George Sorosin disa e njohin si promotor të tregut të lirë, ndërsa të tjerët e sulmojnë si një zhongler të pamëshirshme të bursave. Ai e sheh veten si një filantrop i cili angazhohet për liri në të gjitha sferat e shoqërisë – si në ekonomi ashtu dhe në politikë. Në Kosovë, si dhe në tërë rajonin e Evropës Juglindore, ai është i njohur si themelues i Fondacionit për Shoqëri të Hapur, që me mjete financiare ndihmon shumë organizata joqeveritare që për synim mëtojnë të kenë krijimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike. Sa i përket burimeve financiare, ky nuk është problem për Sorosin. Revista për ekonomi, “Forbes”, e vlerëson pasurinë e 82-vjeçarit në 14 miliardë dollarë amerikanë.
Paratë nuk i kanë pikur Sorosit. Ai i ka fituar ato përmes afarizmit në bursa. Por, si e bëri këtë?
Le të kthehemi në vitin 1992. Atëherë Bashkimi Evropian kishte vetëm 12 anëtarë, pra ishte një mini-union. Gjermania atëherë ishte ri-bashkuar territorialisht dhe politikisht, gjë që i ka kushtuar shuma të mëdha parash.
Bashkimi gjerman e ndryshoi strukturën e atëhershme politike dhe ekonomike të Evropës, meqë shteti ishte futur në borxhe, e kjo shkaktoi inflacionin. Për ta parandaluar rritjen e mëtejshme të çmimeve, Banka Federale Gjermane (Bundesbank) ka rritur normën bazike të kamatave – shumën e interesit për kreditë që ajo bankë ia jep bankave tjera. Kështu, marka gjermane u bë më e shtrenjtë.
Kjo atëherë ishte e mundur, pasi nuk ishte valuta e përbashkët e euros dhe bankat kombëtare bankat ishin të pavarura në vendimet e tyre. Por, vendet e BE-së ishin megjithatë të lidhura ngushtë në aspektin monetar në kuadrin e Sistemit Evropian të Devizave (EWS). Një element kyç i këtij sistemi ka qenë stabilizimi i shkëmbimit të ndërsjellë të disa valutave, përbrenda një kornize të paracaktuar.
Rritja e normës bazë të forcës valutore gjermane, detyroi edhe vendet tjera të ndërmarrin hapin e njëjtë, në mënyrë që të parandalojë rënin e vlerës së monedhës së tyre nacionale. Në atë kohë funti britanik ishte më i vlefshmi, ndërsa dollari amerikan humbte në vlerë – gjë e cila vetëm se e shtonte presionin ndaj Evropës. Këtë dobësi diti si ta shfrytëzonte George Soros.
Ai ka lindur në vitin 1930, në Hungari. Ndonëse familja e tij ishte çifute, ia doli mbanë të mbijetonte regjimin nazist. Pas luftës, familja u vendos në Britani, ku Sorosi përfundon Shkencat Ekonomike, ndërsa më 1956 largohet për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje atje shkon me 5000 dollarë në xhep. Por, fal aftësive të tij në bursë, shpejtë bëhet një pasanik.
Në vitin 1992 Sorosi vëren se në çfarë presioni të madh gjendet Qeveria britanike, pjesërisht edhe për shkak të gjendjes së keqe të Thesarit të Shtetit – për çka erdhi në përfundimin se Londra ose duhet ta ulë vlerën e funtit, ose të tërhiqet nga EWS. Së bashku me disa investitorë tjerë ai mblodhi një sasi të madhe parash të cilat synonin ta dobësonin valutën britanike. Për këtë qëllim, një sasi të madhe të funteve që kishte nisi t’i këmbente me markat gjermane dhe frangat franceze.
Banka Kombëtare Britanike ka reaguar dhe ka filluar që në sasi të mëdha të blinte funtet, në mënyrë që të stabilizonte kursin e këmbimit. Por, pa sukses. Prandaj, më 16 Shtator 1992, norma bazë e kamatave britanike rritet nga 10 për qind deri në 12 për qind, në mënyrë që të tërhiqte investitorët për të investuar në funte. Për vetëm një orë më vonë interesi u rritë madje në 15 për qind. Por, Sorosi dhe afaristët e tjerë nuk e pranojnë këtë ofertë. Ata presin. Në orën 19:00 të kësaj dite, ministri i financave të Britanisë deklaron se vendi del nga EWS-ja. Kjo ditë në historinë e Britanisë së Madhe ka hyrë si “E mërkura e zezë”. Ndërsa, Soros për një ditë fiton një miliardë dollarë dhe shndërrohet në legjendë.
Deri në pensionimin e tij në vitin e kaluar, si 81 vjeçar, Sorosi ishte gjatë gjithë kohës aktiv në gjetjen e dobësive të shteteve të caktuara dhe afarizmit kundër tyre. Ndërsa, shpejtë u bë edhe një shembull për shumë “nxënës”. Në kohët e krizës financiare dhe të borxheve, ata shpesh janë shpallë fajtorë. Politikanët me dëshirë e drejtojnë gishtin tek ata dhe i cilësojnë si fajtorët kryesor për interesin kamator të cilin shtetet me borxhe duhet ta paguajnë në tregun financiar. Por, këta politikanë harrojnë se afaristët nuk janë shkaktarë të krizave, por që atë krizë e shfrytëzojnë për përfitimet e tyre. Prandaj, është detyrë e politikës që zhonglerëve në bursa, që për një sekondë fitojnë miliarda, t’ua caktojnë disa rregulla të qarta.
Në dy dekadat e fundit është shumëfishuar vëllimi i afarizmit me bursa – me ndihmën e konstrukteve të veçanta financiare është i mundur basti, si në rritje ashtu edhe në rënie të normave të këmbimit të valutave, si te çmimi i lëndëve të para, prodhimeve të ushqimit, apo obligacioneve qeveritare. Njëjtë, si para 20 viteve, as sot nuk ka mekanizma që mund ta ndalojnë këtë. Kështu, mbetet tek shtetet që të vendosin rendin tek llogaria shtetërore, përndryshe në fund do të gëzohen vetëm afaristët apo agjentët e bursave.