Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Qipros së Jugut, Hrisostomos 2 deklaroi se përkrahin idenë e transferimit të gazit natyror të Mesdheut në Evropë duke e kaluar tubacionin përmes Turqisë.
“Unë nuk jam kundër eksportimit të gazit natyror në Evropë përmes Turqisë”, u shpreh Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse të Qipros së Jugut, Hrisostomos 2. “Nëse kalimi i gazit nga Turqia do të jetë në dobi të interesave kombëtare dhe ekonomike të popullit tonë, pse të mos kalojë nga Turqia. Të ushqesh dashuri është më mirë se sa të ushqesh urrejtje”, theksoi kryepeshkopi grekoqipriot.
Deklarata surprizë e kryepeshkopit, i cili orienton politikën dhe opinionin publik në Qipron e Jugut dhe njihet për qëndrimin e tij anti-turk, ka shkaktuar edhe një debat të ri. Deklarata është pritur me një habi të madhe nga opinioni publik.
I pyetur nga një gazetar “Nëse tubacioni do të kalojë nga Turqia, atëherë frerët do të jenë në duart e Turqisë dhe një gjë e tillë a nuk e shndërron Qipron greke në një peng të Turqisë?” Kryepeshkopi Hrisostomos tha: “Nëse projekti do të jetë në përputhje me interesat tona kombëtare le të realizohet, nëse jo le të mos e bëjmë”.
Grekoqipriotët kishin në plan që gazin që do të nxjerrin në Mesdhe ta eksportojnë me anije cisternë duke e lëngëzuar në fillim në komplekset që do të ndërtohen në Qipro, por sipas specialistëve kjo metodë do të kishte një kosto shtesë me vlerë rreth 10 miliardë dollarë.
Dhe kostoja e lartë bën që gazi natyror grekoqipriot të humbasë shansin e konkurrencës në tregun botëror. Sipas specialistëve të fushës rrugëzgjidhja e vetme për gazin grekoqipriot është transferimi i tij për në Evropë përmes Turqisë.
Deklaratat e kryepeshkopit janë përkrahur edhe nga Nikos Anastasiades, kandidati më i fuqishëm në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në shkurt në Qipron greke. Në një prononcim Anastasiades tha se gazi natyror është rruga për ta nxjerrë vendin nga kriza me vlerë 20 miliardë euro duke shtuar se gazin mund ta transmetojnë në Evropë me një tubacionin që do të ndërtohet ndërmjet Qipros dhe Turqisë.
Debati është pasqyruar edhe në media. Media grekoqipriote i ka kushtuar një vend të gjerë deklaratave të kryepeshkopit në lidhje me gazin natyror, duke i komentuar këto deklarata si një mbështetje të hapur që Kisha i bën Nikos Anastasiades, kandidati që duket se e ka të sigurt fitoren në zgjedhjet e shkurtit.
Për shkak të krizës financiare me vlerë rreth 20 miliardë euro udhëheqja grekoqipriote për momentin është e lidhur me mekanizmin e mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian dhe rezervat e gazit që ndodhen në jug të ishullit i shikon si rrugëdalje nga kjo krizë.
Kurse specialistët amerikanë pohojnë se zgjidhja më ekonomike është tregtimi i gazit përmes Turqisë./trt/kohaislame