2.8 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Kryetarja e re e Kushtetueses, hetohet për dy vepra penale

Më të lexuarat

Kryetarja e posazgjedhur e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama – Hajrizi, po hetohet nga Prokuroria Speciale për dy vepra penale: shpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.
 
Rama – Hajrizi është zgjedhur të enjten kryetare e Gjykatës me vota të gjyqtarëve për një mandat trevjeçar. Mirëpo, kundër saj është duke u zhvilluar një procedurë hetimore penale për falsifikim, pas denoncimit që asaj dhe kryetarit të deritashëm, Enver Hasani, iu ka bërë Avokati i Popullit, Sami Kurteshi.
 
Gjykata Kushtetuese kishte hedhur poshtë një lëndë që kishte të bënte me mandatin e tre gjyqtarëve ndërkombëtarë. Në vendim kishte futur edhe emrin e gjyqtarit Robert Carolan. Mirëpo, ky gjyqtar kishte përjashtuar vetën nga vendosja për shkak të konfliktit të interesit, sepse kishte të bënte me mandatin e tij dhe të dy kolegëve të tij ndërkombëtarë. Mandatin atyre ua kishte vazhduar presidentja Atifete Jahjaga.
 
“Koha Ditore” ka raportuar sot se kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, nuk i është përgjigjur të mërkurën ftesës së Gjykatës Themelore të Prishtinës në seancën hetimore. Është thirrur në imunitetin funksional që ia garanton Kushtetuta nga ndjekja penale për vendimet si kryetar dhe gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye, procesi hetimor kundër tij për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe falsifikimit të dokumentit zyrtar është pezulluar për një afat të pacaktuar. Për t’i hapur rrugë procesit hetimor, imunitetin duhet t’ia heqë presidentja Atifete Jahjaga. Por, kërkesën duhet ta bëjë vetë Gjykata Kushtetuese. Kësisoj, ndjekja penale e Hasanit është në dorën e institucionit që drejton ai.
 
Si pasojë e pezullimit të hetimeve dëshminë nuk e ka dhënë gjyqtari amerikan në Gjykatën Kushtetuese, Robert Carolan. Carolan është dashur të merret në pyetje para një trupi gjykues në një proces hetimor të veçantë për shkak se ekziston mundësia që të mos mund të dëshmojë në një proces të mundshëm gjyqësor. Ai është dëshmitari kyç kundër Hasanit dhe gjyqtares Arta Rama Hajrizi që dyshohen për vepra penale./Koha
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit