Militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit kanë marrë përgjegjësinë për rrëmbimin e deputetit të Parlamentit turk, Huseyin Aygun.
Në komunikatën që kanë bërë publike agjencitë pro-kurde thuhet se përshkallëzimi i aksioneve ushtarake të Turqisë për të liruar Aygunin, “vë në rrezik jetën e tij”.
Aygun, i cili është edhe vetë kurd, është ligjvënës nga Partia Republikane Popullore.
Siç transmeton Rel, ai është rrëmbyer më 12 gusht, derisa udhëtonte drejt provincës Tunçeli. Ushtria turke ka dërguar rreth 200 trupa në rajon, pas kidnapimit të tij.
Ndërsa gjithashtu mësohet se një ditë më vonë elementët e grupit terrorist PKK kanë rrëmbyer edhe 11 persona në juglindje të Turqisë.
Sipas agjencisë Shinhua, njëra nga gazetat turke ka bërë të ditur se anëtarë të grupit terrorist PKK kanë sulmuar një ndërtesë në ndërtim e sipër në provincën Hakari të cilët pasi i kanë vënë flakët 11 kamionëve dhe automjeteve, kanë rrëmbyer 11 shoferët e tyre.
Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, lufton për autonominë e kurdëve brenda Turqisë qysh në vitet 1970.