Lëvizja Qytetare Zgjohu!, me seli në Shkup, ka reaguar pas debatit që po zhvillohet rreth iniciativës së VMRO DPMNE për të dorëzuar një propozim ligj për forcat e sigurisë të involvuara në luftën e vitit 2001, që taksativisht përjashton mundësinë e përfshirjes edhe të luftëtarëve të UÇK-së në të.
Kjo lëvizje kërkon nga të gjitha partitë shqiptare kundërshtimin e këtij propozimi diskriminues.
Përmes një komunikate për shtyp, kjo lëvizje sqaron se marrëveshja e Ohrit, e cila i ka dhënë fund luftës së vitit 2001, e pranuar nga të gjithë faktorët politik në vend, obligon institucionet e vendit që të ndërmarrin masa për ndërtimin e mirëbesimit midis komuniteteve si dhe resocializimin e ish ushtarëve të UÇK-së.
“Përtej ndalimit të luftës dhe shpëtimit të jetëve, karakterit formal të vet si dhe shndërrimit në pjesë të Kushtetutës së vendit, Marrëveshja e Ohrit vuri shenjën e barazimit midis qytetarëve të vendit, përfshirë edhe të të dy anëve pjesëmarrësve në luftë. Ky barazim duhet të vlen në çdo masë institucionale për të rehabilituar pjesëmarrësit në këtë luftë dhe çdo përjashtim nga ky parim është jokushtetues dhe tendencioz”, thuhet në reagimin e kësaj lëvizjeje.
Sipas tyre, është pikërisht VMRO DPMNE partia që ka firmosur Marrëveshjen e Ohrit si dhe ka konfirmuar amnestinë për ish ushtarët e UÇK-së nëpërmjet të interpretimit autentik të Ligjit për Amnesti me çka ka pranuar edhe rolin formal dhe barabarësinë e UÇK-së me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë të luftës.
Lëvizja Zgjohu! u ka bërë thirrje të gjitha partive shqiptare për një unifikim më ta madh për të kërkuar të drejtat e komunitetit shqiptar që i takojnë edhe me ligj.kohaislame