2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Kurdët e Turqisë kërkojnë më shumë liri

Më të lexuarat

Luftimet në rritje mes forcave turke dhe rebelëve kurdë nxjerr në pah faktin se “çështja kurde” – një problem që ka vazhduar prej dekadash në Turqi – mbetet e pazgjidhur. Kryeministri i vendit thotë se qeveria u ka dhënë liri të papara kurdëve të Turqisë. Por shumica e kurdëve thonë se ata vazhdojnë të pësojnë diskriminim dhe izolim.

Pasdite në Dijarbakir. Vajza kurde po mësojnë instrumentin tradicional kurd Arbane, në Qendrën Kulturore Tigri-Eufrat. Nje qendër në Zonën e Vjetër të Dijarbakirit po përpiqet të ringjallë kulturën tradicionale kurde, e cila ka qenë në rënie që nga krijimi i Republikës Turke, gati 90 vjet më parë. Koordinatori Farkin, që përdor vetëm emrin, thotë se qeveria turke dëshiron vetëm një kulturë dhe një gjuhë, për vendin.

“Qeveria na trajton keq. Ata nuk duan që ne të zhvillojmë këtë aktivitet. Disa herë ata kanë hyrë me forcë këtu. Na morën kompjuterat dhe disqet. Si dhe arrestuan miqtë tanë.”

Qendra tërheq shumë artistë. Çdo gjë që përfaqëson kulturën kurde dikur ishte e paligjshme në Turqi. Zyrtarisht, kufizimet janë hequr gjatë dekadës së fundit. Por kurdët thonë se ato vazhdojnë.

I sapodiplomuari universitar Vejsel Tanrikulu rrezikon të dënohet me 10 muaj burg, sepse këndoi këngë tradicionale kurde në një festival.

“Të rinjtë këtu janë të ndarë. Një grup e ka humbur shpresën. Ata dëgjojnë zyrtarët turq kur thonë se gjuha kurde nuk do të mësohet kurrë si gjuhë zyrtare. Grupi tjetër mendon se duhet bërë diçka për këtë problem. Ata janë më tepër aktivistë.”

Vejseli thotë se disa prej tyre dëshpërohen aq shumë saqë bashkohen me luftëtarët e PKK-së në male.

Ahmed Gezen është zëvendës kryetar i degës lokale të Partisë Paqe dhe Demokraci, ose BDP. Disa e konsiderojnë atë si krahun politik të PKK-së, por partia e mohon këtë. Zoti Gezen thotë se BDP-ja kërkon një qeveri kurde demokratike në pjesët kurde të Turqisë.

“Kurdët nuk duan të ndahen nga Turqia. Ne duam të jetojmë në një vend demokratik, të lirë si të gjithë. Problemi është se qeveria thotë që ne nuk mund të arsimohemi në gjuhën tonë. Përse jo? Pse duhet që kaq shumë kryengritës dhe ushtarë të vdesin për këtë?”

Bayan Bozyel drejton Partinë më të vogël të të Drejtave dhe Lirive, që mbron të drejtat kurde përmes mënyrave jo të dhunshme.

“Ne shohim që qeveria turke ka hapur një stacion televiziv kurd dhe ka lejuar mundësinë që të zgjedhësh disa kurse në gjuhën kurde në disa shkolla. Por kjo nuk është e mjaftueshme për të zgjidhur problemin kurd.”

Luftimet mes luftëtarëve të PKK-së dhe forcave turke janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit, pas një dekade relativisht të qetë. Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) thotë se autoritetet po përpiqen të sabotojnë negociatat e paqes. Qeveria thotë se luftëtarët kurdë po inkurajohen nga Siria, për shkak të mbështetjes së Turqisë ndaj rebelëve sirianë.

Shumica e kurdëve duan t’u njihet identiteti i tyre kulturor dhe e drejta për një formë vetëqeverisjeje. Disa prej tyre janë të gatshëm të luftojnë për këtë. Të tjerë, si ky këngëtar tradicional kurd, thonë se është më e rëndësishme të kujdesen që kultura e tyre e lashtë të mos zhduket.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit