Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi vendet evropiane se lehtësimi i masave kundër përhapjes së koronavirusit mund të shkaktojë një “stuhi” të rasteve të reja me COVID-19, siç po ndodhë në Indi. Situata e rëndë epidemiologjike në Indi sipas ekspertëve është rezultat edhe i tubimeve masive. Kreu i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, u tha gazetarëve të enjten se vendet nuk duhet të bëjnë gabim duke relaksuar kufizimet shumë shpejt. “Kur masat mbrojtëse relaksohen, pastaj ka tubime masive, dhe kur ekzistojnë variantet më ngjitëse të virusit në kohën kur shkalla e vaksinimit është ende e ulët, atëherë kjo mund të krijojë një stuhi në çdo vend”, tha Kluge. “Është shumë e rëndësishme të kuptohet se situata në Indi mund të ndodhë kudo”, shtoi ai. I ashtuquajturi variant indian i koronavirusit – ose B.1.617 – është duke përfshirë gjithë Indinë, por OBSH-ja ende nuk e ka konfirmuar nëse është më i transmetueshëm apo më vdekjeprurës sesa llojet e tjera të virusit. Ekspertët kanë thënë se tubimet e mëdha në ndeshjet sportive ose dasmat, janë pjesërisht shkaktare për shpërthimin e rasteve me koronavirus. Kluge tha se procesi i imunizimit është në rritje në rajonin evropian, dhe llogaritet se shtatë për qind e popullsisë tani është plotësisht e vaksinuar. India raportoi të enjten shifra rekorde të të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi. Autoritetet thanë se kanë regjistruar 379,257 raste të reja në 24 orë dhe 3,645 viktima. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka kaluar tashmë 18.3 milionë, ndërsa i viktimave është 204,832. India është duke kaluar valën më të rëndë të pandemisë, e cila ka shpërthyer pranverën e vitit të kaluar. Spitalet e saj janë të mbingarkuara, ndërsa raportohet për mungesa medikamentesh, përfshirë oksigjenin.