1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Kriza në Maqedoni, Georgievski ofron zgjidhje: Qeveri teknike me kryeministër shqiptar

Më të lexuarat

Ish-kryeministri maqedonas, Ljubço Georgievski vlerëson se kriza e thellë politike në Maqedoni mund të zgjidhet përmes formimit të një qeverie teknike, e cila do të mund të drejtohej me sukses nga një shqiptar.
 
Sipas tij, përveç organizimit të zgjedhjeve demokratike, Qeveria teknike do të ketë për detyrë të ndihmojë edhe në zhbllokimin e procesit integrues të vendit. Për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë për krizën aktuale në vend, Georgievski propozon që fillimisht të amnistohen personat që kanë kryer përgjimet, qofshin nga pushteti apo opozita.
 
“Kohëve të fundit është promovuar idea se, në këtë moment do të ishte më mirë që qeverinë teknike ta drejtojë një shqiptar. Kjo, mua nuk më pengon aspak dhe vlerësoj se shqiptarët kanë nxjerrë në vitet e fundit 4 apo 5 intelektualë me nivel të lartë, të cilët mund ta kryejnë me sukses ketë detyrë në Maqedoni”, tha Ljubço Georgievski, ish-kryeministër i Maqedonisë.
 
Nga ana tjetër, analisti Nazmi Maliqi vlerëson se në zgjedhjet e ardhshme, partitë shqiptare dhe ato maqedonase duhet të mendojnë për projekte të përbashkëta parazgjedhore, si dhe të shmangin fushatat e ashtuquajtura nacionaliste, që kanë prodhuar vetëm urrejtje mes qytetarëve.
 
“Projektet patriotike kanë qenë si udhërrëfyes në ndërtimin e politikave tona në Maqedoni. Pas shumë koalicioneve qeveritare, nuk u arrit asnjëherë që të kemi në vend një koalicion parazgjedhor shqiptaro-maqedonas, me projekt politik që do të jetë edhe projekt i Qeverisë”, tha Nazmi Maliqi, analist.
 
Ndërkohë, bisedimet në Bruksel për zgjidhjen e krizës në Maqedoni po zhvillohen pa praninë e përfaqësuesve të partive shqiptare. Këtë të mërkurë, negociatorët e dy partive kryesore maqedonase, VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe LSDM-së në opozitë, kanë nisur raundin e dytë të bisedimeve nën mbikëqyrjen e diplomatëve evropianë.
 
Detaje për ecurinë e negociatave nuk janë dhënë, por jo zyrtarisht mësohet se palët janë larg arritjes së ndonjë marrëveshjeje për zhbllokimin e situatës politike. / Top Channel 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit