1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Kush do të jenë të shpëtuar?

Më të lexuarat

Allahu i Lartësuar u ka dërguar njerëzve në Tokë pejgamberët e Tij, të cilët ua mësuan atyre fenë e Tij universale, që Ai e ka përcaktuar për njerëzimin. Kjo fe është një, por ligjet fetare dhe rregulloret e caktuara kanë qenë pjesërisht të ndryshme, në përputhje me kushtet dhe rrethanat të jetës së atyre të cilëve ju dërgua ligji i caktuar fetar.

Kjo fe gjithmonë ka predikuar monoteizëm të pastër në Një Krijues që është i Vetmi që meriton të adhurohet dhe t’i drejtohen lutjet. Emri i tij i përveçëm është Allah, por Ai në librin e shenjtë në Kuran atribuohet edhe me emrat tjerë të Tij të bukur.

Përveç besimit në këtë monoteizëm të pastër, pasuesit e pejgamberëve të Zotit përgjatë historisë kanë besuar edhe në melekë, kanë besuar në pejgamberët tjerë të Zotit, kanë besuar në Shpalljet e Zotit, kanë besuar në Ditën e Gjykimit, dhe në caktimin e Zotit. Këto i kanë besuar të gjithë njerëzit besimdrejtë nga njeriu i parë deri në ditët e sotme. Të gjithë ata i kanë ndjekur udhëzimet e Zotit, të cilat ua ka dërguar Ai përmes pejgamberëve.

Përveç këtyre të vërtetave themelore të fesë, Zoti nga njerëzit ka kërkuar sjellje shembullore dhe të bukur, duke e vendosur atë në zemër të vetë besimit, sepse pa trajtim dhe sjellje të bukur ndaj krijesave të tjera të Zotit, feja e njeriut është e mangët dhe besimi (imani) i tij është i diskutueshëm.

Ky trajtim i bukur është përcaktuar përgjatë gjithë jetës njerëzore ndaj të gjitha qenieve të gjalla, pavarësisht se kush ose çfarë janë. Të gjithë të dërguarit, prej Davudit (Davidi), Sulejmanit (Solomoni), Musait (Mojsiu), Ismailit (Ishmaeli), Jusufit (Jozefi) dhe Isait (Jezusi) e deri te Muhamedi (savs), kanë predikuar të njëjtin besim dhe kanë kërkuar sjellje etike nga pasuesit e tyre. Me shembullin e tyre personal, ata kanë qenë model për pasuesit e tyre, se si duhet edhe praktikisht të jetësohet kjo fe e Zotit (Islamit – bindja ndaj Zotit).

Allahu i Lartësuar u ka përcaktuar njerëzve namazet ditore, agjërimin, ndarjen dhe dhënien për nevojtarët, si dhe haxhillëkun në Qabe. Përmes disa shpalljeve të mëparshme, shohim se edhe pejgamberët e mëparshëm gjithashtu kanë falë namaz, kanë agjëruar, kanë dhënë kontribute materiale, kanë flijuar (kurban), si dhe e kanë ndaluar mishin e derrit, bixhozin, idhujt dhe pijet dehëse. Veshja dhe mbulimi si ka hije i grave përmendet dhe lidhet edhe me popujt e mëparshëm, siç e shohim në shembullin e murgeshave në krishterim dhe në sekte të tjera më pak të njohura.

Afrimi tek Allahu përmes namazit të rregullt dhe bamirësisë së përditshme ndaj njerëzve, si dhe sjelljes së bukur, janë doktrinat thelbësore të Sulejmanit, Musait dhe Isait, por edhe të Muhamedit (a.s.).

Feja e Zotit na mëson neve se ata që besojnë drejtë dhe bëjnë shumë vepra të mira, në botën tjetër, të përjetshme do të hyjnë në xhenet, kurse mëkatarët e mëdhenj dhe ata që ndjekin diçka tjetër përveç fesë së përcaktuar nga Zoti, do të fitojnë me meritë, si formë të fundit të ndëshkimit për mosbindjen e tyre ndaj Krijuesit, xhehenemin. Ky aspekt i teologjisë është i njohur edhe në fenë krishtere edhe në fenë hebreje. Islami, si feja e të gjithë pejgamberëve nga njeriu i parë deri tek i fundit, është përcaktuar dhe dhënë si mëshirë për njerëzimin, në mënyrë që njerëzit të jetojnë në paqe, dashuri, drejtësi dhe prosperitet të përgjithshëm. Vetë përshëndetja e muslimanëve në thelb mban thirrjen e paqes dhe shpëtimit për atë që e përshëndetni.

Mirëpo, që nga fillimi i botës e deri në ditët e sotme, masa të mëdha njerëzish nuk ishin të vetëdijshëm për rëndësinë e përqafimit të kësaj feje universale të Zotit, kështu që janë larguar prej saj, duke e mohuar, dhe shpesh herë krejtësisht pa nevojë duke shpikur ideologji të reja, dhe duke përcaktuar për vete ligje fetare, ku pastaj papritmas masat i kanë pasuar ato.

Latinët e lashtë kanë thënë që masat nuk duhet të ndiqen, edhe vetë Isai a.s. (Jezusi) për këtë, në disa predikime biblike e thotë të njëjtën gjë, e gjithashtu edhe Kurani i shenjtë e konfirmon në shumë vende: “…ata nuk besojnë, përpos një numri të vogël.” Ose thënia kuranore: “…por shumica e njerëzve nuk janë falënderues.”

Ky falënderim ndaj Zotit shoqërohet me besimin dhe ndjekjen e fesë unike, universale të Zotit, kurse mohimi dhe mos-koherenca e fesë së Tij konsiderohet mosmirënjohje, neglizhencë dhe herezi. Zoti është Një dhe Ai nuk ka shok, pushteti i Tij është në qiej dhe në Tokë, dhe Ai në Ditën e Gjykimit do të jetë Sunduesi i Vetëm, para të Cilit njerëzit do të japin llogari për besimet dhe veprat e tyre.

Ata që besojnë sinqerisht dhe u bëjnë shumë vepra të mira njerëzve, do të shpëtojnë, kurse ata të tjerët për shkak të zgjedhjes së tyre të vetëdijshme për të qenë diçka tjetër, dhe që bëjnë vepra të këqija, vetvetes do t’ia shkaktojnë dënimin, të cilin Allahu i Plotfuqishëm, në të gjitha librat e shenjtë e ka paralajmëruar.

Përkthim: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit