministrisë e përpilon grupi punues, dhe me ndërprerjen e furnizimit me ilaçin e quajtur Palonosetron, janë duke u marrë auditorët, derisa ka deklaruar se as vetë sekretari por as ministri i Shëndetësisë nuk i dinë çmimet e barnave dhe nuk merren me përpilim të listave esenciale, meqë nuk është punë e tyre.
“Listën esenciale e ka bërë grupi punues derisa QKUK-ja i bën porositë. Ne nuk i dimë barnat se a janë të shtrenjta, sekretari apo ministri nuk i dinë çmimet e barnave dhe nuk përzihen në profesionalizimin e tyre, deri në momentin kur shihet ndonjë gabim i tyre”.
“Me anulimin e këtij bari, tani auditimi është duke e shqyrtuar dhe jemi në pritje çka do të vendosë auditimi, për komisionin që e ka formuar listën esenciale”, thotë Ramadanaj për Radion Evropa e Lirë.
Por profesionistë shëndetësorë thonë se nevoja për ilaçin e ri që është futur në listë esenciale ka qenë për vetëm 10 për qind të pacientëve të përgjithshëm që kërkojnë trajtim.
Këtë e thotë onkologja Mejreme Maloku.
“Nuk mund të them se është ilaç i keq, është i mirë, por që ne fusim vazhdimisht risi në listën esenciale në mënyrë që të mundemi të jemi në hap me botën. Por nevoja për këtë bari është vetëm për 10 për qind të pacientëve”, thekson Maloku.
Ndërkaq, sa i përket asaj se a kanë qenë profesionistët shëndetësorë ata që kanë kërkuar të futet në listë esenciale ilaçi në fjalë, doktoresha Maloku ka një shpjegim për këtë.
“Ne nuk kemi qenë pjesëmarrës në përpilimin e listës për citostatikë. Në këtë rast ne kemi bërë kërkesën, në mënyrë që t’i kemi ilaçet që përdoren në vende të botës. Pacientët e kanë kërkuar këtë lloj ilaçi meqë shumë prej tyre kur kanë ardhur në klinikën tonë nga qendra tjera si nga Turqia, Tirana, Zvicra, e kanë kërkuar këtë ilaç, por ne ju kemi thënë që mudnësitë tona janë të vogla për ta siguruar”, tregon ajo.
Sidoqoftë, pritet të shihet se a do të futen sërish dy llojet e citostatikëve Ondansetron dhe Granisetron në listën esenciale, siç kanë qenë në vitet paraprake, meqë sipas profesionistëve shëndetësorë tani për tani për pacientët mungojnë këto ilaçe për trajtim.