1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Ku t’i dërgoj paratë e kamatës?

Më të lexuarat

Pyetja:

Es-selamu alejkum! Unë kam një pyetje lidhur me kamatën e parave në banka. Kam lexuar disa fetva në internet për sa i përket kamatës dhe disa dijetare kanë thënë që nuk lejohet të dërgohen lekët në bankë me kamatë, të tjerë thonë me kusht që të mos e marrësh kamatën si dhe dijetarë të tjerë thonë që ta marrësh kamatën nga banka dhe ta pastrosh duke e shpërndarë për vepra publike si rrugë, banjë etj., pra për infrastrukturën në përgjithësi. Tani unë pyes: A lejohet që kamatën e marrë nga banka ta dërgojmë në arkën e xhamisë sepse vetëm njerëzit e devotshëm, që i frikësohen Allahut mund ta vënë në punë për përfitim publik? Allahu ju shpërbleftë me të mira!

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Është e vërtetë se ekziston mospajtimi mes dijetarëve islamë se a duhet ta marrë muslimani kamatën e cila jepet nga bankat për paratë e depozituara dhe t’i japë diku tjetër apo ato nuk merren fare nga banka. Mirëpo këtu do të bëjmë një sqarim për faktin që ky mospajtim të kuptohet drejt. Fillimisht duhet ta kemi parasysh se besimtari e ka haram ta përdorë fitimin kamatar, pa marrë parasysh se sa i thjeshtë mund të jetë ai përdorim. Prandaj ai duhet të qëndrojë sa më larg atyre parave dhe të mundohet që as për një kohë të shkurtër të mos i mbajë ato në llogarinë e tij.

Porse për shkak të kësaj dispozite nuk duhet të kuptojmë se ato para në thelb janë të ndyta dhe duhet të asgjësohen e të humben. Shembulli i kësaj pasurie është sikurse shembulli i pasurisë së vjedhur. Malli i vjedhur është haram ta përdorë hajduti dhe ai do të japë llogari për shfrytëzimin e padrejtë të tij, derisa në anën tjetër ai mall është hallall ta përdorë pronari. Kësisoj, p.sh. nëse dikush i jep hua 1000 euro tjetrit që pas një viti ato të kthehen 1100 euro, atëherë pas një viti huadhënësi e ka hallall marrjen e shumës së dhënë borxh (1000 e), ndërsa ato 100 eurot konsiderohen kamatë dhe ato janë të ndaluara t’i marrë. Në këtë mënyrë, kërkohet prej huadhënësit që kur të vijë afati i kthimit të borxhit dhe kur huamarrësi i sjell atij 1100 euro, atëherë ai duhet që të marrë vetëm 1000 euro, kurse të tjerat t’ia kthej huamarrësit. Kjo për faktin se ato para në esencë janë të tij dhe atij duhet t`i takojnë, pavarësisht se kush është ai person, a është musliman apo jo.

Konteksti i mësipërm që sqaruam është mbështetja e atyre dijetarëve që janë më rigoroz dhe të cilët ndalojnë të tërhiqen ato para nga bankat. Ato para (fitimi kamatar) është e padrejtë që klienti t’i marrë dhe ato para në esencë janë të bankës dhe duhet të mbesin aty. Mirëpo dihet se nëse ata para i lihen bankës, atëherë ne vetëm shumëfishojmë kapitalin e bankës dhe mundësojmë që ajo të shtrijë sa më shumë fushëveprimin e saj. Për këtë ky veprim është ndihmë bankës në promovimin e mëkatit të kamatës dhe pasurimit me anë të saj, prandaj pothuajse të gjithë dijetarët bashkëkohorë janë të mendimit që ato para duhet të tërhiqen dhe të destinohen në një vend tjetër.

Ndërsa në lidhje me atë se ku mund të harxhohen të hollat e kamatës fukahatë gjithashtu kanë disa mendime, më të njohurat janë:
Mendimi i parë: Në dobitë e përgjithshme të muslimanëve.
Kur themi dobitë e muslimanëve kemi si qëllim ato gjëra prej të cilave përfitojnë muslimanët në përgjithësi dhe jo ndonjë individ, sikurse ndërtimi i hekurudhave, digave, rrugëve, banjave publike, etj.

Mendimi i dytë: Në çdo gjë ku jepet edhe sadakaja vullnetare në përgjithësi.
Kjo është më përfshirëse sesa fjala “dobitë e muslimanëve”, sepse këtu përfshihen dobitë, ndërtimi i xhamive dhe ndihma e fukarenjve (madje edhe individualisht), sepse në të gjitha këto derdhet sadakaja. Ky është mendimi i hanefive , malikive, i imam Ahmedit , i hanbelive dhe i Gazaliut prej shafive .

Disa dijetarë kanë përjashtuar që kjo pasuri të shpenzohet edhe për xhami, sepse ato duhet ndërtuar vetëm me pasuri të pastër; është shumë e njohur te fukahatë meseleja se a lejohet falja e namazit në një vend të uzurpuar. Pra, për adhurimin në përgjithësi, e sidomos për namazin duhet të jemi sa më larg gjërave të dyshimta. Prandaj themi se nëse është mundësia që ato para mos t’i përziejmë me fondin e xhamisë, atëherë do të ishte më mirë. Por duke i pasur parasysh rrethanat e vendeve tona dhe mundësit për t’u liruar nga ato para nuk janë në dispozicion te ne, ashtu si janë në vendet e tjera islame, themi se është e mundshme. Zoti e di më së miri!
Alaudin Abazi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit