Kryeekonomisti i Bankës së Anglisë, Andy Haldane i cili është në prag të largimit, ka paralajmëruar se rreziku i inflacionit të lartë po “rritet shpejt” dhe mund të arrijë afërsisht në 4% këtë vit.
Haldane u shpreh në lidhje me këtë çështje një javë pasi Komiteti i Politikës Monetare të Bankës (MPC) hodhi poshtë rritjen e inflacionit duke e cilësuar atë si “kalimtare”.
Inflacioni i çmimit të konsumit arriti nivelin më të lartë në dy vitet e fundit prej 2.1% në muajin maj, madje duke tejkaluar edhe objektivin prej 2% të Bankës. Komiteti i Politikës Monetare të Bankës tha se pritej që inflacioni të shkonte mbi 3% “për një periudhë të përkohshme”.
Gjatë një fjalimi për Institutin e Qeverisë, z. Haldane, i cili po largohet nga Banka pas 32 vitesh, tha se “të gjithë do të dilnin të humbur” nga inflacioni më i lartë. “Në përgjithësi, pritshmëritë e inflacionit dhe besueshmëria e politikës monetare duken më të brishta aktualisht në krahasim me çdo periudhë tjetër.
“Deri në fund të këtij viti, unë pres që inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar të shkojë më afër 4% sesa 3%”, tha z. Haldane.
Ai vazhdoi duke thënë se nëse kishte të drejtë, Banka mund të ketë nevojë të reagojë me rritje më të mëdha të normave të interesit sesa parashikohet aktualisht. Ai shtoi se edhe nëse ky skenar është thjesht një rrezik i mundshëm më shumë sesa një pikëpamje qendrore, ai është një rrezik që po rritet me shpejtësi dhe i cili mund të menaxhohet më mirë nëse parandalohet paraprakisht sesa pasi të ndodhë.
“Nëse ky skenar do të realizohej, të gjithë do të humbnim, duke filluar nga bankat qendrore te bizneset dhe familjet që do të përballeshin me një kosto më të lartë të huamarrjes dhe jetesës, dhe qeveritë që do të përballeshin me një rritje të kostove të shërbimit të borxhit”.
Javën e kaluar, Komiteti i Politikës Monetare të Bankës (MPC) votoi 9-0 për të mbajtur normat e interesit të qëndrueshme në nivelin më të ulët historik prej 0,1%. Normat kanë qenë të pandryshuara që nga marsi i vitit të kaluar, kur ato u ulën për të ndihmuar në frenimin e goditjes që mori ekonomia si pasojë e Covid-19./BBC