5.9 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

Ku është gabuar? Latif Mustafa

Më të lexuarat

Ku është gabuar?

Latif Mustafa

Dilema e subjektit individual dhe kolektiv

Të mendosh rreth pyetjes se ku është gabuar ose çfarë shkoi keq, në një anë nënkupton përvetësimin e një premise botëkuptimore ku subjekti ka devijuar nga një trajektore standarde lineare dhe është zhvendosur në drejtim jo të duhur, jo të pritur mbase edhe fatal; dhe në anën tjetër të ngujon brenda një determinizmi fatalist për mundësinë njëdimensionale të trajektores në fjalë. Kur thua se, diku është gabuar, apriori pranojmë se paraprakisht gjithçka apo shumëçka në tërësinë e saj ka shkuar mirë. Të mendosh rreth asaj se ku është gabuar është një kërkesë për të krijuar një prerje në zhvillimin historik të subjektit. Hamendësimi që lind nga një kërkesë e tillë zhbiruese, e detyron subjektin njëtrajtësisht të vetëvendoset në pikën ku ai krijon një çarje të vijimësisë së qenies. Mbi këtë çarje, bazuar në vullnetin e saj të lirë mendor, ai krijon konceptin kohë duke e ndarë të kaluarën në histori dhe para-histori. Pikëprerja midis historisë dhe para-historisë është mbindërtimi i këtij subjekti që kundron dy momente të rëndësishme, nga koniunktura ontologjike e së sotmes. Një çarje e tillë, për të vendosur gurin mbi të cilin do ta ndërtojë ngrehinën e tij teorike rreth asaj se çfarë shkoi keq, përpos që është projektuese ajo e vë subjektin para një dileme tjetër tepër me rëndësi. Dilema është brenda dy opsionesh. E para, pamundësia për ta konceptuar subjektin si shënjues i një vëzhgimi të soditësit historik dhe e dyta, subjekti si shënues i shumëfishuar dhe mbartës i një universali subjektesh, përfaqësues politik dhe intelektual i subjekteve të tjera. Thënë ndryshe, t’i futesh një trajtese të tillë, ke dilemën midis individuales se çfarë për ty shkoi keq, apo t’u duk keq në gjithë këtë shtegtim dhe kolektives që fshihet tek ti si bindje politike, vullnet intelektual i përfaqësimit dhe filantropi egoiste e konceptimit të problemit.

Dy çarjet dhe etapat e modernitetit të dhunshëm
Në këtë trajtesë, përtej dilemës kognitive dhe pluralitetit në qasje, do të përpiqem që kolektivin shqiptar të Maqedonisë së Veriut ta trajtoj në kontekst të zhvillimit të trajektores historike e cila na shpie drejt një fundi qoftë edhe ciklik, duke u përpjekur që në mënyre krejt unilaterale të bëj një çarje për mbindërtimin pikënisjeje rreth asaj se ku u gabua dhe se çfarë duhet të bëhet.

Shqiptarin e Maqedonisë së Veriut apo që jeton në Maqedoninë e Veriut e karakterizojnë disa tipare të cilat, përtej stereotipizimit, krijojnë një tipologji më unike dhe gjithëpërfshirëse. Identiteti dhe tiparet e tij, kanë të bëjnë me zhvillimin paralel me trajektoren politike të shtetit ku ai jeton. Sado që përpiqem ta shmang historinë, duhet përmendur se çarja politike mund të konsiderohen luftërat Ballkanike gjegjësisht shpallja e pavarësisë së Shqipërisë londineze.

Kurse çarja ontologjike është moderniteti i dhunshëm i cili depërton përmes kolonializmit serb. Kjo fytyrë e dhunshme e modernitetit është ndërtuar dhe mbishtresaur në disa etapa përmes projekteve të ndryshme politike. Ky kolonizim ishte tipik Europian. Fillonte me pushtim ushtarak, shfarosje fizike të popullatës indigjene, plaçkitjen mallit, dëbimin e popullatës dhe krejt në fund, asaj çfarë kishte mbetur i ushtronte një kolonizim epistemik për të shndërruar dhe zhvendosur tërësinë ontologjike të subjektit ndaj të cilit ushtrohej pushtimi kolonial.

Etapa e parë, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë londineze, shqiptarët këndej kufirit përballen me formën më brutale të kolonizimit ushtarak. Trojet shqiptare të mbetura jashtë kufijve të Shqipërisë do të pushtohen nga ushtria Serbo-Malazeze. Burime të rëndësishme historike, të cituara nga historiani Qerim Lita, përmendin se mbi 120 mijë vetë janë dëbuar nga trevat lindore dhe mbi 50 mijë shqiptarë janë torturuar, vrarë dhe eliminuar nga forcat Serbo-Malazeze.

Është e njohur për publikun reportazhi i Leon Trockit e quajtur “unë dëshmitari i masakrave serbe ndaj shqiptarëve në Shkup” reportazh ky i cili përshkruan në detaje soditjen korrespondentit të të gazetës ruse “Kievskaja misl” botuar në dhjetor të vitit 1912. Raportimet e gazetarit danez Zigt Frederiko Man Bones janë po ashtu një pasqyrë tmerruese, trishtuese deri në palcë për vrasjet e kolonëve serb ndaj shqiptarëve të Shkupit dhe Prishtinës. Dukagjini, Shkupi me rrethinë, Kumanova dhe Tetova u pushtuan nga këto forca dhe sipas reformës agrare një anëtari të familjeje shqiptare i lejohej vetëm 0.4 hektarë tokë kurse një familje kolone serbe me 3 anëtarë iu jepej 5 hektarë tokë pjellore.

Përmes reformave agrare u shpronësuan, depolitizuan dhe u shpërngulën jashtë vatrave të tyre. Karshi këtyre politikave kolonizuese, shqiptarët filluan të organizohen politikisht, intelektualisht dhe ushtarakisht për t’i kundërpërgjigjur sistemit. Nexhib bej Draga, e që më vonë do të bëhet deputet i Shkupit në qeverinë serbe, në fund të vitit 1919 themelon lëvizjen politike Xhemijeti – Bashkimi.

Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene në atë kohën njihte vetëm tri etni brenda mbretërisë, dhe etnitë e tjera e kishin të ndaluar të organizoheshin politikisht. Xhemijeti-Bashkimi, vendosi të organizoheshin politikisht brenda matricës së religjionit por me qëllim që të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve. Ajo ndryshe njihej si organizata e myslimanëve të jugut, e cila në vete përfshinte shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së sotme, Malit të Zi dhe Sanxhakut. Kjo organizatë përfshinte territoret etnike shqiptare. Kjo organizatë, në zgjedhjet e para fitoi 13 deputet.

Ata vendosën lidhje bashkëpunimi me Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, selia e së cilës ishte në Shkodër si dhe Lëvizjen Kaçake apo krahun ushtarak të komitetit. Qeveria mbretërore akuzonte Xhemijeti – Bashkimin se ishte krahu politik i Lëvizjes Kaçake. Ata kërkonin me ngulm ruajtjen dhe kthimin e tokave të marra, hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe Ferhat Draga në koordinim me klerikët mysliman të kohës penguan në masë të madhe shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi.

Në zgjedhjet e vitit 1923 kjo lëvizje fitoi 14 deputet. Si pasojë e jehonës së këtyre këtij realizim politik të shqiptarëve në mbretërinë Jugosllave, në vitin 1925, qeveria e Nikolla Pashiqit do të arrestoj figurat kryesore të kësaj organizate. Disa i pushkatuan. Ferhat Draga, tani vëllau i Nexhib Dragës i cili kishte marrë udhëheqjen e lëvizjes, u dënua 101 vjet burgim dhe më vonë dënimi iu reduktua, duke vuajtur 4 vjet burg.

Këto të dhëna mbase mund të duken edhe ngufatësh për një përshkrim kaq të shkurtër por duhet kujtuar se organizimi politik dhe ushtarak i shqiptarëve jashtë Shqipërisë londineze, gjegjësisht, brenda mbretërisë Jugosllave, pa ndihmën më të vogël të ndonjë faktori ndërkombëtar, bazuar thellësisht në traditën e tyre kombëtare arritën të subjektivizohen si kolektiv politik dhe intelektual. Por kjo histori nuk mbaron këtu.

Moderniteti, do të shpalosë një fytyrë tjetër të dhunshme ndaj shqiptarëve, fill pas luftës së dytë botërore.

Etapa e dytë, metodës së kolonizimit ushtarak dhe shfarosjes fizike i theksohet më tepër paralelja e cila në sfond ndjek kolonizimin ushtarak. Kjo paralele quhet kolonizimi epistemik. Ky lloj kolonizimi ka të bëjë me zbarkimin institucional dhe legjislativ të kolonizatorit dhe më pastaj me luftën e paepur ndaj gjithë korpusit dhe kompleksitetit semiotik të popullatës indigjene, korpus ky i cili krijon imazhin kolektiv të traditës, historinë e përbashkët dhe përkatësinë përreth elementit gjuhësor të popullatës së kolonizuar.

Duhet theksuar që, me kolonizimin e tokave shqiptare edukimi në gjuhën shqipe u ndaluar rreptësisht, ku mësimi jepej në gjuhën serbe, si lingua franca e mbretërisë. Gjuhët e etnive jo sllave, nuk gëzonin asnjë lloj statuti juridik. Gjuha shqipe, edhe sot e kësaj dite, vazhdon të jetë temë e debatit publik në kontekst të zyrtarizimit të saj të plotë në republikën e Maqedonisë së Veriut. Me shpërbërjen e mbretërisë Jugosllave dhe me pushtimin e saj nga shtetet e boshtit gjatë luftës së dytë botërore, shtetet shqiptare u ndanë në tri zona. Zona pushtuese bullgare, që përfshiu Maqedoninë e sotme lindore dhe jugperëndimore, e që në vete ngërthente disa qendra shqiptare siç janë; Manastiri, Përlepën, Ohrin, një pjesë të Tetovës e deri në Shkup, por që u shtri edhe në Preshvë, Bujanoc dhe pjesën e Kaçanikut; zona pushtuese italiane përfshinte Maqedoninë Perëndimore, e cila në vete përfshinte qytetin e Tetovës, Gostivarit, Dibrën e deri në Strugë dhe një pjesë të Prespës e që më vonë iu bashkëngjitën prefekturës së Korçës. Zona e tretë, zona gjermane përfshinte Podujevën, Mitrovicën dhe një pjesë të Sanxhakut. Zona italine më 1941 me dekret iu bashkua Shqipërisë.

Në kuadër të kësaj tërësie gjeografike u krijua komisariati për tokat e liruara, qendra e të cilit ishte në Prizren, kryetar i së cilës u zgjodh patrioti i madh shqiptar nga Gjirokastra Fejzi Alizoti. Në vitin 1942 ky komisariat do të kalojë në ministri të tokave të liruara ku për ministër u zgjodh Eqrem bej Vlora. Ky i fundit në bashkëpunim me dy ministrat e arsimit, të njëpasnjëshëm, me Ernest Koliçin dhe Xhevat Korçën do të realizojnë projektin më domethënës historik.

Në prefekturën e Dibrës, Pejës, Prishtinës dhe Prizrenit u dërguan rreth 400 mësues nga Shqipëria londineze për t’u hapur shkollat e para shqipe. Vetëm në territorin e sotëm të Maqedonisë gjegjësisht, në Tetovë, Kërçovë, Dibër, Strugë u hapën rreth 120 shkolla në gjuhën Shqipe. Kjo ishte Rilindja e dytë shqiptare në trojet e pushtuara nga mbretëria Serbo-krato-Sllovene.

Përbri zhvillimit të arsimit shqip u zhvillua edhe administrata, aktivitete të tjera kulturore dhe në përgjithësi një frymë e re shqipe në tokat e liruara. Si vazhdimësi e gjithë kësaj shqiptarët në territorin e Maqedonisë së sotme, do të tentojnë shumë më fuqishëm të bëhen subjekt dhe kolektiv i fuqishëm politik me themelimin e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare – NDSH. Kjo organizatë u themelua më 1945 nga tre patriot shqiptar: Azem Marana, Hasan Bilalli dhe Mahmud Dumani, që të tre nga Shkupi.

Kjo organizatë u themelua për t’i denoncuar dhe kundërpërgjigjur masakrave të brigadave partizane shqiptare dhe atyre jugosllave. Brigadat shqiptare ishin krahu i djathtë i brigadave jugosllave në këto troje. Enver Hoxha, shërbimin më të madh që i bëri Tito-s, ishte vendosja e këtyre brigadave në këto troje në emër të “shqiptarisë” dhe tek më vonë do t’i dorëzoheshin brigadave jugosllave në emër të bashkim-vëllazërimit. Në emër të çarmatimit, filluan arrestimet dhe shqiptarët filluan të ngujohen në kampet e përqendrimit të ngritura nga forcat jugosllave partizane. Tri masakrat më të mëdha që njihen janë: Masakra e Tivarit ku janë persekutuar 3700 shqiptar, masakre e Dubrovnikut ku u ekzekutuan mbi 6200 shqiptarë kufomë e të cilëve u lëshuan në det dhe masakra e Byhorit – krahinë në Mal të Zi afër Rozhajës e cila gjatë LDB-së ishte zonë neutrale nën sundimin Italian – ku u masakruan rreth 3800 shqiptar, shumica gra, pleq dhe fëmijë dhe mbi 15000 u dëbuan me dhunë.

Në programin e NDSH-së, në pesë pika shprehej se të gjitha viset shqiptare që janë të populluara me mbi 60% shqiptarë t’i takojnë Shqipërisë etnike e cila edhe ajo në vete do ishte pro anglo-amerikane. Një pjesë e këtyre veprimtarëve iu bashkëngjitën forcave anglo-amerikane të stacionuara në Greqi, për të rrëzuar pushtetin e Enver Hoxhës dhe më pastaj të çlirojnë tokat që kishin mbetur nën pushtimin Jugosllav. Azem Marana, udhëheqësi i NDSH-së në maj të vitit 1947 në moshën 23 vjeçare do të dënohem me vdekje duke u pushkatuar së bashku me dy shokët e tij, Hysni Rudin dhe Mehmet Bushin.

Etapa e tretë, pas zhbërjes dhe persekutimit të të gjitha tentativave dhe përpjekjeve vazhdimësinë politike dhe historike është periudha ku forcat komuniste Jugosllave pas projektimit socialist të shtetit duke shfrytëzuar metodën e indoktrinimit masiv të edukimit, fillojnë të krijojnë tipologjinë e qytetarit të ri, gjegjësisht, qytetarët e kombeve dhe kombësive në kuadër të Jugosllavisë. Socializmi Jugosllav mbase në dukje do të jetë më liberal, por në esencë ai do të përvetësojë mësimet e iluminizmit dhe socializmin e saj do ta ndërtojë mbi mësimet e Marx-it, duke qenë të ndikuar herë nga marksizmi ortodoks e herë nga ai heterodoks por pa anashkaluar dhe tradhtuar boshtin kulturor sllav të nomenklaturës shtetërore.

Kjo do të vërehet më vonë, kur komunistët jugosllav fillojnë t’i anashkalojnë, zhvleftësojnë dhe t’i pushkatojnë, ngjashëm siç ndodhi me dr. Nexhat Agollin, përfaqësuesin e vetëm shqiptar në qeverinë e parë të Maqedonisë Federale, ku u zgjodh ministër i shëndetësisë më 1945 dhe tek në vitin 1949 e vranë pasi që e kishin shkarkuar nga pozita e ministrit, nën pretekstin se kish dashur të arratiset. Faktet historike janë kaq me bollëk, saqë arrinë të përhumbesh brenda tyre duke humbur edhe pikëvështrimin e përgjithshëm të tablosë. Kolonët Serbo-Malazez, mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, mbretëria Jugosllave, Lidhja e komunistëve Jugosllav dhe Partia Komuniste e Jugosllavisë do të jenë dritëhijet e një trajektoreje historike karakteristikë e së cilës do të jetë “oksidentalizimi” i orientit Ballkanik që tashmë akademia serbe kishte projektuar dhe imponuar si imazh brenda vetes. Kolonizimi i tokave shqiptare do të jetë kryevepra e vetërealizimit modernist të Jugosllavisë dhe dëshmia e saj për përafrinë ideologjike, botëkuptimore dhe qytetërimore me qytetërimin Europian, pjesë e së cilit ishin kombet e mëdha me historitë e tyre koloniale.

Etapa e katërt, e shtrirjes së projektit modernist të Jugosllavisë, kulmon me krijimin brenda ideologjik që fillimisht duket si antitezë e tezës komuniste Jugosllave por që në esencë janë pjesë të së njëjtës trajektore margjinalizuese, kolonizuese dhe shtypëse. Bëhet fjalë për ndikimin e lëvizjeve popullore të ndikuara nga Shqipëria enveriste të cilat ishin antipod i socializmit shqiptar në Krahinën Autonome të Kosovës me qendër në Prishtinë. Në fund të viteve 80-ta fillon të paraqitet një pluralitet ideologjik dhe ushtrimi i fesë në Jugosllavi po merrte ngjyrime më të buta, me ç’rast studentë të Maqedonisë gjatë viteve 80-ta do të merrnin rrugën për të studiuar në botën arabe, paradigmë sociale, politike dhe diskurseve e të cilës ishte socializmi arab.

Diskursi fetar, në kuptimin sociologjik, ndërtohej mbi diskursin socialist, ku umeti mysliman shpjegohet përmes internacionalizmit dhe kominternës arabe, e nuancuar me terme ideologjike edhe të nacionalizmit arab. Koncepte të reja, siç është xhihadi, do të bëhen pjesë e diskursit fetar duke u bazuar në dy burime, gjegjësisht në dy koniunktura të ndryshme gjeoplotike ndërkombëtare. Ideja e parë e xhihadit buronte nga panarabizmi të Xhemal Abdel Naserit dhe Enver Sadatit, dy udhëheqës Egjiptian të cilët në luftë me Izraelin ndikuan në formësimet ideologjike të aparatit shkollor në formësimin e konceptit sekular të xhihadit anti Amerikan. Ideja apo motivi i dytë për një botëkuptim ndryshe të xhihadit do të promovohet nga Arabia Saudite, të grupeve rebele dhe guerile në Afganistan dhe Çeçeni, luftëra këto të cilat ishin kundër ruse.

I gjithë ky diskurs dhe botëkuptim i ri mbi fenë, do të jetë përmbyllja e një etape të modernitetit tek shqiptarët e Maqedonisë, për t’iu hapë rrugë tranzicionit ku akterët më të fuqishëm, gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe rrënimit të regjimeve të vjetra, do të jenë, megjithatë, tentakulat e historisë partiake, politike dhe fetare të eklektizuara me botën post-moderne të pasigurisë dhe post-normalitetit global. Akterët e vjetër ideologjik, me fytyra dhe petk të ri, do të jenë formësuesit e tranzicionit të ri, e që në thelb do të jetë veç në prolongim i të vjetrës me marifete të reja. Titizmi, Enverizmi, Europianizmi dhe Islamizmi do t’iu promovohen si narracione të mëdha të modernitetit përmes mekanizmit të pluralizmit dhe integralizmit. Këto ideologji pikëtakohen në një element të fuqishëm; refuzimin dhe qëndrimin nihilistë ndaj traditës, historisë dhe krijimin e miteve të reja për përmbysjen dhe asgjësimin e të vjetrave. Të gjitha këto ideologji, shkërmoqin kombin si instancë të organizimit shoqërorë dhe patriotizmin si parim të mobilitetit social.

Orientalizimi i dyfishtë i shqiptarëve

Orientalizimi është përpjekje për njohjen e Oksidentit nga vetja e saj. Orientalizmi është një modus operandi i qytetërimit perëndimor i cili përmes akademisë së vet ka krijuar një orient fiktiv dhe të paqenë me qëllim që duke krijuar një raport pushteti, superioriteti dhe sundimi ka krijuar një “tjetër” andej tutje, kundruall tij, e që është e kundërta apo antipodi i tij. Kundruall orientit emocional, prapanik dhe statik i ndaluar në kohë qëndron aksidenti racional, përparimtar dhe dinamik që lëviz në kohë. Por siç pohon edhe Edward Said se lexuesit e orientin në perëndim u zhgënjyen shumë kur shkuan në “orient” dhe nuk e gjetën përshkrimin paraprak për të. Ngjashëm, popullata me shumicë myslimane në Ballkan që janë shqiptarët dhe boshnjakët ishin orienti për kombin e “oksidental” serb.

Përkatësia e të qenit modern dhe europian buronte nga dëshira e tyre në misionin e njeriut të bardh për të kulturuar lindorin përmes kolonizimit ushtarak dhe epistemik. Një orientalizim të tillë, të paktën kronizat e saja konceptuale, i kishte hedhur edhe akademia e shkencave të Shqipërisë enveriste gjatë përpilimit të historiografisë së saj zyrtare, me ç’rast duke krijuar një semantikë negative të mbishtresuar me efekte të fobisë ndaj turkut dhe islamit, kishte pregatitur terrenin e tranzicionit që të vazhdoj tutje këtë mendësi ksenofobie realitetin e së cilës e gjeje pak a shumë tek shqiptarët e Maqedonisë, shqiptarë këta të cilëve iu kishin mbyllur të gjitha dyert pos dyerve të objektit të kultit gjegjësisht xhamisë.

Kjo trashëgimi vazhdon të mbetet edhe sot e kësaj dite, akute. Disa individë të cilët shtiren dhe projektohen të jenë “elitë” kulturore dhe intelektuale e Shqipërisë, por përpos që kanë shtrirje dhe ndikim në mediet e Tiranës, intelektualizmi i tyre len për të dëshiruar; projektojnë shqiptarët e Maqedonisë si orientin brenda vetes, duke bërë kështu një zhvendosje dhe vetëdistancim drejt aksidentit, mendësi kjo e cila është shpjeguar në librin e Maria Todorovës, për “Ballkanin e imagjinuar”.

Shqiptarët të cilët jetojnë në Maqedoni, përpos një vazhdimësie projektuese dhe shtypëse të një pushteti kolonial kulturor dhe epistemik që vazhdon t’i projektojë si lindorë dhe ekzotik në mungesë të inteligjencës së tyre intelektuale dhe politike; një kursim të tillë nuk arrijnë ta bëjnë as shqiptarët vëllezër nga Shqipëria. Madje madje, ata shkojnë kaq larg, saqë bindjen e tyre e ndërtojnë hipotezën se veç përmes/midis maqedonasve ne mund të qytetërimohemi edhe më tepër. Orientalizimi i dyfisht, në njërën anë nga pushteti i cili është trashëgimi e një sistemi kolonial dhe në anën tjetër nga vazhdimësia e prezencës së kallëpeve ideologjike në diskurset bashkëkohore të intelektualëve shqiptar në Shqipëri, krijon një handikap, boshllëk dhe rubikon të patejkalueshëm për shqiptarët në Maqedoni.

Mendësia selektive dhe ardhmëria si projektim i historisë
T’i përgjigjesh pyetjes se çfarë në të vërtetë shkoi keq, përpos që hap dilema të mëdha gjatë vëzhgimit të historisë, qoftë si e kaluar private qoftë si imagjinate dhe memorie fotografike kolektive, më tepër se për të kaluarën ajo kap një perspektivë të interpretimit të së ardhmes, gjegjësisht, se në çfarë drejtimi duhet të shkojmë që tani e tutje për të shmangur devijimin dhe për të zbuluar rrugët alternative të trajektoreve historike. Leximi i historisë të ngërthen brenda determinizmit dhe fatalitetit të njëkohshëm, teleologjik dhe historicist të ardhmërisë. Në fakt duhet të jetë e kundërta.

Veç pas përcaktimit të një qëllimi çarja historike mund të jetë si model për pikënisjen e të sotmes. Nuk duhet rënë në grackën e konceptimit të historisë në modelin e mëkatit zanafillor, ku mëkati i Adamit mbartet nga gjenerata në gjeneratë.

Mëkatet e një gjenerate politike i përkasin, mbesin dhe vdesin me po at gjeneratë politike. Në të njëjtën kohë, tradita dhe historia nuk duhet harruar se janë dy burimet më të rëndësishme të njohjes dhe veprimit njerëzor dhe duke qenë si të tilla kurrë në grackën e arsyetimit të padrejtësive dhe mizorive të pushteteve të kaluara që kanë ndodhur mbi një kolektiv etnik dhe politik, siç janë shqiptarët.

Çdo popull duhet që fillimisht të njohë, t’i ruaj dhe të gëzojë të drejtën e plotë të jetojë si qenie e lirë të bazuar në doket e veta kulturore dhe zakonore me ç’rast këto të drejta kodifikohen dhe bëhen të ligjshme brenda një sistemi juridik dhe politik.

Elitat e ardhshme kulturore, intelektuale dhe politike në vend të përdorimit të një mendësie selektive mbi ngjarjet historike duhet mbindërtuar dhe shtresëzuar me nivele të ndryshme intelektuale, historike dhe semantike kritikën e tyre ndaj thelbit të projektit iluminist të shtetit i cili ngritët mbi terrorin dhe shtypjen e një etnie tjetër më inferiore. Ideja për një shtet të përbashkët midis shqiptarëve dhe maqedonasve modeli i ndërtimit të këtij shteti si garanci për të ushtrimin e lirisë dhe barazisë në një proporcion të drejt, proporcion ky i cili garanton edhe drejtësinë. Në të kundërtën, nëse linçohet, atakohet dhe luftohet vetëm subjekti mbartës i një idesë së shtetit të themeluar mbi terrorin dhe dhunën historike, atëherë nuk do rreshtim së gjykuari për mbartjen e mëkatit të Adamit në histori dhe historicizimin e pafundmë të fenomenit. Kjo mendësi intelektuale ndërtohet veç nëse kthehet në pikën aty ku u shkëput nga tradita dhe shenjtëria e saj dhe më pastaj për të bërë kapërcimin e madh historik.

Intelektuali shqiptar i Maqedonisë së Veriut për t’iu përgjigjur sfidave bashkëkohore politike, ekonomike dhe kulturore duhet që fillimisht të krijojë një filtër kritik ndaj mendësive me nuanca endemike dhe ideologjike të cilat shpijnë në qorrsokak. Ai duhet të kuptojë se ardhmëria gjendet prapa nesh, kurse historia para nesh. Ne ecim në drejtim të ardhmërisë po praptazi. Duke lëvizur mbrapa drejt ardhmërisë me kokë para shohim të qartë veç të kaluarën dhe historinë. Prandaj, historia dhe tradita mbeten dy fenerët të cilët kohë pas kohe, sa herë që kemi kthyer kokën drejtë ardhmërisë, ato do të jenë ndriçuesit më të mirë por ama pa krijuar kategori konceptuale të historisë repetitive dhe ciklike.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit