Thënia e njohur popullore “Më mirë vonë se hiç”, në ditët e fundit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” po nënkuptohet më mirë se kurrë, lajmi i javës së fundit për arrestimin e disa nga keqpërdoruesit më të mëdhenj të pozitës së deleguar nga studentët, dhe pozitës së asistentit të marrë pa meritë, na ka bërë të ndihemi më optimist për të ardhmen e UP-së dhe Kosovës në përgjithësi.
U fol shumë se me arrestimin e këtyre Studentëve dhe Asistentëve, Universitetit më të madh publik në vend, i ra kredibiliteti dhe Sistemi Arsimor në vend u devalvuar. Unë e mendoj të kundërtën! Nga ky moment Universiteti i Prishtinës veçse ka filluar për ta rikthyer imazhin e munguar, nga ky moment do të filloj për të frymuar lirshëm dhe do ta ngritë përformancën, të cilën ka kohë që e ka të humbur.
Për menaxhmentin e UP-së, ky lloj krimi i organizuar ka qenë i njohur prej kohësh, sa qe kjo veprimtari ilegale, në ndërkohë u patë shndërruar në veprimtari “legale”, dhe si “ndëshkim” ndaj tyre, Ky menaxhment dhe ai i kaluari, i shpërblenin me pozita nga më të ndryshmet, duke filluar nga pozita e Asistentit e deri tek pozitat tjera ne administratën e këtij universiteti.
Këta studentë, të cilët më së paku e meritonin titullin “Studentë”, jo vetëm që ju morën pare studentëve për ti regjistruar ne universitet, jo vetëm që ju morën pare me ju kaluar provime pa meritë, këta dhe shokët e tyre shkuan edhe më larg.
Fillimisht manipuluan zgjedhjet studentore, pastaj nën kërcënimin e armëve dhe fuqive partiake, krijuan koalicione zgjedhore për të udhëhequr Parlamentin e Studentëve, jo për interesa të studentëve, por për përfitime dhe interesa personale e klanore dhe çka jo tjetër?! Tashmë më dihet se studentët, me mijëra euro i plaçkiten në rastin e organizimit të “Panove”, me dhjetëra mijëra euro i plaçkitën në organizimet e “Apsolventiadave”,
Pothuajse të gjitha këto krime, i kryenin në sytë e Profesorëve, Dekanëve dhe të Rektorëve, që vinin njëri pas tjetrit, e ku aleancën me ta për asnjë moment nuk e ndërprejtën.
Tashmë këtu ngritën dilemat se, kush pas tyre duhet të shkoje në burg? A është e mundur të bëhen gjithë këto keqpërdorime për rreth 5 vite më radhë, e të mos i vërej askush? A kanë pas fuqi ekzekutive këta student, që gjitha këto ti bëjnë pa bashkëpunuar me të lartcekurit? Kush tjetër përpos këtyre studentëve, u pasurua brenda kësaj kohe? Drejtësia le të ju përgjigjet këtyre dilemave.
Është e pakontestueshme që personat e arrestuar në UP, kanë shërbyer si ndërmjetësues, ata nuk kanë pasur kompetenca ligjore, as të regjistrojnë dikë në fakultet, e as të japin nota në ndonjë lëndë. Përfundimi logjik është se përfitues dhe akter kryesor i këtyre aferave korruptive është dikush tjetër, pra dikush që ka pozitë më të lartë, qoftë në procesin e mësimdhënies, qoftë në menaxhmentin e fakultetit apo të universitetit.
Organizata “Paqja Studentore” në muajin Mars të këtij viti, në Policinë e Kosovës e ka dorëzuar një dosje të tërë me argumente në lidhje me keqpërdorimet e parasë së studentëve, në rastin e organizimit të Panove dhe Apsolventiadave, keqpërdorime të cilat janë bërë nga të arrestuarit e deri tanishëm dhe nga shokët e tyre. Pas shumë intervistave dhe hulumtimeve qe Policia i ka bërë, tashmë kjo e fundit, lëndën e ka dorëzuar në prokorurinë e Shtetit. Shokët e tyre të cilët këtij raundi të arrestimeve i shpëtuan, nuk besoj se do të anashkalohen nga drejtësia në të ardhmen.
Lista Studentore Reforma (LSR), tashmë publikisht u bë e njohur si organizatë, nën ombrellën e të cilës strehohen keqpërdoruesit më të mëdhenj në Universitetin e Prishtinës. Kjo organizatë për çudi i ka dy kryetarë, e ata janë dy krye protagonistët e kësaj ngjarje të turpshme, Arjan Janova dhe Esat Belaj. Kjo organizatë me kryetarët e saj “Legjendar” të cilët nuk arritën ti përfundojnë studimet për rreth një dekadë të tërë, zgjedhjet e fundit studentore i manipuluan tërësisht, veçanërisht në Fakultetin Filozofik dhe atë të Mjekësisë, ku këta të fundit pa asnjë kriter real, u angazhuan si Asistent. Arjanit nuk do ti hy në “hak”, pa ja përmendur edhe pozitën të cilën e mban në Kryesinë e të Rinjve të njërës nga Partitë Politike në Kosovë, duke qenë në të njëjtën kohë edhe përfaqësues i studentëve me vota të vjedhura në UP.
Për fund dua të them se njëri nga kanalet, përmes të cilit bëhen “pazaret” më të mëdha për regjistrimin e studentëve jashtë afatit ligjor, duke i detyruar që të paguajnë shuma të mëdha të të hollave, është regjistrimi i veteranëve, fëmijëve të dëshmorëve etj, në bazën e një memorandumi të nënshkruar më herët në mes UP-së dhe Shoqatave të dala nga Lufta. Kjo mundësi u keqpërdor në masë të madhe dhe do të vazhdoj si e tillë, deri në momentin kur kjo mundësi përfitimi për këtë kategori studentësh, të filtrohet më mirë.
Me fjalë të tjera dua të them se, arrestimet veç sa kanë filluar dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” veç sa ka filluar të i ngritët kredibiliteti, nga një Universitet i korruptuar dhe strehë e hajdutëve, në një Universitet ku punohet për rezultate më të mira dhe cilësi më të lartë, në një Universitet ku çmohet e mira dhe vlerësohet e drejta.
Ekrem Zajmi – Ish përfaqësues i Studentëve në Parlamentin e Studentëve në UP. Tashmë student në studime Master në Turqi.