Kundërpërgjigje për Analistin “fetaro-politik” – Gazmend Islami, përkitazi me shkrimin skandaloz: “Shefqet Krasniqi tejkalon moralen dhe njerëzoren” – botuar në telegrafi.
“E mëson peshkun të notojë” – thënie e urtë latine
Shkruan: Fehmi Maloku – gazetar
Një artikull befasues që lexova para pak kohe më ka shokuar. Artikulli ishte i mbushur me paragjykime dhe urrejtje, saqë më shtyu ndërgjegjja të kundërpërgjigjem, për të demantuar me disa fakte konkrete këto paragjykime, shpifje dhe gënjeshtra të kulluara, të cilat hidhen kundër një personaliteti vërtetë të madh, dr. Shefqet Krasniqi. Autori i këtyre shpifjeve me emrin Gazmend Islami, i prezantuar si analist politik, ka marrë rolin që nuk i takon dhe bën kërdi mbi figurën e dr. Shefqet Krasniqit, duke i përdhosur parimet etike e profesionale të gazetarisë. Me plot kualifikime, me plot shpifje e gënjeshtra e pa asnjë argument ai i është vërsulur dr. Shefqet Krasniqit, të cilin siç po shihet nga krejt artikulli, personazhin aq të urryer autori nuk e njeh as për së afërmi dhe përveç emrit që vonë ia ka mësuar nuk di asgjë më shumë për të. Ai, madje e quan Shefqet Kraniqi – pa e ditur se personazhi i tij është edhe Doktor i shkencave islame dhe Imam i Xhamisë së Madhe, si për të mirë si për të keq, rendi i do që personazhin që ke zgjedhur ta paraqesësh ashtu siç është, me ato grada që i ka, a që në i ka. Por urrejtja dhe paragjykimet duket nuk e lënë autorin ta vendosë qoftë edhe një shkronjë me kuptim pozitiv ndaj personazhit të tij. Meqenëse nga profesioni jam gazetar dhe e njoh etikën dhe profesionin e gazetarisë, jam i befasuar se si i mundësohet botimi i këtyre shpifjeve analistëve të tillë. Po t’i shohim më poshtë se cilat janë shpifjet dhe shkarjet e rënda të këtij analisti fetaro-politik, kundër një personazhi të cilin duket se as për së afërmi nuk e njeh vetë autori.
Për t’iu kundërpërgjigjur më saktësisht paragjykimeve (shpifjeve) të autorit analist, reagimin tim po e shkruaj në formë bashkëbisedimi.
Ai (Autori analist) shkruan:
– Deklaratat dhe veprimet e Shefqet Krasniqit, në kohën e fundit i kanë kaluar të gjitha normat morale të një predikuesi fetar, e çka është më tepër një presoni i cili thirret në një fe siç është Islami.
– Heu ç’na paska gjetur neve! Sa shumë mirë që i kishim punët , por ja që na plasi ky sherr tash?!
Të falemnderit analist që na alarmon për këtë rrezik që qenka shfaqur e s’e kemi ditur, por a nuk na thua drejt te lutem; Cilat saktësisht, cilat deklarata ose edhe më saktë, cila deklaratë dhe cilat veprime – më saktë cili veprim aq i kobshëm i atij personi që thirret në një fe siç është Islami (Në të vërtetë, ai thërret në Islam – e nuk thirret në Islam!)?! Pra, a nuk po na tregon se cilat janë ato deklarata e ato veprime – përmendi disa, së paku një?! – S’ka përgjigje!
Analisti fetaro-politik, pa dhënë fare asnjë dëshmi për akuzën, në të vërtetë për akuzat e para të rënda, vazhdon fjalimin, por e ndërron kahjen dhe jep Fetva!
Citoj analistin fetaro-politik: “Vetë fjala “Islam” d.m.th. paqe, prandaj misioni kësaj feje është që në rruzullin tokësor(ë – shtesë) të reflekton (ndoshta të reflektojë – F.M.) tolerancë, bamirësi, luftimin e të keqes (ndoshta e së keqes – F.M.), kundër dhunës etj. Feja Islame është tolerante ndaj vetë myslimanëve po edhe ndaj jomyslimanëve, vetë traditat e saj kanë treguar se popujt mysliman(ë) që nga koha e Muhamedit a.s. e deri në ditët e sodit (ndoshta e sotme) kanë ditë (apo ditur) t’i ruajnë vlerat e veta por edhe t’i respektojnë vlerat e të tjerëve”.
O sa fetva e bukur e një analisti kjo! Na trembi së pari kur tha se deklaratat (domethënë shumë, shumë deklarata) dhe veprimet (prapë shumë, shumë veprime të pamatura) e Shefqet Krasniqit (për informimin tuaj personazhi juaj e ka gradën dr. i shkencave, është edhe Imam i Xhamisë së Madhe – dhe s’mund t’i hiqen këto grada kaq lehtë), i kanë kaluar të gjitha normat morale – bash të gjitha normat morale, por cilat se?! S’ka asnjë përgjigje!, por, menjëherë një fetva tjetër! Analisti politik, po jep fetva fetare e na mëson ne të gjorëve se: “Vetë fjala “Islam” d.m.th. paqe…” – çudi si nuk e paska ditur askush deri më tash që Islami na qenka paqe, sa bukur qe dolët ju dhe e zbërthyer këtë emër z. Analist! Si nuk e paska ditur këtë përkufizim, madje as personazhi i shkrimit tuaj, i cili për të mësuar këtë Islam që ju e zbërtheni tash pas gjithë kësaj kohe, kishte studiuar rrum 15 vjet në bazën e Islamit në Medine?!
Analisti politik, Gazmend Islami – ose Gazmend Paqësori, nuk ndalet një moment për t’i zbërthyer edhe këto fetva ashtu si na e zbërtheu aq mrekullueshëm Islamin në paqe, por vazhdon të lëshojë sërish fetva tjera dhe qysh në fillim të fetvave të pazbërthyera e jep diagnozën pa asnjë kontroll ku thotë, citoj: “Vetë fjala “Islam” d.m.th. paqe, prandaj misioni (mungon – i) kësaj feje është që në rruzullin tokësor(ë) të reflekton tolerancë, bamirësi, luftimin e të keqes, kundër dhunës etj. Feja Islame është tolerante ndaj vetë myslimanëve po edhe ndaj jomyslimanëve, vetë traditat e saj kanë treguar se popujt mysliman që nga koha e Muhamedit a.s. e deri në ditët e sodit kanë ditë t’i ruajnë vlerat e veta por edhe t’i respektojnë vlerat e të tjerëve. (!!)
– Meqenëse analisti nuk e vë shkronjën i – aty ku duhet, nuk po më çudit hiç që e vë shkronjën ë – aty ku nuk duhet – në rruzullin tokësor-ë !.
Ngadalë more shoku analist mos u ngut se s’të ka hije kështu! Nuk bën kështu analisti jo! Ndalu njëherë pak dhe argumentoje kritikën tënde kundër personazhit tënd, se ka kush e sqaron Islamin boll, nuk ke kompetencë t’i fare për të sqaruar Islamin, se e dimë shumë më mirë se ti çka domethënë fjala Islam. (Për dijeninë tënde – Paqe është njëri nga shumë kuptimet e fjalës Islam, një kuptim tjetër i denjë për Islamin është edhe Parim).
Po nuk na tregove akoma se çfarë deklaratash dhe çfarë veprimesh ka bërë personazhi yt?
Ja ku na qenka menjëherë “argumentimi” yt: “Deklaratat e tij janë aq irrituese dhe skandaloze sa që pyes veten e bënë me vetëdije apo është i obliguar nga qarqe të ndryshme brenda dhe jashtë vendit që të përçaj komunitetin mysliman në Kosovë apo edhe të ndjellë urrejtje ndaj të tjerëve” – Ky pra është argumenti yt z. analist pse ke marrë mundim të shkarravitësh kundër një personaliteti tejet të madh! Domethënë, prapë Deklaratat e tij (të dr. Shefqet Krasniqit) qenkan aq irrituese dhe skandaloze. Vaj medet për ty e për ne çka na paske gjetur, por ende nuk jam duke ditur cilat deklarata, ose se paku, cila deklaratë e doktorit tonë të nderuar na qenka aq “irrituese” dhe skandaloze. Te lutem na trego më se na çmende?!
E lexoj serish artikullin tënd, por as edhe një fakt te vetëm nuk arrij ta gjej për ta mbështetur sado pak pohimin tënd!!!.
Ti thua se: “Që nga perandoria Osmane e deri në ditët e sodit në Kosovë është mësuar dhe kultivuar feja duke u mbështetur në shkollën juridike Hanefi e cila është e pranuar me miliona e miliona myslimanë në mbarë botën, prandaj edhe ne shqiptarët me dëshirë e vazhdojmë këtë shkollë juridike sepse kjo vetëm sa e pasuron dijen tonë se si duhet të respektohet feja Islame, por edhe të tjerët”, – dhe çka është kjo- asgjë hiç. Së pari dua ta rikujtoj se në botë sot ka jo miliona, por afër 2 miliardë muslimanë, e dyta që dua të ta rikujtojë, është se t’i tregosh dr. Shefqet Krasniqit për Shkollën juridike Hanefi, është sikur ta mësosh peshkun të notojë. Urdhëro pra, mësoje peshkun të notojë!
Ti mandej thua: “Por ma së shumti në këtë situatë kanë përfituar njerëz si Sheqet Krasniqi i cili sipas veprimeve të tija është duke i shërbyer një grupi të caktuar njerëzish apo sekti të veçanet dhe kjo është evidente dhe nuk do koment” – Si një njëri që kam mësuar bukur shumë nga ligjëratat e dr. Shefqet Krasniqit, ndihem i obiguar moralisht dhe fetarisht të dëshmoj se dr. Shefqet Krasniqi, kurrë asnjëherë dhe në asnjë rast, nuk ka folur për ndonjë grup të veçantë, nuk ka folur për ndonjë sekt dhe kjo kurrë nuk ka qenë evidente, siç po thoni ju. Ai ka folur çdoherë dhe vazhdon të flas çdo herë për Ummetin Islam, dëshmoj po ashtu atë që kam dëgjuar me qindra herë personalisht nga dr. Shefqet Krasniqi, që të ruhet uniteti i muslimanëve, të ruhet safi i muslimanëve dhe të mos bëhet asnjëherë përçarje në mes të muslimanëve –, prandaj unë betohem se e kam dëgjuar shumë herë duke thënë kështu. Pra, të gjitha pohimet tua janë shpifje të kulluara, dhe analisti nuk guxon të shpifë apo jo?!
Po ashtu, doktori i nderuar, Shefqet Krasniqi, nuk ka ftuar kurrë për Vehabizëm, por ka ftuar në Islam sipas parimeve të mirëfillta – Kur’an dhe Sunnet!
Nësë në një intervistë në gazetën Express, ka sqaruar domethënien e vehabizmit, prej nga ka ardhur ky term, në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se paska ftuar në Vehabizëm ai – prapë është shpifje e kulluar – e them këtë meqë e kam lexuar me vëmendje atë Intervistë!
Edhe për konstatimin tënd në fund të tekstit se hoxha paska harruar se jeton në Evropë, mos u brengos ti aspak, se ai më mirë se ti e di ku jeton, ai madje edhe është duke jetuar këtu në Kosovë dhe nuk ka ikur askund por këtu është, Evropa ndërkaq, po na qorton neve për disa veprime tjera, për korrupsion, për krim të organizuar, për larje parash, për trafikim me qenie njerëzore, etj., por jo asnjëherë pse ne jemi myslimanë, asnjëherë jo. Kështu që në vend se ti dhe patriotët tjerë të merreni me Dr. Shefqet Krasniqin, i cili paraqet vlera të vërteta kombëtare e qytetare, merruni me ata që bëjnë veprimtari kriminale e korruptive, për shkak të të cilëve nuk po arrijmë Evropën!