Rreth 5 milionë refugjatë palestinezë të shpërndarë në mbarë botën nga vendet e tyre janë të privuar të kthehen në Kuds, që është ëndrra më e madhe e tyre
KUDS (AA) – TURGUT ALP BOYRAZ / ESHAT FIRAT
Pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të njohur Kudsin si “kryeqytet të Izraelit” dhe deklaratës së Organizatës të Bashkëpunimit Islam (OBI) se “Kudsi Lindor është kryeqyteti i Palestinës” edhe një herë sytë u kthyen drejt këtij qyteti të shenjtë, shkruan Anadolu Agency (AA).
Në të vërtetë, Kudsi që përmban xhaminë Al-Aksa kiblën e parë të muslimanëve dhe vendi ku ka qenë Profeti Muhamed (s.a.s) gjatë udhëtimit të tij të Miraxh-it dhe i cili përmban edhe vendet më të shenjta të vendeve të krishtera dhe hebraike, po përjeton ditë të vështira pasi doli nga sovraniteti osman në vitin 1917.
Izraeli, që pushtoi Kudsin Lindor në vitin 1967, prej më shumë se një gjysëm shekulli po përpiqet ta hebraizojë shumë këtë vend. Qyteti i vjetër i rrethuar nga muret, krahas xhamisë Al-Aksa, Kudsi Lindor është qyteti ku gjenden vendet më të shenjta edhe të krishterëve dhe hebrenjve. Për këtë arsye Kudsi Lindor është zemra e kauzës së Palestinës.
Izraeli me një vendim të marrë në vitin 1980 shpalli Kudsin Lindor dhe Perëndimor së bashku “kryeqytetin e bashkuar të Izraelit”.
Me vendimin e Trumpit SHBA-ja u bë vendi i parë që njohu këtë. Ndërsa në Samitin e OBI-t që u mbajt dje në Stamboll u shpall deklarata se “Kudsi Lindor është kryeqytet i Palestinës” dhe gjithashtu iu bë thirrje gjithë botës që ta njohin atë si kryeqytet të shtetit të Palestinës.
Historia e pushtimit në Kudsin Lindor
Statusi i Kudsit Lindor ishte një nga pengesat më të mëdha që qëndronte përballë zgjidhjes së çështjes palestinezo-izraelite. Në planin e viti 1947 të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të ndarë territoret historike të Palestinës mes hebrenjve dhe arabëve, parashikonte Kudsin me një status të veçantë dhe ky qytet të mbahej nën kontrollin e komunitetit ndërkombëtar.
Dhënia e këtij statusi për Kudsin ishte për shkakun se ai ishte një qytet i shenjtë për të tri fetë abrahamike.
Forcat cioniste pushtuan pjesën perëndimore të Kudsit në luftën e vitit 1948. Pasi e mori nën kontroll edhe Kudsin Lindor në vitin 1967 që ishte i rrethuar me mure nën kontrollin e Jordanisë, Izraeli duke shkelur të drejtën ndërkombëtare shpalli se në qytet ishin të vlefshme ligjet izraelite. Në këtë mënyrë, Izraeli ‘de fakto’ aneksoi Kudsin Lindor.
Parlamenti izraelit me një ligj të miratuar në vitin 1980 e deklaroi Kudsin si “kryeqyetin e bashkuar” të Izraelit bashkë me pjesët perëndimore e lindore të tij. Kështu, aneksimi i Kudsit Lindor u bë zyrtar.
Si përgjigje, Këshilli i Sigurimit të OKB-së (KS-OKB) në vitin 1980 miratoi Rezolutën 478, e cila shfuqizoi deklaratën e Izraelit për shpalljen e Kudsit Lindor kryeqytet duke e aneksuar atë.
Nga ana tjetër, deri të mërkurën e kaluar, kur Trump deklaroi njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit, asnjë vend nuk e njihte Kudsin Lindor apo Perëndimor si kryeqytetin e Izraelit.
SHBA-të me vendimin e Trumpit u bënë vendi i parë që njohin Kudsin si “kryeqytet të Izraelit”. Qeveria e Trumpit, e cila është përballur me reagimet e komunitetit ndërkombëtar, ka injoruar paralajmërimet se ky vendim do ta tërheqë në kaos rajonin dhe do ta bëjë edhe më të pazgjidhshme mosmarrëveshjen izraelito-arabe.
Të gjitha ambasadat e vendeve që njohin Izraelin ndodhen në Tel Aviv. Sipas vendimit të Trumpit, SHBA-të do të zhvendosin ambasadën e tyre nga Tel Avivi në Kuds.
Aneksimi në mënyrë të jashtëligjshme i Kudsit Lindor nga Izraeli në ligjin ndërkombëtar nënkupton shkeljen e parimit se “Forcat pushtuese nuk kanë të drejtë të sundojnë mbi territoret që pushtojnë”.
Kudsin Lindor e shkëputën nga Palestina
Kudsi tashmë është i vetmuar dhe i veçuar si kurrë më parë në histori, sepse afër 3 milionë palestinezë që jetojnë në Bregun Perëndimor nuk mund të hyjnë në Kuds për shkak të murit që Izraeli ka ndërtuar rreth tyre. Gjithashtu, ndalesë për hyrje në Kuds kanë edhe dy milionë palestinezë që jetojnë nën bllokadë në Rripin e Gazës.
Ndërkaq, rreth 5 milionë refugjatë palestinezë të shpërndarë në mbarë botën nga vendet e tyre janë të privuar të kthehen në Kuds, që është ëndrra më e madhe e tyre.
Sot numri i palestinezëve që jetojnë në Kudsin e pushtuar Lindor nga Izraeli është pak më shumë se 300 mijë. Ata përballen me shumë kërcënime dhe sfida, që nga shkatërrimi i shtëpive të tyre e deri në arrestim. Vendimi i Trumpit ka rritur zemërimin dhe zhgënjimin e njerëzve në qytet.
Historia e afërt e Kudsit nga gjuha e të moshuarve
Nëse jetoni pak në qytet, do të dëgjoni vazhdimisht përsëritjen që bëjnë të moshuarit të cilët kujtojnë historinë në vitin 1967, kur Izraeli pushtoi Kudsin Lindor.
“Në kohët e mëparshme, njerëzit nga Gaza sillnin luleshtrydhe për të shitur në Kuds dhe njerëzit nga El Halil sillnin rrush dhe turkmenët portokaj. Kudsi ishte pika e takimit e të gjithë palestinezëve. Kryesisht të premteve mund të vërenit njerëz të ardhur nga mbarë vendi në Portën e Damaskut, e cila është një nga portat kryesore të qytetit të rrethuar me mure. Ndërkohë, tani edhe ata që mund të qëndrojnë këtu distancohen nga të mbledhurit përpara Portës së Damaskut. Madje, edhe dyqanet i ulin qepenët e tyre ende pa u errësuar. Ushtarët pushtues presin në çdo cep me duart në këmbëzën e armës”, thonë ata.
Këto fjali në të vërtetë e shfaqin në mënyrë të qartë situatën në të cilën gjendej Kudsi.
Nuk janë shtetas të asnjë vendi
Pavarësisht aneksimit ‘de fakto’ të Kudsit Lindor nga Izraeli, palestinezët që jetojnë këtu nuk konsiderohen si qytetarë izraelitë dhe nuk gëzojnë përfitimet e shtetësisë. Pak më shumë se 300 mijë palestinezë që jetojnë në Kudsin Lindor kanë një leje qëndrimi të përhershëm në qytet me “Kartën e Identitetit të Kudsit” të dhënë nga autoritetet izraelite.
Palestinezët në fjalë në të njëjtën kohë kanë edhe pasaporta jordaneze, por këto pasaporta nuk kanë as numra të shtetësisë. Për këtë arsye, palestinezët e Kudsit Lindor të cilët nuk konsiderohen plotësisht qytetarë jordanezë, nuk kanë të drejtën të përfitojnë nga shrëbimet për punësim dhe shërbimet shtetërore në Jordani.
Qindra mijëra palestinezë në Kudsin Lindor jetojnë “pa shtet” sikur të mbetur në harresë, meqë nuk kanë as nënshtetësi jordaneze, as izraelite dhe as palestineze.
14 mijë palestinezë të dëbuar nga Kudsi Lindor
Palestinezëve të cilët nuk kanë nënshtetësi izraelite por që kanë leje qëndrimi të përhershëm në qytet me “Kartën e Identitetit të Kudsit” të siguruar nga autoritetet izraelite, gjithashtu mund t’u merren këto të drejta me arsye të ndryshme. Për këtë shkak, mbi 300 mijë palestinezë në Kudsin Lindor jetojnë me frikën e dëbimit në çdo moment nga qyteti i tyre i lindjes.
Palestinezët në Kudsin Lindor duhet të plotësojnë një sërë kërkesash të vendosura nga Izraeli në mënyrë që ata të vazhdojnë të jetojnë këtu. Palestinezëve që jetojnë jashtë Kudsit Lindor për një periudhë të caktuar, në një vend të huaj ose në Bregun Perëndimor, u merret e drejta për t’u kthyer në qytetin e tyre, duke u anuluar lejet e tyre të qëndrimit.
Ndërkaq, palestinezët që nuk lejohen të ndërtojnë shtëpi në Kudsin Lindor teksa në këtë mënyrë janë të detyruar të largohen nga qyteti, nëse përcaktohen se banojnë jashtë Kudsit, janë gjithashtu të penguar të kthehen në qytetin e tyre. Përfshirja e një prej anëtarëve të familjes në sulme, që Izraeli i përshkruan si “terror”, konsiderohet të jetë shkaktar që e gjithë familja të dëbohet nga Kudsi.
Sipas organizatës izraelite B’Tselem për të drejtat e njeriut, mësohet se Izraeli që nga viti 1967 e deri tani i ka anuluar lejet e qëndrimit të 14 mijë palestinezëve dhe i ka dëbuar jashtë Kudsit Lindor.
Përballë kësaj, Izraeli, nga ana tjetër, inkurajon të gjithë hebrenjtë që të vijnë në Izrael, të marrin nënshtetësinë dhe të vendosen për të banuar kudo që duan, duke përfshirë edhe Kudsin Lindor.
Në Kudsin Lindor jetojnë ilegalisht 200 mijë kolonë hebrenj
Qeveria e Izraelit e cila po përpiqet të ndryshojë në favor të habrenjve strukturën e popullsisë në Kudsin Lindor, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar ajo ka ndërtuar 10 vendbanime hebreje.
Në këto vendbanimeve ilegale ku është e ndaluar që të banojnë ato që nuk janë hebrenj, jetojnë më shumë se 200 mijë persona.
Izraeli duke shtuar vazhdimisht ndërtesat këtu përpiqet që të rrit popullatën hebreje në këtë qytet.
Është vendosur të shtohen dhjetëra mijëra shtëpi të reja në vendbanimet hebraike ekzistuese në Kudsin Lindor gjatë vitit të fundit. Për çdo shtëpi të shtuar nga Izraeli në këto vendbanime do të thotë se struktura demografike të ndryshojë për hebrenjtë.
Injorojnë vendimet e OKB-së
Sipas ligjit ndërkombëtar, vendbanimet hebraike të ndërtuara nga Izraeli në Kudsin Lindor të pushtuar dhe Bregun Perëndimor janë të paligjshme. Izraeli, nga ana tjetër, nuk merr parasysh reagimet nga bota dhe vazhdon politikat e tij të okupimit dhe zgjerimit.
Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), me një vendim të marrë më 23 dhjetor 2016 në periudhën e ish-Presidentit të SHBA-ve Barak Obama, kërkoi që Izraeli të ndalojë “menjëherë dhe plotësisht” të gjitha aktivitetet e vendosjes në territoret palestineze nën okupim nga Izraeli. Por, edhe ky vendim i KS-OKB-së nuk bëri që Izraeli të tërhiqej.
Palestinezët pengohen të ndërtojnë shtëpi
Autoritetet izraelite në njërën anë zgjerojnë vendbanimet hebrenje dhe në anën tjetër pengojnë popullsinë arabe të vendosur në qytet të ndërtojnë ndërtesa të reja.
Në qytetin ku është pothuajse e pamundur që një palestinez të marrë leje nga komuna izraelite për të ndërtuar një shtëpi, bëhet e ditur se rreth 20 mijë shtëpi që u përkasin palestinezëve janë nën rrezik të prishjes nga forcat izraelite me arsyetimin se ato janë “pa leje”.
Ekipet e komunës herë pas here shkatërrojnë këto shtëpi ndërsa shpenzimet e shkatërrimit ua ngarkojnë palestinezëve për t’i paguar.