Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, njëherësh ministër i Drejtësisë, ka shkelur të martën premtimin e dhënë. Ai është kthyer në Qeveri në të dyja postet nga të cilat kishte dhënë dorëheqjen pa u shfuqizuar përfundimisht nenet antimedia. Kuvendi i Kosovës, e ka miratuar javën e kaluar në lexim të parë Kodin Penal për të cilin deputetët kanë mundësi të paraqesin propozime për riformulim e neneve 37, 38 e 39.
Kodi Penal tashmë në mënyrë të rregullt i është nënshtruar plotësim- ndryshimit, ndërkohë që miratimi përfundimtar i tij nuk pritet të bëhet pa u plotësuar me rekomandime e komisioneve të përhershme dhe të komisionit funksional, nëse nuk aplikohet neni 84 i Rregullores së Kuvendit të Kosovës, që është shmangie nga rregullat e parapara.
Por kjo nuk e ka penguar Kuçin që t’i kthehet punës pasi që më 22 qershor kishte ofruar dorëheqjen nga dy postet qeveritare, për ta mbajtur premtimin publik që e kishte dhënë se do të jepte dorëheqjen nëse Kuvendi i Kosovës miraton kodin me nenet 37 dhe 38 për të cilat komuniteti i gazetarëve kishte kërkuar që të hiqeshin për shkak se ato e kufizonin punën e tyre. Mirëpo dorëheqja e tij nuk u nënshkrua nga shefi i tij, shefi i ekzekutivit Hashim Thaçi./koha/kohaislame