8.5 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Kryetari i Vitisë Rrezikon të Dënohet me 8 Vjet

Më të lexuarat

Edhe Vitia kërcënohet nga zgjedhjet e parakohshme. Kryetari i saj akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare duke de-rajonalizuar para tri vitesh ndërmarrjen publike KRM “Higjiena” dhe duke krijuar ndërmarrjen NP “Universal” kundër sugjerimeve të nivelit qendror. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj të fundit dyshohet edhe se ka mbledhur taksën pensionale ndaj punëtorëve, por e ka shmangur atë. Të hollat policia i gjeti në një xhirollogari bankare.

Gjykata e Qarkut në Gjilan, me 21 maj të këtij viti kishte ftuar në seancë si të pandehur kryetarin e komunës së Viti-së, Nexhmedin Arifin.

Arifi së bashku me Kabil Hajdarin akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit, thuhet në aktakuzën e konfirmuar që e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë. Hajdari, pos për shpërdorim të pozitës zyrtare, akuzohet edhe për shmangie nga tatimi dhe mashtrim në detyrë.

Kryetari i komunës së Viti-së rrezikon të dënohet deri 8 vite burgim. I bashkëpandehuri Hajdari rrezikon që, përveç për veprën e shpërdorimit e dënueshme me 8 vite burg, të dënohet edhe për dy veprat të tjera – për shmangie nga tatimi deri në pesë vite burg e për mashtrim në detyrë deri në dhjetë vite burg.

Prokuroria e Qarkut në Gjilan, pas bastisjes në lokacionet kompanisë “Universal”, si rezultat i informatave të marra nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) lidhur me mos-pagimin e tatimit dhe hetimeve të bëra në komunën e Vitisë më datën 30 dhjetor 2011, ngritë aktakuzë për kryetarin e Komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifin dhe drejtorin e kompanisë “Universal” Kabil Hajdarin.

Në aktakuzën e prokurorit Shaban Spahiu thuhet se kryetari i komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifi, që nga data 22 gusht 2008 ka vepruar në kundërshtim me ligjin për ndërmarrjet publike. Kryetari Arifi asokohe kishte marrë vendim për ekzekutimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Viti-së që kishte të bënte me de-rajonalizimin e KRM “Higjiena”, njësia punuese në Viti. Me këtë vendim ishte formuar kompania NP “Universal” me seli në Viti.

Aktakuza thotë se në këtë kohë Ministria e Administratës dhe e Pushtetit Lokal, përmes një shkrese i ishte drejtuar kryetarit të Komunës që ta rishqyrtonte dhe shfuqizonte vendimin e Kuvendit Komunal për de-rajonalizimin e KRM “Higjiena”.

Ministria përmes shkresës i kishte kërkuar kryetarit Arifi që të respektonte edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës, numër 10/39, me të cilin ishte përcaktuar struktura pronësore për ndërmarrjet publike thuhet më tutje në aktakuzë.

Përmes këtij vendimi Qeveria kishte trajtuar KRM “Higjienën” si ndërmarrje aksionare me tri njësi, ashtu që komuna e Gjilanit do të kishte 72.4 për qind të aksioneve, Kamenica 13.5 për qind të aksioneve ndërsa Vitia do t’i kishte për qind të aksioneve.

Përkundër këtij vendimi, në aktakuzë thuhet se kryetari Arifi ka lejuar që kompania “Universal” të veprojë për tri vjet si e palicencuar duke i mundësuar ushtruesit të detyrës së kësaj kompanie, të pandehurit tjetër Kabil Hajdari, t’i keqpërdor mjetet publike të kompanisë.

Me këto veprime kryetari Arifi i shkakton një dëm material buxhetit të Kosovës në shumën prej 79 mijë e 815.29 euro.

Për këtë shumë të keqpërdorur, prokurori Spahiu, e akuzon Kabil Hajdarin se si ushtrues detyre i drejtorit të NP “Universal” nga gushti i 2008 deri në majin e vitit 2011 e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës. I njëjti sipas raportit të Administratës Tatimore të Kosovës i është shmangur tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSh-së) në shumën prej 79 mijë e 815.29 euro.

Ushtruesi i detyrës në NP “Universal” pos që i është shmangur tatimit dhe e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës, sipas aktakuzës, ka dëmtuar edhe kontributet e punëtorëve.

Kabil Hajdari nga marsi i 2009-së e deri në janar të 2011-së, mjetet të destinuara për kontributin në Trustit Pensional të Kosovës për punëtorët e ndërmarrjes “Universal”, edhe pse i kishte mbledhur nga 10 punëtorët e tij, nuk i kishte paguar.

I pandehuri Hajdari, sipas aktakuzës së Prokurorisë së Qarkut në Gjilan, mjetet në shumën prej 16 mijë euro kishte urdhëruar që të deponohen në një xhirollogari tjetër në një nga bankat e vendit.

Gjatë hetimeve, policia kishte marrë në pyetje kryetarin Arifi. Ai në deklaratën e tij e pranon faktin se në gushtin e 2008-së kishte marrë vendim që të bënte de-rajonalizimin e KRM “Higjiena” dhe formimi i kompanisë NP “Universal”. Arifi i kishte thënë policisë se vendimin e ka të bazuar në ligjin mbi qeverisjen lokale dhe gjithë këtë e ka bërë për interesin të qytetarëve që ata të kenë shërbime më të mira.

Kur policia e kishte pyetur kryetarin Arifi për shkresën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, e cila kishte rekomanduar shfuqizimin dhe shqyrtimin e vendimit të tij, kryetari Arifaj ishte përgjigjur se ai ka qenë në dijeni për këtë shkresë por se atë e kishte referuar atë shkresë tek shefi i administratës. Kryetari Arifaj, edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës, lidhur me ndërmarrjet publike dhe aksionet e tyre, përgjigjet njëjtë.

I pandehuri tjetër, Kabil Hajdari, në deklaratën e dhënë para policëve hetues, ka mohuar t’i ketë kryer veprat me të cilat tanimë ngarkohet nga prokuroria dhe janë konfirmuar nga gjykata.

Ai para policëve kishte treguar se si ushtrues detyre i drejtorit të NP “Universal”, kompani e formuar nga Komuna e Vitisë, e ka ditur që kompania nuk është e licencuar, por mohon të ketë ditur për vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me ndërmarrjet publike.

Policia ishte e interesuar të dinte edhe pse ai nuk i kishte paguar kontributet e punëtorëve në Trustin Pensional, derisa punëtorëve iu ishin ndalur ato para nga rroga.

Kabil Hajdari para policisë e kishte pranuar se nuk i ka paguar kontributet dhe nuk i ka deklaruar të hyrat e qarkullimit të realizuara gjatë viteve. Ai tha se aktivitetin e kompanisë nuk e ka deklaruar pasi që ATK-ja nuk i kishte mundësuar atyre si kompani një numër të biznesit. E mungesën e numrit nga ATK-ja e arsyeton edhe mos pagesën e kontributit.

Policia nuk e kishte lënë me kaq. Gjatë hetimeve ka dëgjuar dëshmitë e 10 të punëtorëve të kompanisë NP “Universal”, të cilët ishin dëmtuar me veprimet e të pandehurit Hajdari.

Të gjithë dëshmitarët në polici kishin përshkruar se si ud.drejtori i “Universal-it”, Hajdari, kishte vepruar në mënyrë inkriminuese. Secili nga dëshmitarët kishte deklaruar se ishin ndarë mjetet nga rroga për kontributin pensional dhe se kontributi pensional i tyre ishte i paraparë edhe në listat e rrogave.

Gjatë muajit të ardhshëm, kryetari i Vitisë, Nexhmedin Arifi dhe i pandehuri tjetër Kabil Hajdari, pritet të dalin para trupit gjykues që të gjykohen veprat penale.

Komuna e Vitisë, nëse kryetari dënohet mbi gjashtë muaj burg, do të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe do të jenë zgjedhjet e treta në Kosovë që do të mbahen për shkak se një kryetar i Komunës ka aktakuzë nga prokuroria.

E këtë fat mund ta pret edhe komunën e Drenasit, edhe kryetari i kësaj komune, Nexhat Demaku, është në gjykim në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dhe rrezikon dënimin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit