Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë vendim që ta shkarkojë nga detyra ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo.
Njoftimin për shkarkimin e Rikalos e ka bërë të ditur vetë kryeministri Haradinaj përmes një postimi në Facebook.
“Sot kam marrë vendim dhe kam liruar nga detyra Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo
Z.Rikalo i shprehi falënderim për bashkëpunim gjatë kohës sa ishte aktiv si ministër në Qeverinë e Kosovës.
Në proceset politike para vetes, do të respektoj angazhimin e secilit. Ministri Rikalo ishte ministër i respektuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Bashkëpunimi me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve dhe përfaqësuesit e komunitetit serb, do të vazhdon palëkundur. RH”, ka shkruar Haradinaj.
Shkarkimi i ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, ishte vënë kusht PSD-ja me qëllim që t’a votonte Buxhetin e vitit 2019, që pritet të bëhet sot në seancën e Kuvendit.
Përndryshe, vetëm katër ditë pasi Ramush Haradinaj si kryeministër kishte prezantuar ministrat e tij, ishte pikërisht Rikalo që mori vëmendjen më të madhe.
Banorët e lagjes ‘Dardania’ në kryeqytet, e njihnin shumë përpara Rikalon, por jo si komshiun e mirë.
Pretendimet për krime lufte, aktivizuan Prokurorinë, dhe dëshmitarë filluan të merren në pyetje.
Duke tërhequr paralele me situatën ku ishte gjendur një tjetër ministër që vinte nga komuniteti serb, Aleksandër Jabllanoviq, opozita nxitoi që përmes Kuvendit ta shkarkonte Rikallon.
Në debatin e ashpër në Kuvend, tetorin e vitit 2017, Rikalo ishte mbrojtur nga kryeministri Haradinaj.
Mocioni i LDK-së për shkarkimin e tij, kishte marrë 27 vota për, 40 kundër, ndërsa në fillimin e muajit nëntor, Prokuroria Speciale, bëri të ditur se nuk kishin gjetur prova të mjaftueshme se Rikalo ishte i implikuar në krime lufte.
Kurse, subjekti politik i Rikalos, Lista Serbe, pjesë e koalicionit qeverisës, është në dorëheqje që nga marsi i vitit të kaluar, si reagim ndaj arrestimit të Marko Gjuriqit nga Policia e Kosovës.
https://www.facebook.com/RamushHaradinajOfficial/posts/1054251691365911