Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u ka dërguar sot letra presidentes së Republikës, Ahtifete Jahjaga, ku është paraqitur kërkesa për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Mitrovicë.
Kurti u ka dërguar letra dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit, në të cilën i kërkohet mbështetja për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në lidhje me ngjarjet në Mitrovicë, si dhe Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, me kërkesën për inicim të diskutimit në NATO dhe OKB të ngjarjeve në Mitrovicë.
”Dhuna dhe terrori ndaj shqiptarëve në veri të Mitrovicës janë intensifikuar. Pardje, me eksploziv të sofistikuar u vra Selver Haradinaj dhe u plagosën e lënduan anëtarët e familjes së tij: gruaja dhe katër fëmijët. Dje, pika statike e policisë së Kosovës që u vendos atje nuk qëndroi as pesë minuta meqë u shkatërrua nga strukturat armiqësore e kriminale të Serbisë. Nën terrorin e përditshëm, duke qenë edhe të varfër e të papunë, shqiptarët në veri të Mitrovicës sot janë njerëzit më të rrezikuar në Evropë”, thuhet në letrën adresuar presidentes Jahjaga.
Kurti thekson se gjendja në Mitrovicë është e jashtëzakonshme. “Karshi kësaj gjendjeje nuk mund të sillemi në mënyrë të zakonshme… Duke u bazuar në nenin 84, pika 22, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ju mund të shpallni gjendjen e jashtëzakonshme. Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe si deputet i Kuvendit, ju sugjeroj që ta shpallni gjendjen e jashtëzakonshme në Mitrovicë. Pra, gjendjes që tashmë është e jashtëzakonshme, t’ia jepni të tillë edhe emrin zyrtar”.
Në këtë mënyrë, sipas kreut të VV-së, institucionet e shtetit të Kosovës do të aktivizoheshin e mobilizoheshin, duke u ngritur në nivelin e detyrës që e kërkon situata e rëndë aktuale. “Reagimet e veçanta dhe të kohëpaskohshme të policisë së Kosovës nuk kanë dhënë dhe nuk do të japin rezultatet e duhura”. Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Mitrovicë, në bazë të Kushtetutës, presidentja do t’i kryesonte mbledhjet e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje, duke marrë parasysh situatën e rënduar në veri të Mitrovicës pas sulmeve të fundit me pasoja tragjike, ka marrë iniciativën për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të mërkurën, më 11 prill 2012.
Nëpërmes një letre dërguar kryeparlamentarit Krasniqi, e cila është bërë publike dhe për mediat, Kurti thotë se duke marrë parasysh pozitën dhe qasjet e qëndrimet konstruktive politike të Krasniqit, kërkon mbështetjen dhe kontributin e tij në inicimin dhe mbajtjen e kësaj seance.
“Kjo seancë mund të nxjerrë vendime konkrete për institucionet politike të Kosovës të cilat duhet t’iu dalin në ndihmë dhe mbrojtje qytetarëve tonë atje”.
Kurti ka shfaqur dyshimet se sulmi në Mitrovicë erdhi pikërisht në ditët kur institucionet e vendit e kanë pushim për shkak të Pashkëve dhe Ditës së Kushtetutës. “Le të mos harrojmë që shumë vrasje e masakra të forcave të Serbisë në luftën e fundit në Kosovë janë kryer në ditët e fundjavës: Abria, Reçaku, Krusha e Vogël, Theranda, Izbica, zhdukja e Ukshin Hotit etj. Njerëzit jetojnë edhe gjatë pushimeve e gjatë festave. Institucionet e Kosovës duhet të jenë përherë pranë qytetarëve e në shërbim të tyre”, thekson Kurti.
Po të martën, Kurti i ka dërguar një letër edhe presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, nga i cili ka dërguar ndihmën e shtetit shqiptar për të iniciuar në NATO dhe OKB “diskutimin mbi rrezikun e afërt të spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë”.
“Nevojitet veprim politik e diplomatik kombëtar, para se përmasat e spastrimit më të ri etnik ndaj shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, të ngjajnë me ato të viteve 1998, 1999 dhe 2000”, shkruan Kurti/GazetaJNK/