-3.8 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Kriza e Gjirit, tema kryesore e vizitës së Erdoğanit në Katar dhe Kuvajt

Më të lexuarat

ANKARA (AA) – Kriza e Gjirit do të jetë një nga pikat kryesore në rendin e ditës të takimeve të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në Kuvajt dhe Katar, njoftoi zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kalın, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Kriza e cila filloi më shumë se pesë muaj më parë në Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit do të jetë ndër temat kryesore të rendit të ditës”, tha Kalın në një deklaratë.

Erdoğan do të vizitojë shtetet e Gjirit nga e hëna deri të mërkurën.

Kalın tha se Turqia mbështet përpjekjet e ndërmjetësimit të Kuvajtit në këtë krizë, duke riafirmuar qëndrimin e Ankarasë për një zgjidhje “paqësore”.

Turqia ka mbështetur Katarin në krizën e Gjirit që u shkaktua në qershor të këtij viti, kur Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini ndërprenë lidhjet diplomatike dhe tregtare me Katarin.

Katër shtetet e akuzojnë Katarin për mbështetjen e grupeve terroriste, akuza këto që Doha zyrtare i ka mohuar, duke e cilësuar embargon si shkelje të sovranitetit të saj kombëtar.

Kalın tha se zhvillimet rajonale, veçanërisht ato në Siri, Irak dhe në rajonin e Gjirit, si dhe marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe vendeve të Gjirit, do të diskutohen në detaje gjatë takimeve të presidentit Erdoğan.

Zëdhënësi presidencial shtoi se Erdoğan po ashtu do të marrë pjesë në Komitetin Strategjik Suprem të Turqisë dhe Katarit në Doha.

Erdoğan dhe kreu i Kuvajtit, Sabah Ahmed Al-Xhaber Al-Sabah, do të diskutojnë për çështjet në lidhje me tregtinë dypalëshe dhe bashkëpunimin në mbrojtje, arsim dhe kulturë, thuhet në deklaratë.

Kalın informon se para udhëtimit të tij në vendet e Gjirit, Erdoğan do të vizitojë Rusinë të hënën dhe do të diskutojë me homologun e tij rus Vladimir Putin lidhur me rivendosjen e regjimit pa viza dhe heqjen e kufizimeve të fundit të ngelura tregtare nga Moska.

Pas rrëzimit të avionin luftarak rus në nëntor të vitit 2015 për shkak të shkeljes së hapësirës ajrore turke, Kremlini kishte urdhëruar t’i jepet fund udhëtimit pa viza me Turqinë.

Rusia gjithashtu ndaloi disa importe bujqësore turke, si dhe kompani të ndërtimit, inxhinierisë dhe turizmit.

Megjithatë, gjatë kësaj vere, Rusia lehtësoi sanksionet tregtare të vendosura ndaj Turqisë. Kohët e fundit, më 27 tetor, Rusia hoqi kufizimet e saj mbi importin e domateve nga Turqia duke filluar nga 1 nëntori.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit