-0.2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kultura e vdekjes

Më të lexuarat

Ne jemi krijuar për të jetuar, mirëpo jetën tonë e kemi shndërruar në vdekje. Shumica e ligjëratave, e mësimeve dhe e hytbeve flasin për vdekjen dhe e neglizhojnë jetën. Para se të vdesim, ne duhet të jetojmë, para se të shkojmë duhet të ndërtojmë. Para se të largohemi nga jeta duhet të lëmë gjurmë të mira, vepra të mira, moral të mirë, projekt të dobishëm, pasardhës të edukuar, organizatë udhëçelëse, libër të dobishëm e bamirësi të ngjashme si këto.

Vërtet, të jetuarit në rrugën e Allahut të Lartësuar është më madhore sesa vdekja në rrugën e Tij, për faktin se jeta në rrugën e Allahut të Lartësuar është e gjatë dhe e bukur. Në të ka dije, punë, besim, moral, bashkëveprim, dynja dhe ahiret, të drejta dhe obligime. Ndërsa vdekja është momenti i kalimit nga kjo botë për në botën tjetër.

Shumica e ligjëratave na thërrasin në lënien e kësaj bote dhe në dëshpërim, kështu që njerëzit mendojnë në mënyrën e shpëtimit nga kjo botë dhe kanë fituar bindjen se në këtë botë nuk duhet të argëtohet dhe nuk duhet t’i kushtohet vëmendje.
Te shumica është krijuar bindja se nuk është e nevojshme të jetojmë gjatë, porse më mirë është të jetojmë sa më shkurt dhe të kalojmë për në botën tjetër.

Njerëzit e mirë, në krye të tyre i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, e ndërtuan jetën, ngritën civilizimin, ngritën vlerat racionale. A nuk u dërguan ushtritë çliruese që të përhapin drejtësinë, sigurinë dhe besimin në botë? A nuk vazhduan kalifët e drejtë pas tij të ecin në rrugën e ndërtimit dhe përhapjes së kulturës së dashurisë dhe të paqes?

Pas tyre erdhën njerëz të cilët e dëshpëruan dijetarin në dijen e tij, inxhinierin në aparatin e tij, zdrukthëtarin në mjetin e tij, bujkun në fushën e tij, mjekun në bisturinë e tij dhe prej të gjithëve kërkuan të lënë rolin e tyre në jetë dhe t’i veshin qefinët duke u përgatitur për të vdekur. Jo, dhe njëmijë herë jo. Jeta do të jetë më e bukur pa ata të pashpresë, dëshpërues.

Të jetuarit në rrugën e Allahut është një mesazh madhor hyjnor, përmes të cilit njeriu shndërrohet nga zero e pavlerë në një numër të vlefshëm.
Tregtari bëhet i gëzueshëm, i lumtur me tregtinë e tij të begatshme, i cili fiton në mënyrë të lejueshme dhe e shpenzon në të lejuarën. Bujku bëhet i gëzueshëm dhe këndon në fushën e vet, ngase e di se do të shpërblehet nga i Madhi Zot dhe do të falënderohet nga krijesat.
Profesori gëzohet me mirësitë e Allahut për faktin se ai e di se e mëson një brez, edukon një popull dhe i udhëzon zemrat. Ushtari duke mbartur pushkën e vet është i qetë në detyrën e tij që ta mbrojë popullin dhe ta ruajë atdheun.

O ju të dijshëm! Bëjuani të dashur njerëzve të jetuarit në rrugën e Allahut të Lartësuar, në mënyrë që njeriu të kuptojë se në ekzistimin i tij ka domethënie, në krijimin e tij ka urtësi dhe në të jetuarit e tij ka një synim.
Jeta është e stërmbushur me gurë, mos i shpërndaj ato por grumbulloji dhe me to ndërto shkallë përmes së cilëve do të ngjitesh drejt suksesit.
Kësisoj, do ta lëmë një jetë të bukur, një civilizim të begatë ashtu siç na e lanë neve paraardhësit tanë.

Kush mendon se si të vdesë, prodhimi i tij do të ndalet, kreativiteti i tij do të marrë fund dhe dobitë e tij do të vdesin. Ndërsa kush mendon se si të jetojë, ai do të lindë ashtu siç lind dielli, do të shkëlqejë ashtu siç shkëlqen agimi dhe do të sjellë dobi ashtu siç sjell dobi shiu.

Kurani ka bërë thirrje për të dy jetët, për dy etapa të të jetuarit në rrugën e Allahut dhe të vdekurit në rrugën e Allahut të Lartësuar. Allahu thotë: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (Nahl, 97) /Dr. Aid el Karni/klubikulturor/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit