Në fjalën e tij të fundit, duke rivarrosur njërin ndër Frashërllinjtë, në vendin e gabuar, Edi Rama, shefi i qeverisë së majtë, u bashkua me të mundurit për të poshtëruar, në mënyrën më rraskapitëse të mundshme, fitimtarët. Nuk ishte një lajthitje e rastit dhe as një rrëshqitje mediatike, e aq më tepër nga padija se çfarë ka ndodhur në këtë vend thuajse tetë dekada më parë. E bëri këtë me pasionin e njeriut që është kacavjerrur pas idesë së tij se, vetëm ai dhe askush tjetër ka të drejtën të predikojë, të paragjykojë, të lartojë e të poshtërojë, jo vetëm një njeri të vetëm por edhe një periudhë historike, e cila, nuk është shkruar ashtu se deshën fitimtarët, por sepse ashtu vepruan të mundurit.
Ai riktheu edhe një herë ndarjen, si nuk ishte pritur, në të mundur e fitimtarë, duke bërë një pasktheu historik të liderit të së majtës, e cila, duke e vënë të drejtojë lëvizjen e saj drejt pushtetit, nuk i dha as bekimin dhe as të drejtën e pashmangshme se vetëm ai, e askush tjetër, mund të zhbëjë një histori dhe të ringrejë një histori tjetër.
Jo gjithnjë fitimtarët janë në të drejtën e tyre të shkruajnë historinë dhe, po ashtu, jo gjithnjë të mundurit kishin mbi vete damkën e së keqes. Historia ka dëshmuar shpesh herë se, mes së keqes dhe të mirës, mes së drejtës dhe të pavërtetës, nuk qëndron vetëm një mal e nuk ndan vetëm një lum.
Por, në rastin e përpjekjes shikim shkurtër të shefit të qeverisë të rindërtimit të një historie të shkuar të vendit ku drejton, historia e luftës mund të ketë pasur teprime, por nuk ka ndryshuar thelbin. Nuk ka ndryshuar atë që ka ndodhur dhe që tashmë dihet; e për më tepër edhe përforcohet nga figura të një lëvizje kolaboracioniste të cilët, pas kaq vitesh, në memoaret e tyre kanë lënë të shkruar krimet që kanë bërë ndaj antifashistëve dhe për të cilat mburren sot pinjollët e tyre.
Le të jemi të qartë. Mit’hat Frashëri, i fundit i Frashërllinjve të njohur, e meritonte të prehej në vendin e tij. Këtë të drejtë atij ia kishte bërë të mundur vetja e tij e dytë, i njohur si Lumo Skëndo; ia kishte bërë të mundur pasioni për vendin e tij, qasjet që i kishte afruar, vendin që brezat i kishin lënë , jo vetëm si bir i Abdyl Frashërit, por edhe si njeriu pjesë i aktit të Pavarësisë, alfabetit shqip, mentarit dhe albanologut. Lumo Skëndo e meritonte vendin e tij në tokën ku të parët e tij prehen dhe ku kishte edhe dëshirë të ndodhej përjetësisht.
Është e drejta e tij për gjithçka bëri, për risinë që solli dhe për përkushtimin me të cilin e deshi në momente të veçanta vendin e tij.
Kjo e nderon këdo që qeveris një vend, aq më tepër një të majtë të kulturuar.
Problemin e një varrimi shefi i qeverisë e hodhi si dorashkë për të ngritur një version të ri, tashmë kryeministror për një histori të shkuar; ai bëri një përpjekje të pangjashme, por edhe dërmuese, për t’i dhënë një vend ndryshe edhe atij që atë vend e kishte nxirë, e për të shkuar më tej, në rindarjen edhe një herë të një vendi që edhe pa këtë tentim të Ramës është mjaftueshëm i ndarë.
A ishte Bernd Fischer ndër fitimtarët që shkruan historinë?
Historiani Fischer është një figurë e njohur në mendimin shkencor në vendin tonë. Përmes dy librave, thuajse shterues, ai ka ngritur edhe një herë historinë e dy periudhave plot enigma të historisë sonë: Periudhën e regjimit të Zogut dhe atë të luftës antifashiste. Nga që është i njohur, qeveria e sotme e ka thirrur të jetë pjesë e historianëve që do të ndërtojnë historinë e shtetit shqiptar.
Mirëpo historiani amerikan Fischer e përcakton qartas se Balli Kombëtar rrëshqiti thellë në kolaboracionizëm; se, sipas njeriut fuqiplotë të nazistëve, nacionalistët vunë në dispozicion të forcave gjermane rreth 10 mijë vetë në operacionin e dimrit, të cilët u armatosën me armë gjermane, sulmuan bashkë me gjermanët, vranë me gjermanët, dogjën si pararojë e gjermanëve; dëshmon përmes dokumenteve se pikërisht Mid’hat Frashëri do të ishte njeriu që urdhëronte bashkëpunimin me gjermanët dhe, në fund edhe marrëveshjen me grekomadhin Zerva për njësimin e shtetit shqiptar me atë grek.
Natyrisht që historiani Fischer nuk ka qenë ndër fitimtarët që përdhosën historinë. Edi Rama e di këtë.
Të thuash me kaq naivitet duke cituar Frashërin se , “nuk mund të kemi në mesin tonë, njerëz që kanë lyer duart me gjak, duke bashkëpunuar me pushtuesit”, si dëshmi se ai vetë nuk ishte drejtuesi i tyre, është njëlloj si të thuash se, as Eneri nuk vrau njeri me dorën e tij…
Po 10 mijë ballistët që shkuan me gjermanët kujt i takonin?
Krimet e komunizmit nuk e ndryshojnë atë që ndodhi në Luftën e Dytë Botërore. Kryeministri ynë na “këshillon” të ulim kokën duke kujtuar pikërisht krimet që kanë ndodhur pas vitit 1945. Njëri krim nuk amniston një krim tjetër. Ndoshta krimet e vitit 1945 nuk do të kishin ndodhur nëse Mit’hat Frashëri do të kishte ndjekur rrugën e babait të tij, Abdylit; nuk do të kishin ndodhur nëse do të merrte në vetëdijen e tij mësimet e Naimit dhe të Samiut.
Abdyl Frashëri, ati i Mit’hat Frashërit, e shkroi historinë e jetës së tij jo vetëm në letrat, por edhe në luftën që bëri. Arkitekti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kishte para vetes një fuqi shumë më të madhe se Italia fashiste, së cilës iu përkul Frashëri; ai kishte mbi vete rreziqe shumë më të mëdha se ballistët që u bënë senatorë dhe anëtarë të Këshillit të Shtetit me rroga të larta, apo edhe ministra, e megjithatë bëri luftën e tij; Abdyl Frashëri mund të bënte marrëveshje me pushtetin osman, por ndau mendjen për të bashkuar shqiptarët në kryengritje dhe për këtë u dënua me vdekje, u burgos dhe vdiq nga pasojat e jetës së vështirë, krejt ndryshe çka bëri i biri.
Shqipëria do të ishte krejt ndryshe nëse nacionalistët e vjetër, burrat me emër dhe perceptim europian të demokracisë do të bëheshin prijësit e luftës, ose në fund të fundit, kundërshtarët e pushtimit. Ata, mes tyre edhe Frashëri, iu nënshtruan pushtimit, u bënë më pas pjesë e tij dhe kishin në brendinë e tyre, ata, për të cilët pikërisht Mit’hat Frashëri do të thonte se janë njerëz me duart e lyera me gjak, duke bashkëpunuar me fashizmin.
Një krim nuk amnistohet përmes një krimi tjetër. Por, zoti shef i qeverisë, edhe krimet e ballistëve, në një kohë të shkurtër, nuk ishin aq të papërfillshme sa përpiqesh t’i mohosh. Ndoshta është rasti të kujtohesh se në më pak se tri vite u vranë dhjetëra mijëra nga fitimtarët e shumë herë më pak nga të mundurit. Ndoshta është koha të gjesh një të vërtetë se, në vendin tënd e në vendin tim, ku ti mund të ulësh kokën e unë nuk e kam ndër mend, të dish se jemi i vetmi ku të mundurit kanë shumë më pak se fitimtarët. Askush në botë nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur nëse ata, “njerëzit që kanë lyer duart me gjak” si thotë Mit’hat Frashëri, të kishin marrë pushtetin dhe se deri ku do i kishin këto duar të përgjakura.
Balli ka patur edhe njerëz që e mendonin ndryshe të ardhmen e organizatës së tyre dhe e donin luftën që ishte në nderin e tyre. Abaz Ermenji ishte njëri prej tyre. Hysni Lepenica një tjetër. Skender Muço një i tretë. Ishin njerëz kurajozë dhe të panënshtruar. Nacionalistë, por edhe europianë të shkallës më të lartë. Antikomunistë, por edhe të civilizuar. Luftëtarë, por jo me duart e lyer me gjak.
Lumo Skendo është vërtet një burrë i shquar, dhe ndoshta ai do e kishte patur në nënvetëdije se, ndoshta një ditë, personaliteti i tij do të dyzohej, dhe Lumo Skendos duhej me kohë që Akademia e Shkencave t’i kishte bërë nderimet e duhura, të merrte mbi vete gjithë porositë e tij, ta nderonte si figurë madhore e fillesës së shkencës sonë.
Por shkenca jonë albanologjike ka pasur edhe burra të tjerë të mëdhenj, më të mëdhenj se Frashëri. Por pak vetë e dinë se ku është vendvarrimi i Çabejt, Demirajt, Akes Budës, Aleksandër Xhuvanit, Skender Luarasit, Lasgush Poradecit. Ju u përlotët nga që një deputet ish polic recitoi Migjenin, por varri i Migjenit është ngjitur me vendgrumbullimin e plehrave në qytetin e Shkodrës.
Meqë e hapët kapitullin , fitimtarë e të mundur, e dini se varret e fitimtarëve po i mbulojnë barërat dhe janë harruar nga e majta që përvetëson luftën e tyre dhe i shpall flakadanë të përçarjes.
Atëherë, përse Frashëri është varrosur në atë vend ku janë korifejtë e mendimit dhe të Rilindjes? Nëse jo si figura më madhore e shkencës sonë, atëherë si njeri i politikës. Përse fut hundët politika në një mjedis ku duhet të jetë shkenca?
Jo të gjithë kanë mendimin e sotëm të shefit të qeverisë. E jo vetëm shqiptarët, që shefi i quan “fitimtarë” dhe që, duhet pranuar, ata që i shpëtuan spastrimeve, jetuan denjësisht, shumë më denjësisht se qeveritarët e këtyre tri dekadave.
Një raport i CIA-s e konsideron Frashërin, jo si kampion të mendimit liberal. “Prej krijimit të tij dhe disa vite më tej, kryesia e Ballit ishte në duart e themeluesve konservatorë Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Nuredin Vlore, e Koço Muka…Por minoranca intelektuale reformiste e drejtuar nga Abaz Ermenji, Zef Pali, Halil Maçi, Vasil Andoni etj., kishte ide të tjera në kokë. Që prej fillimit ata dëshironin ta shihnin Ballin si një organizatë moderne politike me tendencë perëndimore dhe socialiste”.
Disa ditë më parë, kur presidenti i vendit, Ilir Meta, bëri aluzion për sekretar të parë, qesha me vete, sepse kurrë nuk e mendoj se mund të kthehet ajo kohë dhe se askush nuk e ka forcën e këtij rikthimi. Edhe tani mendoj kështu.
Por thirrja juaj për të ulur kokën, si një thirrje se pagabueshmëria juaj është e vetmja e vërtetë, la pas vetes një ndjenjë mëkatare, dëshirën e një rikthimi të pashoq dhe të hedhur mrekullisht poshtë.
Historinë kurrë nuk e kanë bërë shefat e qeverisë, të cilët, si keni thënë, luajnë shah me politikën.
Historia e luftës antifashiste nuk është shah. Ajo ka më shumë të rënë nga fitimtarët se të mundurit.
Sado t’i ndërrosh vendin figurave, e vërteta nuk ndërrohet dot.
Shumë kohë më parë, një njeri pjesë e fitimtarëve që e bënë me të mundurit, drejtuesi i luftës antifashiste në Shkodër, Arif Gjyli, në rishkrimin e historisë së Fishtës do të shkruante se “me vendosjen e gurit të varrit, mbaron jeta dhe mbetet vepra”.
Por jeta e askujt nuk harrohet.
Lumo Skëndo i madh e ka vendin në Shqipëri dhe është i nderuar. Mit’hat Frashëri duhej të ishte këtu, por është në vendin e gabuar, e për më tepër me një apologji krejtësisht të pavend.
Bedri Islami