Telenovela e shkaktuar nga ligjërata e hoxhës Irfan Salihu vazhdon. Së fundmi Avokati i Popullit dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut i kanë kërkuar Prokurorisë që hoxha të hetohet për shkelje të të drejtave të njeriut. Nuk është hera e parë që në Kosovë kërcënohen klerikë muslimanë me Prokurorinë. Rasti i imam Krasniqit ishte shumë herë më i rëndë për klimën e lirisë së një vendi demokratik. Këto institucione kanë ankesa ndaj Prokurorisë dhe gjykatave se nuk po e bëjnë siç duhet punën e tyre. Interesante është se ndërsa institucionet që janë bërë për të burgosur njerëz heshtin, këto që kanë për mision të mbrojnë qytetarët nga Prokuroria dhe Gjykatat i kërkojnë Prokurorisë të penalizojë një person, i cili, fundja, po ushtron fjalën e lirë, qoftë edhe në mënyrë të gabuar. Me sa duket shoqëria civile në Kosovë nuk e ka kuptuar ende se fjala e lirë presupozon lirinë për të gabuar. Përndryshe, diktaturat censurojnë dhe e dhunojnë lirinë gjithmonë në emër të së drejtës.
Korit të zërave që kërkojnë kryqëzimin e hoxhës nuk mund t’i mungonte as Imer Mushkolaj, i gatshëm, si gjithnjë, të gjejë mundësinë për të evidentuar problemet e bashkësisë muslimane, e kurrë për të evidentuar vlerat e saj, ndonëse thotë se gjithçka e bën në emër të mbrojtjes së Islamit shqiptar dhe mbrojtjes së vlerave të shoqërisë shqiptare në Kosovë. Mushkolaj alarmohet dhe kërkon denoncimin e ashpër ndaj këtyre fenomeneve, të cilët ai i shikon si shkatërrues për shoqërinë shqiptare. Ai kërkon vëmendjen e shoqërisë, shtetit dhe institucioneve të BIK e Shoqërisë Civile ndaj atyre që përhapin ekstremizmin, intolerancën, agresivitetin e dhunën, duke rrezikuar vlerat shoqërore të trashëguara. Në mënyrë të përmbledhur Mushkolaj shprehet kështu në gazetën Express:
Ka kohë që me diskursin e tij publik, të mbushur plot vrer e urrejtje për të gjithë ata që nuk mendojnë e nuk sillen siç thotë ai, hoxha luan rolin e një gardiani, një polici të “moralit shqiptar”. I ka vënë vetes detyrë që të gjithë, ama të gjithë ata që nuk duan të jetojnë sipas normave islamike fundamentaliste, t’i shajë e fyejë me fjalët më të ndyta, më të ulëta e më vulgare që mund të dalin nga goja e një njeriu.
Para më shumë se një viti, po në këtë gazetë, pata shkruar për gjuhën e këtij hoxhe, i cili i quante “pise” të gjitha femrat që nuk vishen sipas rregullave islame dhe “rrospi” të tjera që zgjedhin të jetojnë sipas vullnetit të tyre…
Përveç ndaj femrave, ligjëratat e hoxhës janë plot vrer e mllef edhe ndaj meshkujve. Ndaj të gjithë atyre të rinjve që shpojnë veshët, bëjnë tatuazhe, kujdesen për trupin e vet, e të cilët hoxha i quan “kafshë”, “hajvanë”, “magarë”, “Millorad”. Ndaj rinisë së “çoroditur” që humb kohë në “telefona të mençur”…
Por, ligjëratat e hoxhës duken pakgjë, kur krahasohen me veprime të dhunshme të radikalëve islamikë, që pretendojnë të na tregojnë se cili është islami i vërtetë.
Ata kanë rrahur hoxhallarë që nuk e pranojnë mënyrën e tyre të praktikimit të fesë, ndërkaq në ligjëratat e veta bëjnë thirrje për luftë ndaj “të pafeve”. Vazhdojnë t’i luftojnë të gjithë ata që mendojnë ndryshe dhe që nuk e pranojnë “kodin” e tyre të të jetuarit. Nuk japin mesazhe paqeje e tolerance, por bëjnë propagandë denigruese. Duan që Kosovën ta largojnë nga praktikimi i islamit tradicional dhe të sjellin një frymë dhe mënyrë jetese që s’është parë ndonjëherë këndejpari.
Ata kanë sulmuar njerëz në aktivitete publike, kanë sulmuar imamë që kanë këmbëngulur të ruhen dhe kultivohen vlerat fetare, të cilat janë trashëguar nga të parët. Dhe, gjithçka e kanë bërë me mbështetjen e heshtur të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Rastet e dhunës, bashkë me diskursin radikal (që në gojën e ndonjë hoxhe mund të duket cinik e qesharak për ata që e dëgjojnë, por është shumë tragjik), duhet të jenë alarm për të gjithë – për shoqërinë e institucionet, se sa të rrezikshëm mund të jenë ata që nuk zgjedhin mjete e as mënyra për t’i arritur qëllimet e tyre.
Të pretendosh se po bën punën e një gardiani të moralit, duke propaganduar urrejtjen ndaj të tjerëve që nuk mendojnë si ti, është e pamoralshme dhe s’ka lidhje me fe. Është e rrezikshme.
E-zani i Naltë ka dënuar në reagime të mëparshme gjuhën e përdorur prej hoxhës… Por duhet t’i kujtojmë z. Mushkolaj se Islami është një fe universale dhe vlerat e tij janë një pasuri për mbarë popujt dhe kombet. Për këtë arsye nese qëllimi pse duhet dënuar diskursi i përdorur prej hoxhe Salihut nuk është pse ai nuk do përkon me Islamin specifikisht shqiptar, por sepse ai nuk përkon me Islamin në tërësi. Etnizimi i problemit dhe shndërrimi i tij në kusht për legjitimitetin e një ligjërimi na bën edhe ne gjithashtu po aq përjashtues, imponues e arbitrarë. Të akuzosh një njeri dhe të bësh thirrje për linçim publik ndaj tij, vetëm pse parimet fetare që ai mbron nuk përkojnë me atë që ti e konsideron si tradicionale, është autoritarizëm, që rrjedh nga një mendësi totalitare. Në këtë mënyrë nuk je duke bërë gjë tjetër vetëm se duke iu imponuar përdhunshëm të tjerëve, gjë që tregon se je edhe vetë ekstremist dhe intolerant.
Në këtë mënyrë, arsyeja për të cilën Mushkolaj denoncon Salihun për gardian e polic të moralit, tregon se është vetë Mushkolaj që po synon të kthehet në gardian e polic të asaj që ai, në mënyrë arbitrare, e përcakton si “Islam shqiptar”. Kjo nuk mund të jetë kurrësesi mënyra sesi mendon dhe vepron inteligjenca në një shoqëri që pretendon se mbron vullnetin e lirë të njeriut. Eshte e pranueshme që një hoxhë periferik të bëjë “gafa” të tilla, por është alarmuese kur të tillë mendësi e shfaqin autorë aktivë e të mirënjohur të shtypit dhe opinionbërjes. Kjo është vërtetë për t’u shqetësuar, e jo “gafa” e hoxhës së kryqëzuar tashmë prej të gjithëve.
Deri në momentin kur z. Mushkolaj pretendon se ka marrë përsipër të denoncojë diskursin e hoxhës për shkak të urrejtjes që ai përcjell, gjithçka është e pranueshme, por kur parashtron arsyet pse duhet dënuar imami, kjo e bën edhe denoncuesin po aq të papranueshëm sa i denoncuari. Motivi pse, sipas tij, u dashka denoncuar e linçuar imami, për shkak se po na prish Islamin shqiptar, bën që tashmë imami të ketë të drejtë, sepse askush nuk ka tagrin t’i imponojë imamit të predikojë Islamin që do ai. Bindjen fetare nuk e imponon dot as z. Mushkolaj, e as vetë shteti. Nuk ka askush prej tyre të drjetën të na definojë se çfarë është Islam shqiptar e çfarë jo, e aq më pak kanë të drejtë t’i imponojnë ndokujt për të zgjedhur Islam turk, arab, grek, amerikan, indian apo edhe kinez. Këto janë çështje të zgjedhjes së lirë të individit. Kjo është gjithashtu një gjuhë ekstremizmi dhe urrejtjeje dhe duhet dënuar më fort se gjuha e hoxhës.
Nëse z. Mushkolaj do të ishte i interesuar për klimën e tolerancës dhe bashkëjetesës mes shqiptarëve, nuk do të duhej të priste me pasion çdo rast teprimi nga pjesëtarë individualë të një feje për t’i bërë objekt sulmesh e denoncimesh, por duhet të zhvillojë një gjuhë që vërtetë fton në dialog e mirëkuptim. Gjuha e ashpër, gjuha e linçimit publik ndaj një njeriu, ka prodhuar efekt të kundërt, duke i hedhur shumë njerëz, që jo domosdoshmërisht mbrojnë pikëpamjet e imam Salihut, në krah të tij, pikërisht duke ndjerë se gjuha që e akuzon atë ngrihet mbi përfytyrime totalitare e antifetare shumë të rrezikshme për Kosovën e shqiptarët në përgjithësi. Kjo do të thotë se vetë diskursi i z. Mushkolaj dhe të tjerëve si ai nuk i shërben aspak një gjuhe mirkuptimi midis grupesh të ndryshme sociale, por, përkundrazi, i fryn polarizimit të shoqërisë, duke i dhënë pozita heroi një njeriu deri tani të pa njohur në shumë rrethe muslimanësh, ndërkohë që krijon urrejtje tek të tjerët ndaj të gjithë pasuesve të hoxhës dhe fesë së tij.
Mbi të gjitha, interesante është këtu të konstatojmë se sot ruajtja e traditave u kërkohet vetëm muslimanëve. Teksa shoqëria shqiptare po huazon modernitetin e globalizmin deri në palcë, intelektualë të tillë kujtohen për të ruajtur të traditat vetëm kur bëhet fjalë për Islamin. Autorë që i mbushin sot shkrimet e tyre me fjalë të huaja, në një kohë kur anglishtja po e masakron shqipen në të folurin e përditshëm, shqetësohen me të madhe përse muslimanët e thërrasin ezanin arabisht (gjë kjo universale në të gjithë botën). Ndjehemi të kënaqur që muslimanët shqiptarë të kenë këtë rol e mision, të mbrojnë traditat dhe trashëgiminë shqiptare, dhe do të ishte në nderin tonë të ishim ne flamurtarë të një procesi të tillë. Por nuk mund të pranojmë që këtë mision të na e vendosin me detyrim, e për më tepër ky detyrim të jetë ekskluzivisht vetëm për ne, ndërsa të tjerët, vetë ata që na e kërkojnë, e kanë hedhur atë pas krahëve./ezani
*Qëndrimet e paraqitura janë vetëm refleksione të “autorit” të apostrofuar dhe të redaksisë e-Zani.