3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

KRIZA E SIRISË DHE PASQYRIMET

Më të lexuarat

Brenda muajit korrik, kriza e Sirisë u shndërrua në një burim luftimesh me potencial për të tejkaluar edhe kufijtë e luftës civile. Ngjarjet, që rrodhën gjatë korrikut, tregojnë se lufta civile në Siri ka dalë krejtësisht jashtë kontrollit dhe po shkon drejt një pike të panjohur. Në mesin e këtyre ngjarjeve më e rëndësishmja ishte vrasja në një sulm e 5 pushtetarëve të lartë. Ky zhvillim e tronditi thellë regjimin e Esadit dhe shkaktoi humbjen e kontrollit. Vorbulla e dhunës, në rritje çdo ditë e më shumë, nënkupton fundin e pushtetit dhe ligjshmërisë së Beshar Esadit. Me dobësimin e autoritetit të pushtetit qendror të Sirisë, veçanërisht në rajonin verior të këtij vendi filluan të dalin në pah forca të reja. Janë hedhur pretendime se grupet kurde të PYD-së në veri të Sirisë kanë shpallur autonominë dhe dëshirojnë të shkëputen nga regjimi i Esadit. Trazirës së brendshme në Siri, që deri më tani vazhdonte kryesisht mbi dallimet fetare mes nusajritëve (alevianë) dhe sunitëve, tashmë iu shtuan gjithashtu konfliktet dhe përçarjet midis kurdëve, turkmenëve e arabëve.

Ndërsa zhvillimi, që e bëri këtë situatë edhe më të komplikuar, ishin lajmet se peshmerget (luftëtarët e armatosur kurdë) e Barzanit dhe terroristët e PKK-së mbështesnin PYD-në në Siri. Turqia deklaroi zyrtarisht se nuk dëshironte që Siria të copëtohej, në zonë të infiltrohej PKK-ja, apo të formohej një grup separatist kurd. Ministri turk i Punëve të Jashtme, Ahmet Davutollu vuri në pah se Ankaraja nuk do ta lejojë shtimin e dhunës dhe shembjen e rendit publik në Halep dhe rrethinat e tij, formimin e një rajoni si shteti kurd dhe vendosjen e organizatave terroriste PKK, apo Al-Kaeda në kufirin turko-sirian.

Turqia mori urgjentisht një sërë masash të politikave të brendshme dhe të jashtme përballë këtyre rreziqeve. Ndërkohë që Forcat e Armatosura turke dislokuan njësi ushtarake në zonë, diplomatët dhe zyrtarët e lartë turq ndërmorën nisma edhe në politikën e jashtme. Në kuadër të politikës së jashtme më tepër spikatën dy zhvillime. Kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdoan realizoi një bisedë telefonike me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, me anë të së cilës siguroi bashkëpunim dhe konsensus përballë zhvillimeve në Siri. U bë e ditur se të dy liderët ranë dakord për largimin e Esadit nga pushteti dhe formimin e një qeverie të re. Menjëherë pas kësaj, ministri Davutollu, i udhëzuar personalisht nga Kryeministri Erdoan, shkoi papritmas në veri të Irakut, ku u takua me kreun e udhëheqjes rajonale kurde në këtë vend, Mesud Barzani dhe ndihmësit e tij. Pas takimit u deklarua se Davutollu dhe Barzani ndajnë të njëjtin mendim për sa i takon tërësisë territoriale të Sirisë dhe se do të bashkëpunojnë kundër të gjitha zhvillimeve negative.Kështu u konfirmua sërish afrimi Davutollu-Barzani, që viteve të fundit ka shfaqur një zhvillim në rritje. Ndërsa dimensioni më interesant i këtij afrimi është udhëtimi, që Davutollu realizoi në Kirkuk menjëherë pas Erbilit. Vizita e Davutollusë në Kirkuk, një qytet ky që nuk ishte shkelur nga autoritetet turke qysh prej viteve 1920, shënon një zhvillim historik dhe përmban mesazhe mjaft serioze. Në krye të këtyre mesazheve renditet vazhdimi i zhvillimit të aleancës së krijuar në vitin 2009 ndërmjet Turqisë, SHBA-ve dhe kurdëve të Irakut.

Të gjitha këto zhvillime bëjnë që të shkruhen, ose diskutohen skenarë të rinj në lidhje me Sirinë dhe rajonin. Disa nga këta skenarë, nga më negativi deri tek ai më pozitiv, renditen si në vijim: 1- “Libanizimi” ose “Irakizimi” i Sirisë, skenar ky që përmban në vetvete mundësinë e përhapjes dhe vazhdimit për vite me radhë të konflikteve të armatosura ndërmjet grupeve etnike dhe fetare në Siri. Në klimën anarkike, që mund të formohet pasi Esadi ta humbasë pushtetin krejtësisht, mund të pritet që luftimet të përhapen dhe thellohen më shumë. 2- Shpërbërja e integritetit territorial të Sirisë dhe copëtimi në disa shtete të vogla, skenar ky që parashikon mundësinë e formimit të një shteti Nusajrit, ku do të strehohet Esadi, një shteti me shumicë sunite dhe një formacioni kurd. 3- Formimi i një Sirie të re pas largimit të Esadit nga vendi dhe garantimi i vazhdimit të statukuosë aktuale. 4- Mposhtja e opozitarëve dhe vendosja sërish e kontrollit të plotë të Esadit në Siri, skenar ky që mbart me vete mundësinë e krijimit të një regjimi Baas akoma më autoritar.

Sipas mendimit tim modest, përveç skenarit të katërt, të gjithë të tjerët kanë probabilitet të realizohen. Prandaj, mund të them me plot gojë se pas kësaj pike në Siri nuk do të kthehet më periudha e regjimit Baas të Esadit, rendi i vjetër nuk do të vazhdojë dhe ndryshimi në Siri do të vijojë të ndikojë më nga afër të gjithë rajonin në veçanti dhe botën në përgjithësi. Ndërkaq, shumë e largët nuk është as mundësia për shpërthimin e një “lufte civile rajonale”, që do të vazhdonte për vite me radhë, në rast se konfliktet e brendshme të armatosura në Siri do të përhapeshin në të gjithë rajonin.

Formimi i një vakumi pushtetar në Siri, do të ndikojë patjetër të gjithë politikën rajonale dhe globale. Zhvillimet në Siri do të thithin në vorbullën e tyre jo vetëm shtetet e rajonit dhe të gjithë botës, me në krye vendet fqinje të Sirisë, por edhe aktorët joshtetërorë. Ndërkohë që aktorët fetarë dhe etnikë të rajonit iu përveshën projekteve transkufitare dhe aktorët rajonalë si Irani e Arabia Saudite përpiqen për krijimin në Siri e një rendi të ngjashëm me të tyrin, fuqitë globale si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia do të mundohen ta trajtësojnë rajonin nga fillimi. Pra, ashtu siç e theksuam edhe në analizën e kaluar, Lindja e Mesme në shekullin e XXI është në prag të një procesi trajtësimi të ri. Sipas të gjitha gjasave, ka shumë mundësi që procesi në fjalë, i cili aktualisht po vazhdon në hapësirën gjeografike të Irakut, Libanit dhe Sirisë, gjatë viteve të ardhshme të përhapet në të gjithë Gadishullin Arabik dhe Gjirin Persik duke marrë pjesërisht për bazë konceptin e Pranverës Arabe.

Mund të themi se modeli i bashkëpunimit ndërmjet Turqisë, SHBA-ve dhe kurdëve të Irakut, që e përmendëm më lart, zë një vend kritik në këtë dinamizëm transformimi. Ky model nuk ka të bëjë vetëm me trekëndëshin Siri-Irak-Liban, por njëkohësisht me të gjitha rajonet e krizave, që nga Irani dhe Arabia Saudite, deri në Palestinë dhe Izrael, por edhe me marrëdhëniet e balancat SHBA-Evropë dhe Rusi-Kinë. Megjithatë, në një ekuacion me kaq shumë të panjohura, duhet marrë parasysh gjithashtu se modeli i sipërcituar nuk mund të zhvillohet dhe zbatohet gjithnjë ashtu si dhe sa pritet./trt

Autor: Prof. Dr. Ramazan Gozen

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit