Të paktën 18 ushtarë mbetën të vrarë, kur një raketë goditi një bastion të ushtrisë së regjimit siriane në qytetin e Alepos.
Kryeqendra ekonomike e Sirisë dhe përpara luftës edhe qyteti më i banuar i vendit, Alepo është shndërruar prej kohësh në vatrën më të nxehtë të frontit të luftimeve.
Ndërkohë, ndërsa muaji Janar do të sjellë nisjen e punimeve të Konferencës së Paqes në Gjenevë, arritja e një marrëveshje mes palëve parashikohet që të jetë tepër e vështirë, transmeton Rel.
Ministri i Informacionit i regjimit sirian theksoi gjatë së mërkurës se Bashar al-Assad do të jetë kryesues i çdo qeverie të përkohshme, nëse një e tillë do të vendoset të formohet gjatë këtyre bisedimeve.
Nga ana e tyre, kryengritësit kanë vendosur si kusht kryesor të bisedimeve dorëheqjen e Assadit.
Lufta civile që ka përfshirë Sirinë që prej marsit 2011 i ka kushtuar jetën të paktën 200 mijë personave, ndërsa 40 për qind e popullsisë vlerësohet e shpërngulur jashtë apo brenda vendit.