0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Kryeministri imagjinar i përgjigjet televizionit serb “Unhappy-TV”

Më të lexuarat

Enver Robelli

 

Disa përgjigje që një kryeministër i Kosovës do të mundë t’ia jepte një gazetari të Beogradit dhe opinionit serb.

Një ndër shakatë cinike serbe kundër Kosovës është edhe kjo: “Në çdo vend droga të bën të varur, vetëm në Kosovë të pavarur”. Sipas këtij rrëfimi, pothuaj të gjithë shqiptarët merren me drogë dhe me kapitalin e fituar nga ky biznes ilegal, kanë arritur të blejnë establishmentin politik në Washington, në Bruksel, në Londër, në Berlin, në Paris. Pasi e kanë blerë establishmentin perëndimor, ata kanë arritur të fitojnë mbështetjen e “qendrave të fuqishme” për të bombarduar “Serbinë e pafajshme” dhe për të shpallur pavarësinë e Kosovës. Me këtë klishe lozi edhe një gazetar serb, i cili para disa ditësh intervistoi kryeministrin real të Kosovës. Në bazë të reagimit dukej se kryeministri real nuk e kuptoi fare shakanë cinike të gazetarit serb.

Një kryeministër imagjinar i Kosovës kështu do të sfidonte një gazetar serb: “Serbia është njëra nga qendrat e kontrabandës me drogë në Evropë. Sipas Qendrës Evropiane për Monitorim të Varësisë nga Droga (EMCDDA), kriminelët serbë janë ndër dilerët më të mëdhenj të kokainës në kontinent, me lidhje të fuqishme dhe me baza në Amerikën Latine. Aktiviteti i kontrabandistëve serbë të drogës në Amerikën Latine e ka alarmuar edhe Agjencinë Amerikane të Antidrogës (DEA). Territori i Serbisë përdoret për transit të drogës nga Turqia drejt Evropës Perëndimore”.

Pas këtyre fakteve, gazetari serb me siguri do të acarohej dhe do të mundë ta akuzonte parinë politike të Prishtinës për kontakte me krimin e organizuar. Kryeministri imagjinar i Kosovës do të mundë të përgjigjej kështu: “Në vitin 2015 gazetarët hulumtues serbë publikuan xhirime, ku shihet ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, duke u takuar me mafiozin e dënuar dhe në arrati Rodolub Radulloviq. Në xhirime Daçiq dhe Radulloviq shihen duke qeshur dhe duke tymosur puro. Në fund Daçiq braktis takimin me një zarf të bardhë. Xhirime të tjera tregojnë nëntë takime të bashkëpunëtorëve të Daçiqit me Radulloviqin, mes tyre janë edhe oficerë të lartë policie dhe shefi i kabinetit të Daçiqit”.

Kryeministri imagjinar i Kosovës do të mundë të tallej pastaj gjerë e gjatë me politikat e punësimit në Ministrinë e Jashtme serbe. Siç kanë shkruar shumë media të Beogradit, Daçiq dhe ministra të tjerë serbë preferojnë “diplomacinë lakuriqe” – domethënë: punësimin e shumë vajzave të pakualifikuara, por të hijshme.

Kryeministri imagjinar i Kosovës do të mundë të shpjegonte gjatë intervistës se Serbia nuk mund t’i japë askujt leksione për gjoja qeverisje me duar të pastra. Në vitin 2003 në Beograd mafia gjysmështetërore vrau kryeministrin e vendit, Zoran Gjingjiq. Dorasit janë dënuar, por përse nuk janë zbuluar kurrë urdhërdhënësit? Kryeministri imagjinar i Kosovës do të mundë të pyeste gazetarin serb nëse është krenar që president i shtetit të tij është një person që është kërcënuar se për një serb të vrarë do të vriten 100 myslimanë të Bosnjës. Dhe pastaj në Srebrenicë janë vrarë mbi 7000. Kryeministri imagjinar i Kosovës do të mundë të pyeste se përse nuk ka një pllakë përkujtimore në bazën e policisë serbe në Batajnicë, ku forcat policoro-ushtarake serbe u përpoqën t’i fshehin gati 1000 kufoma të civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës së Kosovës? Kryeministri imagjinar i Kosovës do të mundë të pyeste gazetarin provokator serb se ku është kamioni që u gjet në Danub më 2001 i mbushur me kufoma të shqiptarëve?

Kryeministri imagjinar i Kosovës për ta nokautuar gazetarin serb dhe për ta “dridhur” opinionin e Serbisë do të mundë të citonte historianin britanik Christopher Clark, i cili kështu e shpjegon vrasjen e Mbretit serb më 1903: “Pak para orës dy të mëngjesit të datës 11 qershor 1903, 28 oficerë të ushtrisë serbe iu afruan hyrjes kryesore të Pallatit Mbretëror në Beograd. Pas shkëmbimit të zjarrit rojet u arrestuan dhe u çarmatosën para ndërtesës. (…) Kur komplotistët konstatuan se dhomat mbretërore ishin të bllokuara nga një derë e rëndë druri, ata e shpërthyen derën me një kuti dinamit. (…) Kur ata mbërritën te dhomat e fjetjes, Mbreti Aleksandar dhe Mbretëresha Draga nuk gjendeshin më aty. Por romani francez, të cilin po e lexonte Mbretëresha, ishte i hapur dhe me faqe të kthyera mbrapsht. Dikush i preku çarçafët dhe vërejti se shtrati ende ishte i ngrohtë – me gjasë çifti e kishte braktisur atë pak më parë. (…) Sipas një versioni Mbreti u shfaq duke u dridhur nga frika, me syze mbi hundë dhe i veshur sa për të thënë me një këmishë të kuqe, ndërsa në krahët e tij e mbante Mbretëreshën. Çifti u vra me një breshëri plumbash nga afërsia. (Adjutanti i parë i Mbretit Lazar) Petroviqi, i cili në një përpjekje të pashpresë nxori një revolver të fshehur për të mbrojtur padronin e tij (së paku kjo është thënë më vonë) u vra po ashtu. Pastaj nisi një orgji e pakuptimtë e dhunës. Sipas deklaratës së mëvonshme të berberit të traumatizuar italian të Mbretit, i cili ishte urdhëruar t’i marrë trupat dhe t’i bëjë gati për varrim, kufomat ishin prerë me shpata, ishin çarë me bajonetë, pjesërisht ishin rrjepur dhe grirë me sëpatë, dhe ishin sakatuar aq shumë, saqë s’njiheshin më. Kufoma e Mbretëreshës u tërhoq zvarrë te parmakët e dritares së dhomës së fjetjes dhe pothuaj lakuriq, dhe e mbuluar plotësisht me gjak u hodh në kopsht. Kur vrasësit u përpoqën të bënin të njëjtën gjë me Aleksandrin, supozohet se për një çast dora e Mbretit u kyç në parmak. Një oficer ia preu pastaj grushtin me shpatë. Gishtat dhe trupi i monarkut ranë në tokë. Kur atentatorët u mblodhën në kopsht për të pirë nga një cigare dhe për të inspektuar aktin e tyre shkatërrues, filloi të binte shi”.

Kryeministri imagjinar i Kosovës kështu do të arsyetonte postin e tij. Kryeministri real me tentim-intervistën e tij nuk e kaloi as pragun minimal të pritshmërisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit