Kryetari i Listës serbe, Slavko Simic, tha se është koha e fundit që Prishtina të përmbushë detyrimet e marra përsipër nga marrëveshja në Bruksel.
Siç tha ai, BE-ja duhet t’u thotë në mënyrë të qartë liderëve politikë shqiptarë në Kosovë se nuk ka arsyetime dhe kohë për vonimin e formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe (BKS).
“Institucionet dhe bartësit e funksioneve politike në Kosovë në fund duhet të mbajnë përgjegjësi për prolongim dhe pengesa politike që vazhdimisht i imponojnë, me mbështetjen e partive politike opozitare, që të margjinalizojnë dialogun e Brukselit”, tha Simic për agjencinë e lajmeve Beta.
Sipas tij, duhet të largohen qëllimet e këqia dhe BE, si ndërmjetësuese në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, duhet të reagojë.
“Nuk ka më kohë. Ne duam bashkëpunim të hapur dhe të sinqertë përmes punës së përbashkët dhe miratimit të dekretit në formimin e BKS dhe respektimit të asaj që është nënshkruar në Bruksel. Poashtu respektimin e asaj që është nënshkruar në Prishtinë me partnerët koalicionit gjatë formimit të Qeverisë së Kosovës,” tha udhëheqësi i Listës serbe.
Ai shtoi se Qeveria e Kosovës është formuar me marrëveshjen e koalicionit, e cili parashikon krijimin e BKS, që është dashur moti të jetë e përfunduar.
Simic ka thënë se është një ide e mire e Beogradit që të presë deri në Sretenja (dita e shtetit të Serbisë) në mënyrë që pala serbe të bindet nëse ka vullnet dhe se ka përfaqësues të vendosur dhe të përgjegjshëm politikë shqiptarë të cilët do të bëjnë thirrje në mënyrë të qartë për serbët dhe të thonë: “Sot po fillojmë me themelimin e BKS”.
Sipas tij, nëse “vërtetohen parandjenjat” se nuk ka vullnet politik dhe institucional për t’u ndërmarrë hapi në këtë drejtim, përfaqësuesit politikë serbë do të kërkojnë mbështetje institucionale dhe politike.
“Në koordinim me Qeverinë tonë, kryeministrin Aleksandar Vucic dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën e Metohinë Marko Djuric, ne do të marrim të gjitha masat politike, kur bëhet fjalë për procesin që është baza e Marrëveshjes së Brukselit për komunitetin serb, të bëjmë atë që është dashur moti që të ndodhë, që të konstituojmë institucionin tonë ekzekutiv BKS qysh në Sretenje të këtij viti”, tha Simic për agjencinë Beta..