1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

KUSH E DO NJERËZIMIN MË SHUMË SE ISLAMI?!

Më të lexuarat

Si e shikon Islami njerëzimin me gjithë diversitetin e tyre në shumë sfera?

Si e shikon Islami njerëzimin, a nxit Islami në dashuri dhe respekt për ta, si qenie njerëzore, pa marrë parasysh fenë apo prejardhjen e tyre?

Falënderimi dhe lavdërimi qofshin për Allahun:

Së pari: Islami e vështron njerëzimin përplot mëshirë e dashuri, ndryshe s’mund të jetë, sepse feja Islame është feja e fundit e zbritur nga Allahu. Të gjithë njerëzit urdhërohen ta përqafojnë këtë fe, e cila iu shpall njeriut më të mëshirshëm, Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “E ne të dërguam ty vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.” (Enbija: 107)

Këtë mund ta vërtetojmë me Kuran, Sunet dhe me raste nga jeta e të Dërguarit të Allahut:

a) Thirrja në Islam dhe shpëtimi i njerëzve nga idhujtaria dhe mosbesimi:
Lidhur me këtë në Kuran dhe Sunet gjejmë shumë urdhra për t’i thirrur njerëzit në monoteizëm dhe për t’i larguar ata nga adhurimi i njerëzve, si dhe për t’i nxjerrë nga ngushtica e kësaj dynjaje në gjerësinë e dynjasë dhe Ahiretit. Allahu i Madhëruar thotë: “Nga ju le të jetë grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit.” (Ali Imran: 104)

b) Bamirësia ndaj prindërve edhe nëse janë jomyslimanë:
Madje edhe nëse japin tërë mundin për t’i penguar fëmijët e tyre nga Islami dhe për t’i kthyer në idhujtari e mosbesim. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjirin. (E porositëm) Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve të tu, pse vetëm tek Unë është kthimi juaj. E nëse ata të dy tentojnë që ti të më përshkruash Mua shok, për çka ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos i respekto ata, po në çështjet e jetës së kësaj bote të kesh mirëkuptim ndaj tyre, e ti ndiqe rrugën e atij që është i kthyer nga Unë, mandej kthimi juaj është tek Unë, e Unë do t’ju njoftoj për atë që keni punuar.” (Lukman:14-15)

c) Porosia për sjellje të mira me fqinjët, edhe nëse janë jomuslimanë:
S’ka mundësi të gjesh fe, drejtim apo kanun, që i thërret njerëzit të tregojnë mirësjellje me fqinjët si Islami. Allahu i Madhëruar thotë: “Adhurojeni Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqinjit të afërt, ndaj fqinjit të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve. Allahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet.” (Nisa: 36) Kurtubiu gjatë komentimit të këtij ajeti thotë: “Ka thënë Neuf Shamiu “ndaj fqinjit të afërt” bëhet fjalë për muslimanin, kurse me “ndaj fqinjit të largët” bëhet fjalë për çifutin apo të krishterin.” Në bazë të kësaj themi se porosia për mirësjellje ndaj fqinjit është një urdhër, një vepër e mirë, qoftë ai musliman apo jomusliman. Kjo është e vërteta. Bamirësia ndaj tyre, që është përmendur në Kuran ka kuptimin e ngushëllimit, që duhet t’i shprehim atyre, mirësjelljes, mosdëmtimit dhe mbrojtjes së tyre. Buhariu ka shënuar një hadith, të cilin e përcjell Aishja nga i Dërguari i Allahut: “Xhibrili vazhdimisht më ka porositur për mirësjellje ndaj fqinjit, saqë kam menduar se do ta bëj trashëgimtarin tim.” Po ashtu në një hadith tjetër të përcjellë nga Ebu Shurejhi, i Dërguari i Allahut ka thënë: “Pasha Allahun, nuk ka besuar, pasha Allahun nuk ka besuar, pasha Allahun nuk ka besuar!” E pyetën: Kush, o i Dërguari i Allahut? Tha: Ai, fqinji i të cilit nuk është i sigurt nga dëmet e tij.” Këto porosi janë të përgjithshme për çdo fqinj. I Dërguari i Allahut mosdëmtimin e tij e përforcoi duke u betuar tre herë dhe se ai që bën një gabim të tillë nuk e ka plotësuar imanin. Besimtari duhet të ketë kujdes, që të mos shqetësojë fqinjin e tij dhe të ndalohet nga gjërat, që i ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij, si dhe t’i përkushtohet gjërave, që ata i duan dhe kanë nxitur në to.” (Tefsir Kurtubij: 5: 183-184).

d) Drejtësia dhe bamirësia në lidhje me jomuslimanin me të cilin kemi paqe:
Lidhur me këtë Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë.” (Mumtehane: 8) Abdurahman Sadiu, Allahu e mëshiroftë, gjatë komentimit të këtij ajeti thotë: “Allahu nuk ju ndalon bamirësinë, mbajtjen e lidhjeve, e të mirës me të mirë, korrektësinë me idhujtarët qofshin të afërmit tuaj apo të tjerë, ngaqë ata nuk ju kanë luftuar për shkak të fesë, nuk ju kanë dëbuar nga shtëpitë tuaja, prandaj nuk është mëkat që t’i mbani lidhjet me ta, ngase aty s’ka ndonjë gjë të ndaluar apo ndonjë dëm.” (Tefsiri Sadi: 856).

e) Dënimi i ashpër për atë që vret një jomusliman me të cilin jemi në paqe:
Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush vret një jomusliman me të cilin jemi në paqe, nuk do ta ndiejë erën e xhenetit, edhe pse era e tij ndihet dyzet vite larg.” Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: Në këtë hadith bëhet fjalë për jomuslimanin, i cili ka bërë marrëveshjen e xhizjes, armëpushimit apo sigurisë që ia ka dhënë një musliman. (Fet-hul Bari: 12:259)

f) Ndalohet padrejtësia ndaj jomuslimanit me të cilin jemi në paqe dhe ngarkimi i tij përtej mundësive:
Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Dijeni se ai që i bën padrejtësi një jomuslimani me të cilin jemi në paqe, ai që e nënçmon atë, e ngarkon përtej mundësive, i merr diçka pa dëshirën e tij, unë do të jem kundërshtar i tij Ditën e Gjykimit.” (Sahih Ebu Davud). Muhamed ibën Salih Uthejmini thotë: “Jomuslimanët që vijnë në vendet tona për të punuar, për tregti me procedurë të rregullt, me ta jemi në paqe apo i kemi dhënë garanci, prandaj nuk lejohet cenimi i integritetit të tyre. Është vërtetuar se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush vret një jomusliman me të cilin jemi në paqe, nuk do të nuhasë erën e xhenetit.” Ne jemi muslimanë, i jemi dorëzuar urdhrit të Allahut, respektojmë rregullat e Islamit për sa i përket jomuslimanëve me të cilët kemi marrëveshje, u kemi dhënë siguri. Ai që i nëpërkëmb këto rregulla i ka bërë keq Islamit, e paraqet atë me petkun e terrorizmit, mashtrimit, tradhtisë, kurse ai që i përmbahet dispozitave të Islamit, respekton marrëveshjet dhe garancitë, ky është ai për të cilin shpresojmë hairin dhe shpëtimin. (Fetava Uthejmin 25: 493)

g) Ndalohet shkelja e kufijve, kurse drejtësia është detyrim:
Allahu i Madhëruar thotë: “Urrejtja ndaj një populli, që ju pat penguar nga xhamia e shenjtë, të mos ju shtyjë të silleni në mënyrë të padrejtë kundër tyre.” (Maide: 2), po ashtu thotë: “…dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë.” (Maide: 9) Shenkiti, Allahu e mëshiroftë, gjatë komentimit të këtij ajeti thotë: Shiko virtytet e larta në këto ajete, urdhrin që të jesh i drejtë me ata të cilët të kanë dëmtuar.” (Edvaul bejan: 3:50)

Së dyti: sa bashku më atë që u përmend më lart na duhet ta vendosim theksin edhe mbi disa gjëra të rëndësishme:

a) Ajo që po ndodh në botë e që është në kundërshtim me rregullat që i sqaruam më lart, janë vepra të atyre që i bëjnë (veprime individuale) dhe nuk i atribuohen Islamit. Në çdo fe ka njerëz të tillë, që i kundërshtojnë dispozitat e fesë që i takojnë dhe nuk i përmbahen normave të saj.
b) Ajo që ka parë bota nga jomuslimanët assesi nuk mund të krahasohet me atë që kanë bërë muslimanët. Dy luftërat botërore, ku kanë humbur jetën afër 70 milionë njerëz ishin luftëra “të krishtera”. Me dhjetëra milionë muslimanë janë vrarë nga duart e të krishterëve në ekspeditat kryqtare dhe të tjera, nga komunistët, çifutët, hindusët, sikhët dhe një sqarim i hollësishëm do të na merrte shumë kohë, mirëpo këto fakte të gjithë i dinë dhe i mohon vetëm ai që e ka lënë mendja. Shtoji kësaj edhe faktin, se pushtimi i trojeve të muslimanëve dhe heqja e lirisë për të vendosur ata vetë ka qenë prej kohësh dhe është në duart e jomuslimanëve nga fe të ndryshme. Le të dihet kjo gjë, kur flitet për atë se si e shikon Islami njerëzinë, për dashurinë dhe le t’i krahasojnë historianët objektivë çlirimet e muslimanëve dhe ekspeditat kryqtare, si ka qenë gjendja e çdonjërit, për të dalë në shesh dallimi i qartë mes mëshirës dhe ashpërsisë, dashurisë dhe urrejtjes, jetës dhe vdekjes.

Së treti: ajo që përmendëm më lart, se si i shikon Islami jobesimtarët dhe se dispozitat e tij shprehin kulmin e dashurisë dhe dhembshurisë për njerëzit, nuk nënkupton distancimin e muslimanëve nga parimet e tyre, të cilat disa muslimanë mundohen t’i mjegullojnë. Prej tyre janë:

a) Islami e ndalon dashurinë dhe miqësimin me mosbesimtarët me zemër. Ai që logjikon mund të vërejë dallimin mes bamirësisë, drejtësisë, dhembshurisë, mëshirës me të cilat urdhërohemi kundrejt mosbesimtarëve paqësorë dhe ndalimit të dashurisë me zemër për shkak mosbesimit të tyre, mohimit të Zotit të botëve dhe mospranimit të Islamit.
b) Nuk lejohet që femrat muslimane të martohen me jomuslimanë, kurse meshkujve iu lejohet që të martohen me femra të krishtera apo çifute. S’ka dyshim se ndikimin kryesor në këtë çështje e ka besimi islam. Ky vendim është një mëshirë e madhe për njerëzit, në mënyrë që femrës së krishtere apo çifute t’i hapet dera e shpëtimit, duke pranuar Islamin, kurse femrës muslimane t’i mbyllet dera e mosbesimit.
c) Në Islam nuk lejohet detyrimi i mosbesimtarëve për ta pranuar këtë fe, sepse sinqeriteti është prej kushteve kryesore të pranimit të Islamit, Allahu thotë: “Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota.” (Bekare: 256)
d) Nga ligjet e sheriatit tonë është: gurëzimi i lavirit të martuar, prerja e dorës së vjedhësit, fshikullimi i shpifësit në nder. Këto ligje nuk i fshehim, porse besojmë se e tërë toka është e nevojshme për t’i praktikuar. Ata që jetojnë me këto ligje kanë siguruar paprekshmërinë e nderit, pasurisë dhe jetëve të tyre. Ai që mediton mbi këto ligje do të shohë se ligjësimi i tyre e pengon qysh në fillim shkeljen e të drejtave të njerëzve, nga ana tjetër kush mediton rreth gjendjes së Perëndimit dhe sheh përhapjen e dhunës, vjedhjes, vrasjes do të kuptojë detyrimisht, se nevoja për ndalimin e këtyre krimeve është më se e nevojshme. Ata kanë provuar ligjet joislame dhe çfarë fituan përveç shtimit të së keqes.

MUHAMED IBËN SALIH MUNEXHID

Përktheu: Agim BEKIRI/albislam

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit