8.1 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Kryeministri: Kemi zgjidhje për papunësinë

Më të lexuarat

Për herë të parë pasluftës ekonominë e kemi prioritet. Kemi krijuar Fondin Kosovar për Garantim të Kredive. Do të krijohet edhe një fond për mbështetjen e punësimit të të rinjve dhe grave. Për tre muajt e parë të këtij viti janë ulur shpenzimet e udhëtimeve zyrtare me 43 %, shpenzimet për karburante për vetura janë ulur me 28% dhe shpenzimet për dreka zyrtare janë ulur me 48%.

Jemi duke gjetur një zgjidhje optimale për Trepçën në mënyrë që Kosova të rikthehet në hartën botërore të industrisë.
Kryeministri i Republikës, Isa Mustafa, flet për indeksonline.

 
Indeksonline: Qeveria juaj e ka futur në prioritet ekonominë. Në mandatin katër vjeçar cilat fusha do të kenë prioritet të investohet? 

Isa Mustafa: Qeveria e Republikës së Kosovës në mandatin 2015-2018 e ka prioritet thelbësor zhvillimin ekonomik. Kjo është e theksuar qartë edhe në programin qeverisës.

Më duhet ta theksoj se për herë të parë në Kosovën e pasluftës agjenda ekonomike është prioritet i Qeverisë dhe se hapat të cilët janë ndërmarrë pritet domosdo të reflektojnë në aktivitet të përmirësuar ekonomik.

Kosova ballafaqohet me probleme të mëdha sa i përket zhvillimit ekonomik, normës së papunësisë, bilancit tregtar, tërheqjen e investimeve të huaja, cilësisë së kreditimit dhe financimit të bizneseve.
Është me rëndësi që në këtë 4 vjeçar të arrijmë të krijomë kushte për rritje ekonomike të mjaftueshme sa për të absorbuar fuqinë e re në tregun e punës që vlerësohet të jetë rreth 25 mijë të rinjtë që hyjnë çdo vit në tregun e punës. Kjo domosdo në periudhë më afatgjatë do të rezultojë edhe në reduktim të konsiderueshëm të normës së papuna muësisë në vend.

Indeksonline: Fondi për Investim dhe Punësim ka qenë njëri ndër premtimet kryesore të të dy partive të koalicioni. Çka ka ndodhur me zhvillimin e këtij fondi?
 
Isa Mustafa: Me qëllim që të ndikojmë pozitivisht në një pjesë mjaft të ndjeshme të ekonomisë dhe të popullsisë, është menduar se zgjidhje efikase është krijimi i disa mekanizmave që përkrahin pikërisht segmentin e punësimit. Problemet në ekonominë e Kosovës janë në dy dimensione më të mëdha.

E para ka të bëjë me qasjen në financim për firma ose edhe për ndërmarrësit e rinj, dhe e dyta, ka të bëjë me koston relativisht të lartë të financimit, sidomos për disa sektor. Një fond i cili në forma të ndryshme do të përkrahte zhvillimin dhe punësimin, është menduar si një mekanizëm i nevojshëm në këtë periudhë. Fondi mendohet të ketë më shumë shtylla.

Para disa ditësh në Qeveri është aprovuar Koncept-dokumenti për Fondin Kosovar për Garantim të Kredive , i cili do të paraqet një instrument i cili krijon potencial që ndërmarrësit që kanë ide të mirë biznesi por nuk kanë kolateral, nuk kanë historik të kreditit dhe të bashkëpunimit me bankë, të kenë qasje të lehtë në financim të idesë së tyre.

Kjo pra është shtylla e parë e instrumenteve që do të krijohen me qëllim të rritjes së investimeve dhe rritjes së punësimit në vend. Fillimisht, ky fond do të ketë rreth 18 milionë euro për garantimin e deri në 50% të principalit, ndërsa në vitet e ardhshme, kjo shumë do të rritet.

Ndikimi i përgjithshëm i fondit në aktivitetit ekonomik në 6 vitet e ardhshme do të jetë 360 milionë Euro. Ky fond paraqet modelin më të mirë për nxitje të aktivitetit ekonomik pasi që ka një strukturë të funksionimit të pavarur, konform standardeve më të mira të qeverisjes korporative.

Këtij fondi në të ardhmen e afërt do t’i shtohet edhe përgjegjësia për subvencionim të normave të interesit për industri të cilat mund të zhvillohen por kanë pengesë koston e lartë të financimit.
Është e rëndësishme po ashtu të theksohet se përveç këtij modeli të ndikimit në financim, në jemi duke punuar me donator të tjerë dhe me qëllim që të gjejmë skemën adekuate për të adresuar edhe problemin kryesor në vend, problemin e papunësisë për të rinjtë dhe gratë, si dy grupet më të ndikuara nga papunësia.

Këtë koncept-dokument pritet ta kemi po ashtu për një periudhë 1-2 mujore në Qeveri dhe të vendosim për modelin adekuat për të përmirësuar gjendjen e papunësisë në vend.

Indeksonline: Sa për qind, shifra në euro, janë ulur shpenzimet qeveritare?
Isa Mustafa: Përpara se të komentojmë shifrat e shpenzimeve të cilat i kemi në dispozicion, duhet ta kemi të qartë se këto shpenzimet në mallra dhe shërbime do t’i mbajmë në nivelin adekuat, duke siguruar përdorim efiçent dhe të ulen vetëm deri aty ku nuk rrezikohet mirëmbajtja e shumë investimeve kapitale që janë ndërmarrë më herët. Nuk guxojmë të i rrezikojmë investimet kapitale duke mos i mirëmbajtur.

Megjithatë, kemi synuar t’i ulim shpenzimet të cilat edhe njihen si shpenzime të luksit dhe deri më tani është arritur një sukses i konsiderueshëm në këtë drejtim. Për tre muajt e parë, për shembull, shpenzimet e udhëtimeve zyrtare janë ulur me 43%, shpenzimet për karburante për vetura janë ulur me 28% dhe shpenzimet për dreka zyrtare janë ulur me 48%.

Ndërsa, në përgjithësi, pjesa e shpenzimeve për mallra dhe shërbime është ulur për 13%. Edhe nga këto kategori, duhet të jemi të kujdesshëm që gjatë të racionalizojmë shpenzimet pasi që, për shembull, udhëtimet në takime të profileve të larta në nivel ndërkombëtar dhe integrues për Kosovën nuk mund t’I lëmë anash me mos pjesëmarrje për shkak të shpenzimeve.

Efektet e takimeve janë tejet të rëndësishme për ta bërë Kosovën pjesë të agjendave ndërkombëtare qoftë ekonomike ashtu edhe politike dhe mbi të gjitha, integruese në organizatat ndërkombëtare.
Indeksonline: Si do ta ristrukturoni Trepçën dhe a konsideroni se do ta ketë namin e viteve 80-ta?

Isa Mustafa: Kemi pasur konsultime të vazhdueshme prej se është ngritë kjo çështje dhe se është e vështirë të orientohemi në një drejtim duke thënë se kjo është zgjidhja ideale.
Nuk ka zgjidhje ideale, por do të ketë zgjidhje optimale. Jemi të interesuar që vet menaxhmenti i këtij kompleksi dhe vetë minatorët të jenë të përfshirë në ristrukturim ose të themi më mirë, ashtu siç ne e kemi definuar në programin qeverisës, në ndërtimin e strategjisë për Trepçën, strategji kjo e cila i paraprinë Ligjit të veçantë për Trepçën.

Kemi konsultuar edhe qendra të mëdha të hulumtimeve të kësaj industrie në nivel global dhe jemi duke shqyrtuar me kujdes qasjen që duam ta marrim në këtë drejtim, me qëllimin e vetëm që ky kompleks të rikthej Kosovën në hartën botërore të industrisë.

Indeksonline: Në Kosovë kemi shumë biznese që ende nuk e paguajnë tatimin në fitim. Cili është plani që t’i bindi këto biznese t’i kryejnë obligimet ndaj shtetit, pra të ulet ekonomia joformale?
Isa Mustafa: Qasja ndaj ekonomisë jo-formale kërkon vëmendje të veçantë jo vetëm për faktin e obligimeve të tyre ndaj shtetit, por gjithashtu se kjo problematikë vazhdimisht ka krijuar konkurrencë jo të drejtë në treg, duke i dëmtuar pikërisht ato biznese të cilat janë të drejta dhe të orientuara për të funksionuar konform rregullave të tregut dhe ligjeve.

Megjithatë, ndryshimi i politikave fiskale mendojmë se ka krijuar hapësirë për që shumë biznese të kenë motiv shtesë për t’u formalizuar. Po ashtu, politikat bujqësore të ndërlidhura me grandet dhe subvencionet janë të dizajnuara në atë formë që krijon kushte dhe motive për formalizmi pasi që vet qasja në grande dhe subvencione bëhet më e lehtë.

Jemi duke synuar bashkimin e Doganave dhe Administratës Tatimore në një agjenci të vetme të të hyrave, me qëllim të rritjes së efiçencës së të dy organizatave, por po ashtu, duke synuar të arrijmë rezultate në formalizmin e mëtejmë të bizneseve pasi që kjo praktikë është treguar e suksesshme në shumë vende të botës.

Indeksonline: Bordet e pavarura ende konsiderohen problem, keni premtuar se do t’i depolitizoni. A do t’ia dilni që ta largoni politikën nga Agjencitë e Pavarura Qeveritare?

Isa Mustafa: Sa i përket bordeve, është shumë e rëndësishme që të arrijmë t’i profesionalizojmë ato. Është e vërtetë se në shumë raste, sidomos me ndërmarrjet publike ka pasur probleme në qeverisjen korporative të tyre pasi që nuk kemi arritur asnjëherë të kemi ndërmarrje publike që kanë pasur një nivel të kënaqshëm të efiçencës.

Natyrisht, vet idea e ekzistimit të ndërmarrjeve publike është që të mos kenë konkurrencë në shërbime që u ofrojnë qytetarëve, por megjithatë, nuk është arritur qëllimi në shumë raste pasi që edhe vet shërbimet që u janë ofruar qytetarëve nuk e kanë arritur nivelin e dëshiruar. Me profesionalizimin e bordeve, ne do të kthejmë këtë proces në rrugë të mbarë dhe mund të rezultojë në gjendje më të mirë të këtyre shërbimeve, si p.sh. uji, energjia e shumë produkte tjera./indeksonline/.kohaislame
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit