Në disa kabllograme të dërguara mes shkurtit dhe marsit 2008 të zbuluara nga Wikileaks, Ambasada Amerikane i ka kushtuar vëmendje mënyrës së jetesës në Shqipëri.
“Kafeneja- Institucioni që punon më mirë në Shqipëri…Shqiptarët i diskutojnë problemet e tyre në kafene, përfshirë këtu politikanë që diskutojë iniciativa publike, zyrtarë që diskutojnë politika të ndryshme dhe studentë që diskutojnë provimet ose modën” – i shkruante Departamentit të Shtetit ish-ambasadori i atyre viteve, Xhon Uidhers.
Diplomati shton në të njëjtin kabllogram se se mes shqiptarëve “dinamika e marrëdhënieve personale është shumë e fortë”.
“Që gjatë periudhës komuniste, ku ti ishe gjithmonë në kërkim të një miku që të të gjente pak më shumë mish apo qumësht, dinamika e marrëdhënieve personale është shumë e fortë dhe kërkon shumë kohë e energji. Ato ndikojnë në vendimet e njerëzve. Në këtë mënyrë kafenetë janë institucioni ku mund të ankohesh, të zgjidhësh problemet apo të argëtohesh në Shqipëri. Pra, kur të shihni shqiptarë të ulur në një kafene, mos mendoni se është humbje kohe. Është një institucion social multifunksional për një vend në tranzicion”- shkruante Uidhërs.