ABDULKERIM BEKKAR
Sa herë që takohet një grup njerëzish që janë të preokupuar me çështjen e davetit dhe udhëzimit të tjerëve në rrugën e drejtë, nuk ndodh e të mos sillet në mesin e tyre biseda, diskutimi dhe ankesa rreth pamundësisë së thirrësve për të zotëruar instrumentet e davetit, ku përmes të cilave do ta realizonin përhapjen e kauzës së tyre dhe do t’i bënin të njohura për të tjerët fjalët, parimet dhe kriteret e tyre. Ne nuk dëshpërohemi kur krahasojmë prapambetjen e instrumenteve tona dhe instrumenteve të avancuara që zotërojnë të tjerët, të cilët janë rivalët dhe kundërshtarët tanë. Dhe për këtë në shumicën e rasteve nuk gabojmë dhe nuk e teprojmë.
Padyshim çështja e davetit vuan qartë nga mosekzistimi i mjeteve, që do të kishim mundësi t’i përdornim në kumtimin dhe përhapjen e shpalljes hyjnore, Islamit. Ne nuk kemi kanal satelitor islam, që të shquhet me një tërheqje dhe atraksion të madh. E njëjta gjë vlen edhe për radiot dhe mediat e shkruara, ku revistat dhe gazetat islame kanë tirazh të ulët, ndërsa niveli profesional i shumicës së tyre sillet nga ai mesatar në atë të dobët. Kjo çështje në shkallë të lartë nuk ndryshon as tek hutbeja e xhumasë. Ligjëruesit, të cilët kanë aftësi për t’i përcaktuar diagnozat reale të gjendjes së muslimanëve dhe më pas për të përshkruar ilaçet për këtë gjendje janë të pakët. Përkundër kësaj gjendje është shumë e rëndësishme t’i kuptojmë shkaqet thelbësore të atyre fenomeneve dhe problemeve që i shohim dhe të atyre që shfaqim pakënaqësi, sikurse janë krizat dhe të pakëndshmet.
Prapambetja e muslimanëve dhe neglizhenca e asociacioneve të tyre të ndryshme padyshim që do të reflektohen në të gjitha mjetet, instrumentet dhe mekanizmat, që kanë ata para duarve të tyre në të gjitha poret e jetës. Kjo nuk është arsyeja kryesore, e cila ka ndikuar në ngecjen e mekanizmave të davetit, por shkaku themelor qëndron në atë se shumica e thirrësve nuk zotërojnë synime të qarta gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre sistematike. Synimi i lartë, i qartë dhe i studiuar mirë e krijon vetvetiu mjetin që i stimulon pastaj ata që e kanë kristalizuar atë në zbulimin e instrumenteve dhe mekanizmave të tjerë, që do t’i çojnë drejt realizmit të këtij synimi. Shumica e synimeve në davet nuk e realizojnë një gjë të tillë, për arsye se nuk i përmbushin tiparet e synimit të lartë. Thirrësi këtë e percepton në mënyrë të zbehtë, që rezulton më pas me humbjen e cilësisë së inkurajimit, të cilin e sqaruam më lart. Atëherë mund të konkludojmë lirisht, se kriza jonë kryesore qëndron në mosekzistimin e objektivit të lartë e jo në moszotërimin e instrumenteve dhe mjeteve të suksesshme.
Kriza e objektivit të lartë është rezultat i plogështisë individuale të çdonjërit nga ne, prej së cilës daveti vuan për një kohe të gjatë. Kjo amulli shfaqet në mediokritetin për të kuptuar veprimtarinë e duhur, për t’i udhëzuar dhe për t’i përmirësuar njerëzit, si dhe për të përcaktuar mënyrën dhe llojin e mesazhit që duhet formuluar në tërë këtë proces dhe për t’iu drejtuar atyre. Prej kësaj rezulton mosekzistimi i forcës për t’i përcaktuar objektivat, ku të gjitha mundësitë dhe kapacitetet tona duhen drejtuar nga ato. Kjo pastaj i shtyn njerëzit të veprojnë në të gjitha drejtimet, të merren dhe të preokupohen me çdo gjë në të gjitha drejtimet, mirëpo pa arritur ndonjë sukses në asnjë aspekt. Në çastin kur zotërojmë një synim të lartë do të kemi mundësinë të zotërojmë mjetet e duhura, mirëpo në çastin kur nuk e kemi këtë synim, kurrë nuk do të kemi mundësinë t’i njohim mekanizmat e përshtatshëm dhe nuk do t’i zotërojmë ato.
Nëse meditojmë rreth kursit të reformatorëve të mëdhenj, që ndryshuan rrjedhën e historisë islame do të vërejmë se shumica prej tyre, apo më mirë të themi, që të gjithë në fillim të fushatës nuk zotëronin asnjë mekanizëm të sofistikuar dhe asnjë instrument efektiv për t’i përhapur idetë e tyre dhe për të përmirësuar realitetin. Mirëpo ajo që vërejmë është se ata e dinin shumë qartë se çfarë dëshironin, çështjet për të cilat ata punonin për t’i arritur iu shfaqeshin kthjellët në horizont. Nuk ndryshon pozita e reformatorëve tanë me ata të popujve të huaj. Çifutët vuanin në njëfarë mënyre nga bojkoti botëror i shoqëruar në njëfarë mase nga disa shtete edhe me persekutim. Në fund të shekullit të 19 mblidhen në Zvicër “elita” e tyre dhe merren vesh për një synim madhor, që pas 50 viteve në tokë të huaj, Palestinë të formojnë shtetin e tyre. Ai që i shikonte mundësitë e tyre të pakta që ata zotëronin në atë kohë dhe vështirësitë e mëdha për të realizuar atë synim madhor në kohën e Perandorisë Osmane, çuditet nga kjo aspiratë e pazakontë. Mirëpo puna serioze, zelli i madh dhe ngulmi i tyre për të arritur këtë objektiv të qartë dhe konkret, që për nga natyra e tij vetvetiu krijoi shumë rrethana të volitshme, bëri që ajo me të vërtetë edhe ndodhi. Disa aktivistë që veprojnë në thirrjen në rrugë të Allahut janë me të vërtetë mediokër. Ata nuk shikojnë larg dhe nuk janë në gjendje të reflektojnë rreth rezultateve të shumë çështjeve madhore. Kjo i privon ata nga perceptimi për të vërejtur se cilat janë mundësitë, favoret dhe kufizimet. Për këtë arsye ata gjithmonë preokupohen me gjëra të konsumuara dhe të thjeshta, duke menduar se këto janë të qëndrueshme dhe të përhershme.
Përparimi shkencor dhe teknik, i cili po ndodh kohët e fundit e ka shndërruar normën kryesore të jetës në lëvizje dhe ndryshim e jo në palëvizshmëri dhe qëndrueshmëri. Ka njerëz që merren me kauzën e davetit, dhe shquhen me aktivitete të shumta, ndërsa çështjen e organizimit, planifikimit, vendosjes së strategjive dhe kristalizimin e objektivave e konsiderojnë si humbje kohe, dhe se kjo nuk ka arsye të ekzistojë. Kjo sipas këndvështrimit të tyre është formë e ikjes nga puna dhe e zhvendosjes së përgjegjësive të mëdha. Ky lloj njerëzish është një kategori shumë e gjerë, deri në atë masë saqë nuk mund ta besosh. Është për të ardhur keq nga ata që kritikojnë planifikimin dhe organizimin. Mirëpo në të njëjtën kohë ata nuk veprojnë asgjë dhe nuk japin kurrfarë rezultati, e shikuar kjo realisht ata vuajnë nga mosefikasiteti, mosveprimi dhe plogështia e plotë. Nëse i pyet se çfarë keni ofruar për këtë umet gjatë javës dhe muajit të kaluar, nuk kanë çfarë të përmendin. Ata që veprojnë pa vizion, pa objektiva konkrete dhe pa prioritete janë në një gjendje shumë më të keqe sesa mosvepruesit, për arsye se lëvizjet dhe aktivitetet e tilla të pamenduara rezultojnë në shpërthimin e katastrofave. Për t’u realizuar synimi i mirë jemi të detyruar fillimisht të bëjmë plane, këto plane duhet doemos të përfshijnë; mundësitë, kohën e duhur, duke mos harruar edhe pengesat që mund të hasen. Vetëm në këtë mënyrë do ta gjejmë veten të detyruar në zbulimin dhe krijimin e mjeteve të efektshme dhe të përshtatshme.
Unë nuk bëj pjesë në grupin e atyre që thërrasin në realizimin e gjërave ideale dhe të pamundura, për shkak se problemi kryesor nuk fshihet në gjërat e pamundura që shpresojmë, por në ato që janë të mundura, ndërsa ne i kemi humbur! O ju, që ua ka zënë frymën realiteti me prurjet e tij të rënda, dhe ju ka privuar nga shikimi i gjerë i horizontit që po ju pret. O ju, që jeni bërë kronikë me ankesat për mospasjen e forcës dhe moszotërimin e mjeteve… dhurojini vetes kohën e mjaftueshme për t’i eksploruar dhe për t’i gjetur synimet më të larta të mundura që keni pasion t’i realizoni, dhe do të bindeni se kjo do t’ua shndërrojë mjetet tuaja në më frytdhënëse dhe më reale. Kjo më pas do t’ua lehtësojë administrimin më të mirë të mundësive të kufizuara që keni para duarve tuaja.