0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

KUJT I PENGON XHAMIA E RE NË ULQIN!?

Më të lexuarat

Hajrudin S. Muja

Këshilla e shkrimtarit të madh rus Dostojevskit, se: “njerëzit që i janë nisur një rruge, të mos gjuajnë me gurë çdo qen që leh me ta, se vonohen”, mbetet aktuale edhe në ditët e sotit. Por është po aq aktuale edhe thënia e urtë se “qenit i duhet treguar shkopi”, që kur të ngordhin, ta përdorësh për ti shtyrë drejt një grope, për të mos qelbur vendin. Ne nuk e kemi fjalën për qentë e Dostojevskit, dhe as për qentë e ngordhur të urtësisë popullore, por për ngordhësirat që marrin ende frymë, por janë të pamoral, pretendojnë të jenë intelektualë, por janë injorantë, pretendojnë të jenë të sinqertë, e në të vërtetë janë shpifës, fyes, trilluese e qëllimkqinjë. Këto janë “dietarët analfabetë” të rrjeteve sociale, të konvertuar ose ateistë, disa edhe autorë artikujsh e librash, të cilët me komentet e tyre ‘gërditin’ edhe ushqimin më të mirë në barkun e një njeriu normal!

Si shkak mbase u bë një “copy-paste” e portali Ul-Info.com, kur publikoj më 1 mars 2015, artikullin “Pëparojnë punimet në Medrese, me të edhe xhamia”. Aty thuhej se një delegacjon 48 antarësh të Shoqatës “Iskit” nga Stambolli, ka vizituar punimet e Medresesë së femrave, ku thanë se do të ndërtohet edhe xhamia. Në takimin me kryetarin e komunës, ata i thanë gjithashtu se do të investojnë edhe në projekte të ndryshme, në të mirën e qytetarëve të Ulqinit.

Dhe tani s’do mend se ata që janë ‘alergjik’ ndaj medreseve e xhamive do të hidhen “në luftë” nëpër portale dhe do të komentojnë në mënyrat më të çuditshme, që zor se e pranon një mendje normale. Çfarë nuk lexon njeriu në këto portale: se muslimanët e Ulqinit qenkan pa identitet kombëtarë, se feja kur është e krishterë ka për synim “pasunimin e shpirtit”, vetëm feja muslimane përdoret “për shpërlajren e trurit”! Se duke ndërtuar xhami po na asimilojnë! Se balta, pluhuri e xhamijat na kthyen tokën arbnore në arabi! Se me ndërtimin e xhamive po na flliqin para botës! Se ata që duan xhami, le të shkojnë në Turqi! Tek e fundit në vend të ndërtimit të xhamive, për të qenë tamam “kosher”, ata duhet të vijnë të na mbjellin arat e lëna djerr (prej nesh), kurse hoxhallarët vendas duhet të na i bëjnë shërbimet funerale pa para. Madje të vijnë të na hapin edhe shtëpi për pleq, që babat dhe nënat tona ti përjashtojmë nga bashkimi familjarë, një turp që të parët tanë kurrë nuk e kanë menduar dhe nuk e kanë lejuar. Sigurisht, nuk ja vlen të merresh me të tillë komentues, por të neveritet gjithçka kur mëson se komentuesit e këtillë mund shkruajn edhe libra!!!

Unë personalisht mendoj se hapja e një medreseje, për ndryshim nga shkolla aktuale, do ti jap Ulqinit paku tri të mira: Së pari në dyert e saja nuk do të shitet droga. Së dyti në oborrin e saj nuk do të ketë lokale, ku djemt tanë do të ikin prej orëve të mësimit, për tu ‘sorodhatur’ me ‘motrat’ e veta! Dhe së treti, veç edukimit shkencorë, do të mësojnë edhe Islamin, jo nga komentuesit e portaleve, por drejtë nga burimi Kuranorë: “Kush mbyt një njeri, pa mbytur ai nd­o­një tjetër dhe pa bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (kri­mi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit” [32:5]. Ndërkohë, hapja e një xhamie të re, poashtu do të ketë anët e veta pozitive, pasi një vizitorë sezonal i Ulqinit, që e gjenë qetësinë shpirtërore në të, nuk do të ketë nevojë të shkojë në xhamitë e periferisë, për shkak se në xhamitë e qytetit nuk ka vend për të hyrë.

E kam të vështirë ta kuptoj përse bëhet gjithë kjo zhurmë ‘komentuese’ nëpër portale, kundër kësaj godine të shumëpritur në Ulqin? Nëse një “intelektual’ i vetquajtur vetë nuk shkon brenda, kjo nuk do të thotë se nuk shkon askush! Po imagjinoj, sikur sponzorues i këti institucioni të mos ishte Turqia por Vatikani, a do të kishte kaq shumë reagime e komente boshe!? Jam i sigurtë që nuk do të kishteNuk pati asnjë reagim kur në verën e vitit 2007, në Ulqin u vendos busti i Nënë Terezes, që kishte lindur në Shkup, por që kishte jetuar e kishte vdekur në Kalkutë të Indisë (?!). Pa mohuar meritat e saj, unë ende nuk po kuptoj çfarë meritash pati ajo për Ulqinin!? Askush nuk pyeti pse nuk u shpenzuan ato para për të nderuar ndonjë personalitet të njohur të Ulqinit, ndonjë personalitet detar, politik, fetarë ose bamirës të devotshëm që nuk i kanë munguar.

Çfarë nderimi u bë për Mehmet Gjylin e Haxhi Mehmet Becin, që flijuan jetën dhe pasurinë si aktivistë të denjë të lidhjes së Prizrenit, në luftë kundër aneksimit të Ulqinit nga Mali i Zi? Ku i kanë bustet ato? Veç rapsodisë, a i njeh kush emrat: Hasan Ulqini, Mustafë Broçi, Cano Begu, Daut Pelinku, Halil Beci, Veli Man Bratica etj, që të shtyrë nga atdhetarizmi shkuan për t’u flijuar në betejën e Krricës? Atdhetarët Hafiz Hasan Llunji, Memin Resulbegu, Caf Canka dhe Zyhdi Fici, u pushkatuan (15 dhjetor 1944) te “Laku i Hoxhës” në Braticë dhe të gjithë bashkë i varrosen në një varr, edhe sot pa asnjë shenjë dalluese! As që u muar iniciativa së paku të ç’varrosen prej një varri të përbashkët, për t’i rivarrsur me ceremoni të veçantë?! Për atdhetarët e pushkatuar (4 nëntor 1944): Dom Nikollë Tusha, Hodo Alibegu, e shumë të tjerëve nga Ana e Malit e Kraja, nuk u dihen as varret, a u muar ndonjë iniciativë për gjetjen e tyre? A u dëgjue ndonjë zë intelektuali?

Besimtarët që frekuantojnë xhamitë, edhe këta të vetëquajtur intelektualë, kurrë nuk kanë reaguar pse të krishterët i shpenzojnë paratë duke themeluar, ndërtuar apo renovuar kishat, edhe aty ku nuk jeton asnjë besimtarë! Këta të parët, në asnjë rast, mbrenda hapsirës shqiptare, nuk kanë kërkuar dhe nuk kanë ndërtuar xhami ‘politike’, në vendet ku nuk ka muslimanë, dhe as nuk kanë ngritur simbole islame në vendet publike, siç kanë bërë të krishterët!

Nëse vështrojmë fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, sipas Sami Frashërit, Ulqini mbrenda dhe jashtë mureve të kalasë, mund të kishte rreth 5.000 banorë. Bashkë me fshatrat periferike, kishte 6.000 deri në 8.000 banorë. Në atë kohë, mbrenda dhe jashtë mureve të kalasë, veç tri medreseve funksionale, kishin në përdorim 9 xhami, kurse në fshatrat periferike funksiononin edhe tri xhami të tjera. Prej tyre, Xhaminë e Meterizit, mbreti Nikollë e shëndrroj në “Manastirin e Shën Arkangjelit”. Xhamisë së Mehmet Hanit në Kala nuk i dihet as vendi, kurse xhamia e Sulltan Selimit, gjysëm e shkatrruar është shëndrruar në muze. Nuk u ngrit më as xhamia e shëmbur e Merasë. Të tjerat janë renovuar ose rindërtuar në themelet e vjetra. Thënë ndryshe, sot që Ulqini me fshatrat periferike, numron afërsisht 26.000 banorë, kanë katër xhami funksionale më pak se kur kanë jetuar 8.000 banorë! Ku pra qëndron problemi i ngritjes së një xhamie të re, për 18.000 banorë shtesë!?

Duket shumë qartë se këtu ka gisht vazhdimsia e mjerimit intelektual, e lidhur ngushtas me vendet e tjera të trojeve etnike! Në Prishtinë dhe Tiranë janë ngritur katedralet e mëdha ‘politike’, katolike e ortodokse, por ende u injorohen muslimanëve kërkesat njëzet vjeçare për ndërtimin e një xhamie të madhe. Katedralen katolike të Prishtinës, të gjithë katolikët e Kosovës së bashku nuk do ta mbushnin, ndërsa namazin e xhumasë muslimanët e falin në rrugë, për shkak se nuk i nxënë xhamitë që kanë! Këtu s’ka si shpjegohet ndryshe veç problemit “turk” dhe “problemit” Islam! Problemin “turk” e pamë edhe në raste të tjera, kur ndërtimet nuk kishin të bënin me medrese e me xhami, dhe kur dihej se në ndërtime të tilla ndonjë ulqinak do të kishte mundësi të punësohej. Ndëkohë që problemin Islam e shohim nga lidhja që i bëjnë me “kulturën arabe” ose me “ideologjinë e Isisit”. Kaq e kanë të zhvilluar trurin, sepse gjërat nuk I mësojnë nga burimi por nga artikujt e gazetave dhe nga portalet sociale!

Këta janë një skotë injorantësh, të cilët me çdo kusht synojnë të prishin bashkëjetesen tradicionale të shqiptarëve, kur ndërtimi i kishave dhe i xhamive, nuk është parë si “ves” i keq, por si “virtyt” i mirë. Brendësitë e këtyre mureve, kanë qënë mburojat dhe fortesat pathyeshme për mbrojtjen e rodit arbëresh dhe si të tilla, shqiptarët të çdo besimi duhet t’i nderojnë dhe t’i konsiderojnë si monumente kombëtare. Aty janë ruajtur vlerat njerzore dhe traditat e shqiptartëve përgjatë shekujve. Por ateistët nuk e kuptojnë këtë dhe as që kanë për ta kuptuar deri ta shikojnë veten në pasqyrë!

Para një viti, në rrjetet sociale ishte bërë një organizim për tubimin e kurbanave për vendlindje. Dhe si zakonisht menjëherë filluan ‘kritikat’ e analfabetëve të gatshëm për komente, që tregonin “humanizmin” e tyre, se këto para duhej shpenzuar për sponzorimin e studentëve?! Eshtë e çudtishme se vetëm kur është në pytje diçka që ka lidhje me Islamin, vetëm atëherë tregojnë sa humanist janë, pastaj bien në gjumë!? Zgjohen pastaj prapë vetëm kur ndërtohen medrese e xhami dhe vetëm kur priten kurbane! Po pse këto parazitë, nuk organizojnë vetë diçka të tillë vetëm gjithmonë presin prej të tjerëve?

Kohë më parë, ky tip “Intelektualësh analfabetë”, shkruanin në portale se xhamia duhej të kishte kupolën e bardhë, që të simbolizonte plisin shqiptar, që Ezani duhej të thirrej vetëm në gjuhën shqipe. Që në xhami duhej të shkruheshin citate nga “Kanuni i Lekë Dugagjinit”. Në muret dhe hapsirat e xhamive duhej të vendoseshin apo të gdhendeshin portrete dhe skulptura të intelektualëve dhe patriotëve shqiptarë dhe të gjitha xhamitë duhej të emërtoheshin me emra shqip! Në hydbe e minbere duhej të valonte flamuri kuq e zi, të cilin hoxha duhej ta puthte para se të fillonte lutjet apo predikimet. Mbrenda ose jasht xhamisë, namazi (lutjet) duhej të bëheshin në gjuhën shqipe! Dhe… sipas tyre, këtu do të ishte fillimi i ndryshimeve të mëdha.

Jo, në fakt, këtu do të ishte fillimi i çmendurisë së radhës. Këto “intekeltualë” që e shesin budallakinë e tyre për ‘patriotizëm’, çdo mëngjes vishen me rroba moderne Kineze, e pinë kafen Braziliane me një cigare Amerikane, hanë një byrek me miell serb dhe hyjnë në automjetin gjerman, për të arrijtur në vendin e punës, në një kompani Sllovene. Aty ndezin kompjuterin Tajvanez, dhe fillojnë të kryejnë punën në gjuhën angleze. Pasi kthehen nga puna, pastrojnë duart me sapunin turk, hapin frigoriferin malazez, marrin ushqimin e konzervuar Kroat dhe një gotë uji të gazuar Italian. Rehatohen në qilimin Persian, ndezin televizionin Jug-Korean dhe me kënaqësi ndekin serialet Spanjole. Pastaj, për ta qetësuar dhembjen e kokës, përdorin ilaçet me emërtimet e gjuhës së vdekur latine.

Kjo llojë ‘specie’, kur flet për Islamin, thotë se është “kulturë arabe”! U interesonte namazi dhe ezani në gjuhën shqipe, sepse nuk janë të interesuar të shërojnë sëmundjen e shpirtit. Nuk e kanë çuar kurrë kokën përpjetë, që të vështrojnë qiellin e pashembullt dhe qendrimin e tij pa shtylla, zbukurimin e tij me yje flakëruese. Dhe prandaj ngjajnë me skenën e një cirku, ku palaqot janë angazhuar në rrolin që luajn, e njerëzit habiten pas lëvizjeve të tyre! Duke qëndruar në mashtrimin e vetvetes, paraqisin një llojë “majmuni darvinianë”, që dinë shkrim e lexim, dhe që gënjejnë veten për ditët e bardha të ardhmërisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit