Prej kohësh kam nisur të ndjehem gjithmonë e më shumë e bezdisur prej teknologjisë që na rrethon. Më duket sikur kemi filluar të jetojmë më shumë për Facebook e për Instagram se sa për veten tonë. Nuk besoj që nuk e keni pyetur veten nëse gjithë kjo mani ndaj smartphonëve, që i duam gjithnjë e më shumë të teknologjisë së fundit, na bën të ndihemi vërtet më mirë apo thjesht të varur prej tyre. Së fundmi lexova një studim në SHBA që tregonte se përdorimi i telefonave ndikon në uljen e aktivitetit seksual të çifteve e madje madje bëhej një lidhje e drejtpërdrejt edhe mes përdorimit të teknologjisë dhe rritjes së numrit të divorceve. Në fillim tingëllon si e pakutimtë, se në fakt pyetja se përse sot nuk po funksionojnë martesat vlen sa një milion dollarë dhe ka qindra studiues e psikologë që japin versione nga më të ndryshmet. Por ama, me një analizë të thjeshtë kupton se teknologjia në fakt na ka ndryshuar vërtet edhe në shtrat madje. Ata që janë dashuruar kur nuk ishte shpikur ende smartphone dhe mediat sociale, besoj e dinë më mirë këtë. Dikur çiftet nuk dërgonin mesazhe në whatsapp, por flisnin vërtet me njëri tjetrin. Ndërsa sot jemi më të lidhur se kurrë, por ama shumë larg njëri tjetrit (dhe ky nuk është slogan i ndonjë kompanie telefonike). A e keni pyetur veten kur keni folur për herë të fundit me partnerin/partneren tuaj vërtet? Nuk e kam fjalën për mesazhet në whatsapp “vishe gocën mirë se është ftohtë”, bli pak bukë dhe kos” apo “mos u vono se duhet të shkojmë për qokë të tezja”. Por për biseda të mirëfillta me njëri tjetrin për ta pyetur edhe thjesht si kaloi dita në punë. Në fakt sot jemi gjithnjë e më shumë të zënë për ta dëgjuar vërtet njëri tjetrin. Puna, palestra, kredia e shtëpisë, baleti i gocës, futbolli i djalit. Qëllon të jesh edhe një dhomë më tutje dhe përton ta thërrasësh kështu që i dërgon një mesazh në whatsapp “ule zërin e televizorit”.
Edhe lulet gruas sot ia dërgoni te puna me një telefonatë apo falë një aplikacioni. Sot nuk ka nevojë as të bësh pazar bashkë se gjërat secili mund ti porosisë vetë në internet. Për fat të keq kemi humbur kontaktin fizik falë teknologjisë që padyshim edhe na ka lehtësuar mënyrën e të jetuarit duke na kursyer kohë. Por kjo ama nga ana tjetër edhe na ka hequr emocionet, ndjesinë njerëzore të marrëdhënies mes nesh. Madje sot nuk e shprehim as me të shkruar atë që ndjejmë, të themi që jemi mërzitur apo të kënaqur, këtë sot e bëjnë ikonat e aplikacioneve të smartphone-ve veç me një touch (prekje). Dhe ajo çfarë është më e keqja, shpesh keqkuptohemi nga fjalët apo fytyrat e shkruara e ndodh shpesh të përfundosh duke u zënë.
Tani mbase është edhe më e kuptueshme pse gjyshërit tanë ia dolën që të festojnë 60 vjet martesë. Sepse nuk e harxhonin kohën e tyre duke parë veshjen e re të asaj këngëtares së famshme, apo për të zbuluar kush është partneri i ri i asaj aktores së divorcuar nja 3 herë. Gjyshërit tanë nuk kanë qëndruar me orë të tëra në Facebook duke bërë komente nëpër statuset e të tjerëve apo duke u bërë like fotografive. Ata nuk shkonin me pushime për të postuar foto sexy nga plazhi e për të bërë xheloze shoqet për bikinin më të bukur apo jahtin e marrë borxh nga një mik pasanik. Në fakt gjyshërit apo prindërit tanë preferonin të kapeshin për dore ndërsa shijonin rërën në këmbë dhe aromën e detit, pa telefona. Dhe nuk i shqetësonte tingulli i mesazhit ndërsa hanin darkë dhe bisedonin me njëri tjetrin.
Sot duket sikur dëshira për të qënë në qendër të vëmendjes është më e madhe se gjithçka tjetër dhe ka kapërcyer edhe dashurinë ndaj të tjerëve apo dëshirën për të na dashur. Falë medias sociale sot jemi të gjithë të famshëm. Të kesh 5 mijë miq në FB apo instagram padyshim të bën të ndihesh kështu. Mjafton një selfie dhe dikush arrin të ketë famën e një ylli Hollivudi. Publikoni një foto gjysmë të zhveshur e mund të keni edhe qindra mijëra like (më pëlqen). Sa më pak të veshur aq më shumë do tju pëlqejnë madje.
Dëshira për tu dukur e për të qënë në qendër të vëmendjes na ka bërë edhe më sipërfaqësorë. E rëndësishme është që tek fotoja në FB të kemi veshjen më të mirë, orën më të shtrenjtë dhe natyrisht një pije në dorë tek ai restoranti apo lokali për të cilin flasin të gjithë. Nuk ka rëndësi nëse në të vërtet s’na mjaftojnë paratë për të mbyllur muajin, e rëndësishme është që në fotografinë që do postojmë të dukemi më në formë se kurrë. Dhe like-t apo komentet na e garantojnë këtë. Por a jemi më të lumtur? A arrijmë të marrim dashuri dhe emocione prej tyre? Duket sikur tashmë nuk na mjafton të kemi vetëm vëmendjen e njeriut që duam, apo që kemi përkrah por duam mijëra pëlqime (like). Pse jo të na adhurojnë e të na duan mijëra friends. Por ndërkohë kemi lënë pas dore dashurinë e vërtetë. Nuk ka kohë për të dashuruar kur je shumë I shqëtësuar për opinionin apo rivalitetin ndaj qindra të tjerëve.
Sot e kemi “shkatërruar” dashurinë duke i ftuar mijëra friends deri te shtrati jonë duke hequr dorë nga një prej gjërave më të shenjta, privatësia. S’ka më intimitet sepse gjithçka sot është në internet sa hap e mbyll sytë. Madje edhe kur puthemi pozicionohemi mirë që të dalë mirë selfie. Çfarëdo që bëjmë e kudo që shkojmë, gjëja e parë që mendojmë është si ta bëjmë publike me një click në smartphone, në vend që të shijojmë apo përjetojmë momentin. Na ha më shumë kohë gjetja e atij programit që i bën fotografitë perfekte se sa të rrimë të flasim me njëri tjetrin. Mbase nuk ka asgjë të keqe të ndajmë me të tjerët gëzimet, kënaqësitë dhe sukseset tona, por a ka një limit për gjithë këtë?
Sepse sot kemi ftuar mijëra të panjohur edhe brenda shtëpisë duke i treguar edhe garderobën tonë. Ngasim makinën me ta, e madje mund të na shohin edhe pllakat e banjos apo deri edhe të brendshmet. E kemi lejuar vetë që teknologjia e smartphone-t të na hyjnë edhe në shtrat duke na bërë të lëmë pas dorë ndjenjat dhe emocionet e vërteta, ato që duhen shijuar vetëm për kënaqësinë e shpirtit, nga ato përjetime që nuk ke pse t’i ndash me njeri tjetër përveçse me të dashurin/dashurën e zemrës.
Erjona Rusi