Shqipëria ka pak figura të historisë së saj që do të duhet të bënte bashkë çdokënd, që çdokush do të duhej ta nderonte dhe ti ndjehej borxhli për jetë. Shumica e këtyre figurave janë ata që e bënë këtë vend të pavarur dhe ata që bënë gjithçka që në këtë tokë të ndërtohet një shtet i shqiptarëve që të jetë i lirë dhe t’u garantoje lirinë atyre.
Një nga këto figura është edhe Mithat Frashëri i cili ishte firmëtar i pavarësisë në Vlorë në 28 nëntor 1912, mori pjesë në kongresin e Manastirit ku vendos alfabeti i gjuhës sonë, luftoi për këtë vend me gjithçka si diplomat, ambasador, politikan, mendimtar por kurrë nuk ngriti pushkë kundër ndonjë shqiptari. Themeloi Ballin Kombëtar për të luftuar fashizmin por e pa veten ai vetë dhe gjithë patriotët e rreshtuar me forcat nacionaliste përballë pushkëve të komunisteve shqiptare. Siç e tha edhe presidenti Xhorxh Bush në vitin 2007 kur përuroi një memorial për viktimat e komunizmit ne Çeki, Europa lindore u pushtua në vitin 1945 nga një ushtri dhe një armik i tmerrshëm si nazizmi. Ajo u pushtua nga komunizmi.
Edhe Shqipëria u pushtua nga komunizmi i cili kreu krime dhe genocid, grabiti prona dhe shkatërroi çdo institucion social dhe kulturor tradicional. Mithat Frashëri ishte mes shumë prej atyre që u vunë nën zjarrin e pushtuesve të rinj, ndoshta shumë më gjakatarë se çdo armik i mëparshëm. Ai iku në mërgim dhe vdiq pak kohë më pas ndoshta i vrarë nga sigurimi i shtetit, një makineri e verbër e përbërë nga njerëz edhe më të verbër dhe katil në shërbim të komunizmit. Për dekada me radhë trupi i këtij patrioti dhe shqiptari të madh u dergj në ShBA. Atdheu i tij nuk gjeti kohë dhe para t’i kthejë eshtrat në tokën për të cilën luftoi.
Sot kur eshtrat e Mithat Frashërit po kthehen në Shqipëri, si pasojë e angazhimit të përkore dhe të admirueshëm të deputetit Agron Shehaj dhe historianit Uran Butka, gjithkush duhet të ndjehej në borxh me këtë Frashërlli të madh dhe duhet të heshtin me nderim ata që ishin në anën e pushtuesve dhe jugosllavëve në vitin 1944, ata që ishin në anën e përndjekësve dhe persekutorëve të firmëtarëve të pavarësisë, ata që hapën kampe përqendrimi për kundërshtarët, ata që shpallen armiq patriotët, ata që vranë priftërinj dhe hoxhallarë, ata që ndoshta vranë edhe Mithat Frasherin, ata vazhdojnë të mendojnë po njësoj, ata ende qarkullojnë akuzat idiote të historiografisë komuniste, ata ende e shohin Mithat Frasherin si armik.
Indoktrinimi ose pesha e krimeve është shpjegimi i vetëm. Pjesa më e madhe e tyre kane patur eshtra të vrarësh në shtëpitë e tyre dhe kjo është një hije e rëndë. Dallimi i tyre me Mithat Frasherin është i thellë. Ai ishte histori bërës ndërsa persekutorët, përndjekësit, sigurimsat, oficerët dhe gjithçkaja dalë prej tyre dhe sillet si ata janë të bërë nga historia, janë të bërë nga komunizmi, përndjekja, krimi./Përballje/
Autor: Fitim Zekthi