Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i ka bërë thirrje Sirisë dhe grupeve rebele që ta pranojnë propozimin për armëpushim gjatë katër ditëve të festës.
I dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe për Sirinë, Lakhdar Brahimi ka propozuar që të dyja palët t’i lejnë anash armët gjatë festës myslimane të Eid al-Adha, e cila fillon të premten.
Në të kaluarën, Këshilli i Sigurimit ka qenë kryesisht i ndarë në çështjen e Sirisë, por përmes një komunikate të miratuar unanimisht, këshilli prej 15 vendeve anëtare u ka bërë thirrje të dyja palëve që të punojnë bashkërisht drej një “ndërprerje të qëndrueshme të dhunës”.
Qeveria siriane ende nuk ka lajmëruar zyrtarisht nëse e ka pranuar planin për armëpushim, ndërsa të paktën një grup rebel e ka refuzuar atë.