3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kudsi Sherfi nuk mund të jetë kryeqytet vetëm i izraelitëve

Më të lexuarat

(Reagim ndaj një shkrimi të Bardhyl Mahmutit me titull “Jerusalemi kryeqytet i Izraelit, është e drejtë legjitime e popullit hebre” që ishte botuar pak ditë më parë nëpër disa portale shqiptare. Në atë shkrim ku emri im është përmendur disa herë, autori ishte çuditur përse unë Kudsi Sherifin nuk e quaj Jerusalem!)

 

Edhe më parë Bardhyl Mahmuti ka dëshiruar të më kap për gjuhe për debat me te rreth disa temave që me sa shihet, nuk i di sa duhet. Dorën në zemër, ai nuk është i padijshëm. Ai është një penë e mprehtë shqiptare dhe me përvojë në tema politike. Shkrimet e tij rreth ngjarjeve të kombit lexohen gjithandej. Ato shkrime i qëndisë bukur, ka një gjuhë të rrjedhshme dhe është i pasur në fjalë. Është i butë ndaj bashkëmendimtarëve të vetë, por i egër ndaj Islamit, ndaj Turqisë dhe ndaj myslimanëve. Therrë në sy i ka teologët myslimanë shqiptarë dhe i sulmon papërmbajtshëm. Hëpërhë, Kudsi Sherifin dhe Lindjen e Mesme e njeh shumë pak, fatmirësisht jo në përmasa tabullarase. Siç mësojmë nga shkrimet e tij rreth Kudsit, ai çalon në sintetizimin e fakteve rreth një problemi kaq të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në mungesë të dijenisë rreth Kudsit, çështjen e Kudsit në mënyrë të çuditshme e lidhë me shqiptarët dhe Serbinë. Kjo metodë është e njohur tek njerëz të cilët, ose s’kanë brumë të mjaftueshëm për të shtjelluar temën, ose temat i shfrytëzojnë për qëllime të caktuara. Sikur shumë shqiptarëve të tjerë që problemet e mëdha të botës i shikojnë (vetëm) nëpërmes llupës provincialiste të mjegulluar prej ideologjive të çoroditura nacionaliste dhe të lyera fund e krye me të zezë komuniste, edhe ai, duke mos dashur të jetë objektiv ndaj temës, Kudsi Sherifin e trajton si një copëz kartoni që lehtë mund të kapërdihet. Kudsi Sherifin e shpjegon me terme të thata politike, të huazuara nga fjalori i deformuar politik i historisë së Ballkanit. Mbase, është i frymëzuar deri në ngulfatje nga qoshe të mjegulluara të historisë sonë gjithashtu të deformuar skajshmërisht nga të këqijat që na i la komunizmi.

Do t’i mbetesha borxh këtij miku nëse nuk do t’i përgjigjesha kësaj radhe. Sa për t’ia bërë me dije se gabon shumë kur disa herë qëllimisht dhe në mënyrë tendencioze i keqinterpreton dhe i merr nëpër gojë teologët myslimanë shqiptarë, sa për t’i informuar lexuesit se bota nuk shpjegohet vetëm me terme që janë produkt i mendësisë komuniste nga e cila Bardhyli vështirë të lirohet, aq më shumë, për t’i thënë lexuesve se Kudsi Sherifi kurrë nuk mund të jetë kryeqytet vetëm i jahudive. Kudsi i takon besimtarëve të tri feve monoteiste, mbase edhe të tjerëve që jetojnë aty. Andaj, them unë, edhe nëse dhuna në ndonjë kohë mund ta shkatërroj një të mirë, ajo, kurrë dhe në asnjë kohë nuk mund t’ua imponojë njerëzve një të keqe për të mirë. Kudsi Sherifi, Jerusalemi, pra, nuk është çështje aq e vogël sa të jetë problem vetëm politik, por është bërthama e të gjitha ngjarjeve të mëdha që kanë ndodhur, që ndodhin dhe që do të ndodhin në histori. Kudsi është krijues i historisë, është historia vetë. Së këndejmi, Kudsi nuk mund të kuptohet drejt nëse qëllimisht apo nga mosdija lihen mënjanë sidomos mesazhet që dalin nga fjalët hyjnore të Zotit. Mesazhe këto që na kanë mbërrit nëpërmes Librit Hyjnorë të fundit të shpallur nga Zoti, por edhe ato që kishin zbritur para Kur’anit të Madhërishëm.

Nga ky këndvështrim, nëse çështjen e Kudsit dhe çështje të tjera që ndërlidhen me te, si, çështja palestineze, historia osmane, çifutët, kurdët e të krishterët e Lindjes së Mesme, i shikojmë vetëm nën hijen e politikave të tanishme që ndodhin në botë, aq më keq, nën hijen e ngjarjeve të dhimbshme që kanë ndodhur në Ballkan, e sidomos me gjuhën e historisë fatkeqe të kombit shqiptar, ato kurrë nuk mund të kuptohen drejtë e sa duhet. Emocionalja, ideologjitë e ndryshme, komunizmi dhe relativizmi historik janë ato që kanë dëmtuar shumë shqiptarët. E nëse këto që kanë dëmtuar shqiptarinë merren për bazë edhe tek rasti i Kudsit dhe i Lindjes së Mesme, njëjtë do të shtrembërohet edhe shpjegimi i historisë së atjeshme. Sepse, stërpikat komuniste që përlyen realitetin historik të shqiptarëve, sikur që përlyen atë edhe shkrimet e armiqve të tyre, që ende shihen teksa kundërmojnë nëpër faqet e historisë sonë, njëjtë pra do të deformojnë e do ta paraqesin si një karikature edhe realitetin historik të Lindjes së Mesme.

Për fatin e tij të keq e duke i hyrë të vërtetës në hak, dhe, për dallim nga disa të tjerë që janë të hapur e flasin pa brinca në dhëmbë, Bardhyl Mahmuti ndaj meje përdorë një gjuhë deri diku të butë, të fshehur si të gjarprit, por gjithsesi deri në palcë djallëzore. Disa të tjerë janë më të drejtpërdrejtë, janë rrahagjokës dhe kërcënues, janë të paskrupullt e dashakeqë ndaj myslimanëve shqiptar e ndaj teologëve islam të këtij kombi. Mua nuk më pengojë (nuk duhet tu pengojnë as të tjerëve) ata që nuk mendojnë njëjtë si unë, nuk besojnë si unë, apo nuk i përkasin të njëjtës fe e medhheb. Siç nënvizon edhe Kur’ani, unë po mbaj timen e ju mbajeni tuajën. Mirëpo, mua më pengojnë (duhet tu pengojnë edhe të tjerëve) ata që refuzojnë të tjerët që nuk mendoj si ata, nuk besojnë si ata, nuk i takojnë fesë dhe medhhebit të tyre. Ata që me qëllim e pa asnjë argument fajësojnë teologët tanë se kinse po punuakan kundër interesave të shqiptarëve, e kanë bërë modë që sa herë të flasin për kombin, flasin kundër fesë islame. I japin të drejtë vetes të dalin në mbrojtje të kombit dhe ua mohojnë të tjerëve të njëjtën gjë. Këta dashakeqë ndjejnë se këtë gjuhë po e ha pazari, andaj bëjnë yrysh të tregohen tregtarë të zellshëm në shitjen e ideve destruktive në mesin tonë. Gjuha të cilën e përdorin këta njerëz është e formësuar nëpër bungaja të historisë së errët shqiptare, është gjuhë me deformime patologjike. Kjo është gjuha e periudhës komuniste, që vazhdon të jetë gjuha e njerëzve që se duan Islamin të jetë pjesë e traditës sonë kombëtare. Folësit e kësaj gjuhe i donë shqiptarët pa Islam, i donë shqiptarët të zhveshur nga tradita e tyre shekullore.

Shpesh bie në sy fakti se njerëzit të cilët dikur krekoseshin për lidhjet e tyre me komunizmin e për shërbimin që ia bënin atij, sot kanë ndërruar lëkurë dhe flasin me gjuhën kinse të demokracisë. Dikur krenoheshin me të qenit komunistë dhe shanin fenë islame, shanin besimtarët myslimanë, shanin bashkëkombësit e vetë pse ishin myslimanë, shanin vendet ku Islami me shekuj ishte civilizim, dhe, të tillët, sot, me të njëjtën gjuhë por në emër të diçkafit tjetër shajnë gjithçka që është e shenjt islame. Sot ata mbajnë anë kinse kah Perëndimi, por në fakt, ata nuk janë të Perëndimit e as me Perëndimin. Ata as i do Perëndimi e as u beson atyre. Ata janë po të njëjtit, janë komunistët, janë dushmanët e Islamit. E pra, ç’të pritet më shumë nga gojët komuniste, të cilat deri dje ushqeheshin me bukën e Moskës, e sot, po të njëjtit, për shkak se ndryshuan kostelacionet ndërkombëtare, e përdorin të njëjtën kinse si gjuhë e demokracisë. Në fakt e në thelb, kjo nuk është gjuha e demokracisë, nuk është gjuha e njerëzve humanë, është gjuha e komunistëve, është gjuha e pastër komuniste.

I madh e i bogël e di se Bardhyl Mahmuti deri dje ishte një komunist i rryer e sot është një anti-demokrat i përbetuar. Ai në të veten ndoshta arsyetohet pse ishte komunist(!) Mund të thotë sepse Shqipëria ishte komuniste. Por, as ai e as të tjerët kurrë nuk mund t’i fshehin tmerret që i kishte përjetuar populli shqiptar nga komunizmi. Kurrë nuk mund t’i justifikojnë vrasjet e intelektualëve shqiptar që i kishte bërë komunizmi. Komunizmi vrau hoxhallarë patriotë, vrau priftërinj patriotë, persekutoi e vrau intelektualë, të diplomuar nëpër universitete të  Perëndimit. Komunizmi shembi tempujt e fesë dhe i shpalli luftë Perëndimit. E pra, si mund të jenë të mbeturit e kësaj të lige sot njerëz që ia duan të mirën shqiptarisë? Si mund tu besohet njerëzve të cilët deri dje vranë intelegjencinë shqiptare, syrgjynosen penat më të ndritura të kombit dhe shkruan më të keqen e mundshme kundër mendjes së ndritur shqiptare? Si mund të jenë të denjë për respekt njerëzit të cilët shajnë Turqinë ndërsa atje kemi milionat e shqiptarëve? Si mund të jenë të denjë për respekt njerëzit të cilët shajnë lindjen islame ndërsa shqiptarët i përkasin edhe fesë islame? Si mund të justifikohen apo të pranohen për tanët njerëzit të cilët myslimanëve të këtij vendi orë e çast u thonë të ikin në Anadoll e në Arabi vetëm pse e duan Islamin e tyre? Çfarë dallimi ka, pra, mes Serbëve fashistë teksa shqiptarëve të Kosovës u thonin të shporren në Albani, nga soji i këtyre antishqiptarëve sot teksa na thonë të ikim në Turqi e Arabi?

Kush janë këta njerëz që në palcë janë komunistë ndërsa në xhep mbajnë disa fytyra e të na tregohen neve se ata na qenkan gardianët e shqiptarisë, ndërsa besimtarët myslimanë qenkan për Arabi? Si mund të flet kështu një njeri që i thotë vetit intelektual e patriot, që në mënyrën më perfide thotë se teologët myslimanë po u munduakan që shqiptarët t’i largojnë nga rruga për Perëndim e t’i qojë rrugës për në Lindje? A është e logjikshme kjo fjalë? Kush janë këta njerëz për të cilët flet Bardhyl Mahmuti? Si e ka emrin ndonjë teolog që paskësh thënë se ne duam të shkojmë drejt Arabisë e jo drejtë Evropës? Apo, a mund të kuptohet ndryshe kjo marri, kjo metodë e njohur serbe për diskreditimin e myslimanëve të këtij vendi, pos si një metodë e njohur e fashizmit serb që e përdori si justifikim për t’i dënuar dhe vrarë shqiptarët?

Tjetra, Bardhyl Mahmuti në stilin e komunistëve të dikurshëm më kishte “qortuar” mua pse unë nuk i them  Kudsi Sherifit Jerusalem!  Ore zotni! Si ta quaj unë Kudsi Sherifin Jerusalem kur vetë Kur’ani e quan Kuds, pejgamberi jonë e ka quajtur Kudsi Sherif, sikur që, edhe tradita islame e quan Kudsi Sherif. Jerusalemin e quajnë Kudsi Sherif edhe të krishterët e Lindjes së Mesme, e quajnë edhe të krishterët e tjerë që jetojnë nëpër botë. Po çfarë të keqe ka nëse unë Jerusalemin e quaj Kudsi Sherif njëjtë sikur e kishte quajtur Salahudin Ejubi, ky gjeneral mysliman i cili kur hyri në Kuds me ushtrinë e tij nuk vrau asnjë njeri. Ky njeri që i kishte falë të gjithë dhe në ditën e parë u kishte thënë njerëzve të atjeshëm se, nga sot Kudsi është i të gjithëve. Nuk ka ndasi, nuk ka të lartë ndaj njëri tjetrit, nënat tuaja ju kanë lind të lirë dhe të gjithë para meje e para ligjit të barabartë jeni. Të gjithë jeni njerëz të lirë!

Më pastaj, teksa po flasim për Kudsin, për Jerusalemin, ku për çudinë e njerëzve që njohin gjuhën e argumentit shkencorë, por sigurisht jo edhe për çudinë e atyre që janë partizanë të verbër të ideologjive të ndrydhura deri në palcë, Bardhyl Mahmuti me asfarë kriteri shkencorë, aq më pak njerëzor, i përdorë fjalët e ambasadorit palestinez në Beograd se kinse ai paska dalë kundër Kosovës e në krah të Serbisë. Edhe nëse paskësh dalë, po çfarë lidhje ka kjo me Kudsin dhe me temën që po flasim? A nuk është kjo marri?!

Bardhyl Mahmuti duhet ta dijë se përderisa Kudsi ishte nën menaxhimin e myslimanëve për hiç më pak se 1200 vjet, aty jetuan të gjithë në paqe; edhe myslimanët, edhe të krishterët edhe jahuditë. Dhe, nëse kjo është kështu, e që është fakt i pamohueshëm historik, përse atëherë të mos e quaj edhe unë Kudsin Kuds, e jo Jerusalem?

Dhe për fund. Mësimi kur’anorë të cilit i mbesin besnik teologët myslimanë, është po ai mësim kur’anorë që ka për brumë dashurinë për vendin, për atdheun, për paqen dhe për të gjithë njerëzit që janë njerëz të vërtetë. Këta teologë që Bardhyli i merr nëpër gojë, kanë mësuar nga Islami se historia e hebrenjve të cilën e përmend Kur’ani ka një domethënie të thellë sociale, politike dhe kulturore. Kanë mësuar se historia nuk është shkencë për tu manipuluar, por është shkollë që na mëson si ta lexojmë të kaluarën për të nxjerrë mësime për të sotmen dhe të ardhmen. Teologët myslimanë e dinë se historia e hebrenjve në Kur’an pasqyron një mesazh tepër mbresëlënës, se karakteri i ajeteve të Kur’anit që flasin për hebrenjtë kanë domethënie të thellë bashkëjetese dhe kooperimi mes njerëzve. Ne, pra, teologët myslimanë e dimë se ato mësime përmbajnë parimin universal të fesë islame, e ai është, pranimi i tjetrit, jo dëbimi, është respektimi i tjetrit dhe ruajtja e hakut të secilit njeri. Islami neve na ka mësuar se ballafaqimi me të ligën, me tiraninë dhe me politikat e korruptuara ishte thirrja Kur’anit drejtuar hebrenjve që në ditët e para të shfaqjes së tij. Gjithsesi kemi mësuar nga Kur’ani se hebrenjtë të cilët e shihnin veten si popull i zgjedhur, ndërsa të tjerët si shërbëtorë të tyre nuk e pranonin Islamin pikërisht për shkak të kësaj thirrjeje. Nga Kur’ani gjithashtu kemi mësuar se Kudsi ishte kibla e parë e myslimanëve, pastaj u bë Qabeja, për ta lënë Kudsin qytet i të gjithëve.

Dhe për fund të fundit, ti dhe të gjithë të tjerët duhet ta dini se, nëse ka dikush që me krenari mund të mburret, që duhet të mburret me mbrojtjen e hebrenjve, janë pikërisht myslimanët. Myslimanët janë ata që mbrojtën hebrenjtë kur të tjerët i dëbuan dhe i vranë. Arabët myslimanë i morën dhe i trajtuan për të barabartë në shtetin e tyre. Osmanlinjtë myslimanë i pranuan me zemër të hapur në shtetin e tyre atëherë kur Evropa po i vriste pa mëshirë. Myslimanët pra kanë të drejtë të kërkojnë hise dhe të jenë pjesë e barabartë edhe e Kudsi Sherifit. Ndërsa komunistët, që ishin vrasësit e tyre gjithandej, janë të fundit që mund t’i dalin në krah hebrenjve, së këndejmi edhe Kudsi Sherifit. E ndër të fundit të kësaj historie mund të jesh ti, Bardhyl Mahmuti, që i sulmon teologët myslimanë, dhe me hipokrizi del se kinse mbron Kudsi Sherifin. Apo, siç po dëshiron ti ta quash Jerusalem.

Jerusalemi është i të gjithëve. Është Kudsi Sherif i myslimanëve!

Mustafa Bajrami

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit