3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Kthimi në realitet – Alban Gorishti

Më të lexuarat

Nga hoxhë Alban Gorishti

 

Sa here që lexojmë një libër apo shfletojmë një revistë ne vetvetiu futemi në botën të cilën na e përcjell ai shkrim. Shpeshherë mundet të jetë më tërheqëse kjo botë e ideuar dhe herë të tjera mundet të jetë më pak, por një gjë është e sigurt, që pasi kemi lexuar përjetojmë një realitet, i cili na çon larg atij që na bën të angazhohemi në jetet tona të përditshme, në pune, shkollë etj. Me Kuranin është ndryshe pasi ai kur ti e shfleton të fton që të meditosh dhe të fton ta jetosh realitetin tënd dhe jo të shmangesh prej tij.

Personalisht kur në fillim të fesë e kam lexuar Kuranin më është dukur sikur kam qenë duke vrapuar dhe dikush më ka vënë dorën e ngrohtë të tij për të më thënë kujdes, mos nxito se rrezikon, duke më bërë shumë më të ndjeshëm për realitetin që jetoja. Këtë figurë e kam kërkuar shumë edhe tek figura e atij që merr përsipër rolin e “udhëheqësit” dhe këtë rol jam përpjekur ta jetësoj vetë në përditshmërinë time. Dikur kërkoja figura rreth vetes pa të meta, por pastaj njoha realitetin dhe m’u kujtua fjala e poetit.

“Nëse kërkon një mjet pa të meta, atëherë dije, se mundet të mbetesh pa e blerë një të tillë.

Nëse kërkon një grua pa të meta, atëherë dije, se mundet të mbetesh edhe pamartuar.

Nëse kërkon një shok pa të meta, atëherë dije, se mundet të qëndrosh i vetmuar.

Nëse kërkon një banesë pa të meta, atëherë dije, se kjo botë është banesë e përkohshme.

Nëse kërkon një botë pa të meta, atëherë dije, se do ta vuash me tepër qëndrimin në të.

Por nëse kërkon një të Adhuruar pa të meta, atëherë dije se do ta gjesh një të tillë në të vetmin Krijues, që ka krijuar mjetet, gruan, shokun, dynjanë dhe atë në të cilën ti do të kthehesh një ditë, botën tjetër.”

Dije pra, se nëse e meta ndaj dikujt apo diçkaje në syrin tënd sa vjen e zmadhohet, largësia e Krijuesit nga mangësitë është si çështja e zbuluar nga shkenca, ajo e zgjerimit te Universit. Pra si fakti, që sa më tepër zgjerohet Universi, aq më tepër kjo tregon vetëm për madhështinë dhe perfeksionin e këtij Krijuesi. “I lartë është Allahu, Sunduesi i vërtetë, nuk ka zot tjetër pos Tij, Zot i Arshit bujar.” Muminun.

Prandaj duhet të vendosim t’i kthehemi 100% asaj që është perfekte dhe ka zbritur të plotësojë mangësitë tona, Kuranit pra. Dikur isha i apasionuar pas astronomise dhe kisha dëgjuar shkencërisht, se yjet kanë një vend shuarje dhe kur e hasa fillimisht në këto ajete të Kuranit mu bë e qartë, se ky libër që kisha në dorë, i cili kishte të vërteta të tilla shkencore, nuk ishte padyshim fantazi e mendjes njerëzore, por zbritje e Atij që e njeh mirë Universin dhe çka në të, ato ajete janë:

“Betohem në shuarjen (perëndimin) e yjeve.

E ai është betim i madh, sikur ta dini!” Vakia

Dhe me pas kur pashë, se përse betohej Krijuesi ma shtoi akoma më shumë mahnitjen, sepse kuptova që po Zoti betohej për këto krijesa për të treguar vlerën dhe rëndësinë e Kuranit dhe më pas Zoti thotë: “Se me të vërtetë ai është Kuran i Famshëm.” Vakia. Sot për shkak të kohëve që jetojmë duhet të përpiqemi që këtë mesazh të rëndësishëm ta përçojmë edhe tek të tjerët në mënyrë që edhe ata të ndjejnë atë që ndiejmë edhe ne.

Sot koha është bërë më dinamike, por fenomenet janë pothuaj ato të shumë shekujve më parë (pra kur flitet për Shqipërinë). Me këtë kam si qëllim dy gjëra; e para karakteri i Shqiptarit të sotëm, i cili është i ngjashëm me atë të Shqiptarit para një apo dy shekujsh. Këtu doja të risillja një histori të cilën e dëgjova nga një mik, dhe që ka ndodhur në Durrës para shumë vitesh me një nxënës të H. Ali Korçës, i cili ishte i ulur në një kafene me disa nga shokët e tij që ishin të krishterë dhe aty kalon Hafiz Aliu. Ky e përshëndeti këtë personalitet, ndërsa këta i thanë se ç’është kjo prapambetje, deri kur do t’i përshëndesni këta çallmë-mëdhenjtë. E pastaj pak më vonë të njëjtët shqiptarë kur kaloi prifti, jo vetëm e përshëndetën, por edhe u përkulën. Po mirë, i tha ky burri, pse kur kaloi Hafizi më ndaluat edhe ta përshëndetja e tani u kërrusët për atë priftin.

Këtu nuk kam qëllim të sjell në pah konfliktin midis feve, por kam qëllim të tregoj se sa problem e kemi të jetojmë bashkarisht me idetë e gjithsecilit. Dhe mbi të gjitha sesa pak e luftojmë atë pjesë të karakterit, i cili vetvetiu nuk duhet të dalë në pah, porse duhet të përpiqemi ta mposhtim, pasi siç thotë Zoti: “…nefsi (vetja) është shumë nxitës për të keqen, përveç atë që e ka mëshiruar Zoti im.” Jusuf. Dhe e dyta që më vjen ndërmend është fakti, se ne na ka prishur punë gjithmonë historikisht përçarja apo fakti, që ia kemi patur me të hedhur njëri-tjetrit, fakt i cili na ka poshtëruar gjeopolitikisht.

Kjo na kujton një fenomen që ka ndodhur në luftërat midis besimtarëve në kohën e Aliut, ku siç thonë dijetarët kane qenë vite kur daveti dhe thirrja e bekuar Islame, e cila i dha jetë atyre viseve të vdekura nga padrejtësia dhe injoranca, u ndalua tërësisht dhe vetëm pasi u bashkuan muslimanët në atë që u quajt “viti i xhematit” i bashkimit pra, vetëm pas atij viti filluan përsëri muslimanët që të ishin faktor në ato rajone. Thirrja Islame apo ndryshe thirrja për të punuar për mirë, përmirësimi i njerëzve dhe i raporteve që ata kanë me moralin dhe të moralshmen është një nga çështjet më madhore të kësaj feje, çështje me të cilën Zoti na garanton si popull vazhdimësinë në këtë botë dhe na ruan nga e keqja, që mundet ta përfshijë një shoqëri kur shtohet e keqja, dhe për këtë Zoti thotë në Kuran: “E Zoti yt nuk është që të shkatërrojë mizorisht vendet, nëse banorët e tyre janë punëmirë.” Hud 117.

Thirrja Islame e ngjall vendin ashtu si uji tokën dhe kur bëhet krahasimi në Shqipëri, se përse thirrja te kjo e mirë (feja islame) sot duket më e dobët është e ngjashme me çështjen e atij, që nuk e ka parë rrezen e diellit për shumë kohë dhe në kontaktin e parë me të ai shtanget dhe mbetet i verbuar, i duhet pak kohë që ta marrë veten, por kur i mësohet syri, atëherë i bëhet diçka normale dhe atëherë ai fillon t’i dallojë gjërat dhe realitetet, që i sheh syri. Kështu pra ishin njerëzit në Shqipërinë e pas një mbyllje prej 50 vitesh, dhe kur dolën nga ky izolim e kishin shikimin akoma të pamësuar me dritën e diellit, dhe detyrimisht raporti i tyre me fenë kaloi në etapa të shumta tranzitore.

Në një anketim të bërë në Amerike me nxënësit e shkollave kishin konstatuar, se pjesa më e madhe e të anketuarve kishin thënë se ndikoheshin më tepër nga gjestet dhe fjalët (pra shikimi e dëgjimi) i asaj, që tregonte profesori sesa nga përmbajtja e lëndës.

Detyrimisht ndodh kështu, sepse në thelb njeriu është një qenie, ku shqisa e të parit dhe e të dëgjuarit përbëjnë pjesën më të madhe të tij. Prandaj mendoj se muslimani si qenie është e obliguar për të thirrur në mënyrën më të kujdesshme, pa bërë zhurmë për sytë dhe veshët e njerëzve, ashtu që mos të na ndodhë si dikur që njerëzit i fusnim si shigjeta në fe dhe dilnin si shigjeta. Besoj se këtë ka dashur të na tregojë edhe rasti i historisë së Profetit alejhi selam me hauarixhët, kur tha “pasardhësit e tij dalin nga feja si shigjeta”, në mënyrë që pasi ata të kthehen në realitetet e tyre përkatëse mos t’iu duket ajo që ne i tregojmë si “përrallë nga e kaluara”, porse mënyrë dhe model sesi ta jetojë jetën e tij në shoqërinë ku ai jeton, kështu që ai të jetë prej atyre që “Në të djathtë mbante Kuranin, ndërsa në të majtë çelsin e organizimit të jetës.”

Sa shumë kemi nevojë sot për një angazhim të fuqishëm në thirrjen për tek kjo fe hyjnore, sa shumë kanë nevojë njerëzit për dikë, që t’i kujtojë vazhdimisht se e mira ka vetëm një drejtim dhe jo shumë të tillë. Bashkë me Kuranin duhet t’ia shpjegojmë njerëzve, sesi organizohet dhe kuptohet më mirë jeta nëpërmjet këtij libri hyjnor, duke mos i lënë të përpëliten në kuptimet e mbrapshta, që mundet të na ofrojë mendja.

Një pikë tjetër këtu për t’u diskutuar është ajo, se koha e lirë është armiku më i madh i integritetit dhe shoku më i ngushte i dështimit njerëzor. Këto dy gjëra bashkë – koha e lirë dhe dështimi -të çojnë kah gjynahu. Një diçka e cila të ndihmon shumë është mbulimi i kësaj kohe me punë të dobishme, të cilat pastaj të bëhen normë deri sa ti të jesh produktiv për veten tënde, prandaj njëra nga gjërat më të mira që mundet të bësh në kohën tënde të lirë është që të përpiqesh ta shpërndash të mirën dhe mesazhin hyjnor. Nëse e bëjmë këtë me një plan program të caktuar, sikur edhe të lexojmë diçka me nijet, që më pas ta mësojme dikë, ose ta ftojmë për kafe dikë, që ka nevojë për këtë thirrje! Dhe sa shumë janë këta njerëz sot. Kështu ti ke shfrytëzuar kohën tënde, por edhe nuk ia ke lënë kohën tjetrit, që ta shfrytëzojë në dëm të vetes dhe të tjerëve. Kështu është “çështja e besimtarit, si puna e shiut kudo që bie bën dobi.”

Në këtë fushë besoj, se dy janë gjërat që duhet të na preokupojnë, e para formimi i një karakteri të qëndrueshëm personal i atij që merret me këtë davet, pasi Profeti alejhi selam thotë: “Njeriu më i dashur tek Zoti është ai që është më i dobishëm për njerëzit.” Sahihu Xhami.

Dhe e dyta përshtatja e atyre që predikojmë me realitetin, kohën dhe ambientin ku jetojmë, duke mos i marrë frazat ashtu si thuhen dhe t’ia hedhim tjetrit ashtu siç hidhet një plastikë e përdorur, por duke e konsideruar fjalën që themi si mjetin më të fuqishëm që kemi në përdorim. Duke patur parasysh edhe diferencat në kuptim midis njerëzve dhe kulturave. Po sjell një shembull këtu, kur udhëton në vendet arabe fjala “afije” ka disa kuptime në përdorim p.sh., diku i thonë: Zoti të dhëntë shëndet, ndërsa diku tjetër sipas dialektit të atij vendi: Zoti të dhëntë zjarr. Prandaj vëlla kujdes me përdorimin e termave dhe fjalëve pasi mundet të bëhet sprovë për disa.

Isai i kërkoi ndihmëtarëve të vet, që të përcillnin mesazhin hyjnor pas tij duke iu thënë: “Kush është ndihmëtar imi për në rrugën e Allahut?” Saf. Por pas kësaj nuk u përmendi ndonjë shpërblim të veçantë. Ndërsa për atë që i mëson të mirën njerëzve dhe i tregon të drejtën në këtë Umet na tregon Profeti alejhi selam për mirësinë, që kanë këta pishtarë: “Vërtet Allahu dhe engjëjt e tij, por edhe milingona në folenë e vet dhe balena në det luten (bien në salavat) për atë që i mëson të mirën njerëzve.” Sahih Xhami.

Le të bëhemi si thirrësi më i mirë, i cili përmendet në suren Jasin, i cili nuk i sakrifikoi parimet e tij për përfitime të pakta apo për interesa të ngushta, por e thirri popullin e tij me sinqeritet për atë, e ai besoi se ishte më e mira e mundshme, duke mos kursyer as edhe jetën e vet, vetëm e vetëm për të mbizotëruar kjo thirrje e mirësisë. “Dhe prej skajit më të largët të qytetit erdhi një njeri që ngutej e tha: “O populli im, dëgjoni të dërguarit!” Dhe ai vazhdoi me këmbëngulje në këtë rrugë të bekuar duke i shpjeguar popullit të vet, se përse kjo rrugë ishte më e mira: “Unë i kam besuar Zotit tuaj, pra më dëgjoni!” Por përgjigja e popullit të tij ishte si ajo e shumë popujve para tij, por edhe përgjigja e shumë popujve sot: “Ne parandiejmë kob me ju dhe nëse nuk tërhiqeni, ne do t’ju gurëzojmë dhe do të përjetoni ndëshkim të idhët prej nesh”. Por kjo nuk duhet ta ndalojë për të përhapur të mirën një person, i cili beson se shpërblimi i përmirësuesve është xheneti dhe shiko se çfarë shpërblimi i përgatiti Zoti këtij thirrësi të pakursyer. “Atij i është thënë: “Hyr në xhenet!- e ai tha: “Ah, sikur ta dinte populli im, për çka më fali Zoti im dhe më bëri prej të nderuarve!”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit