4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Kriza e Evergrande, qeveria kineze po përgatitet për një stuhi të mundshme

Më të lexuarat

Autoritetet kineze kanë filluar të flasin dhe të reagojnë për krizën e “Evergrande”-s, gjiganti i kompanisë së ndërtimit të banesave i dërrmuar nga borxhet (305 miliardë dollarë).

Organi i rregullimit financiar, i kërkoi kompanisë të përqendrohet në përfundimin e shesheve të ndërtimit dhe shmangien e mospagimit të bonove të emetuara në dollarë.

Sipas agjencisë “Bloomberg”, e cila mori informacion mbi një takim që u zhvillua ditët e fundit midis autoriteteve dhe drejtuesve të “Evergrande”-s, përveç kësaj direktive të përgjithshme, nuk janë dhënë dispozita të qarta se si të dilet nga kriza.

Gazeta amerikane “Wall Street Journal”, raporton se Pekini ka paralajmëruar qeveritë e tij lokale që të “përgatiten për një stuhi të mundshme”: një ndërhyrje nëse grupi privat nuk arrin të gjejë një zgjidhje më vete.

Në thelb, autoriteteve lokale do t’u thuhej të përgatiteshin për të trajtuar reagimin e klientëve (mbajtësit e bonove dhe kinezët që tashmë kanë paguar për shtëpitë e papërfunduara), në rast të një falimentimi.

Ndër sugjerimet e dhëna nga Pekini për “Evergrande”-n, është komunikimi me investitorët dhe klientët, për t’i siguruar ata.

Ndërkohë që themeluesi i grupit, miliarderi Xu Jiayin, ka nënvizuar: “Prioriteti ynë është të ndihmojmë investitorët të zhbllokojnë produktet e tyre, kompania do të përpiqet të rifillojë punën dhe prodhimin”, – shkroi ai në një shënim të ri.

“Evergrande”, në krizën e likuiditetit dhe me miliona interesa për bonot e emetuara për të financuar borxhin që do të shlyhet, duhet të dorëzojë të paktën 1.3 milionë apartamente të paguara tashmë nga po aq kinezë.

Një bombë me sahat për stabilitetin financiar dhe social të Kinës. Shtypi shtetëror është urdhëruar deri më tani të sqarojë krizën, duke pritur që Partia-Shtet të vendosë nëse dhe si të ndërhyjë për të shmangur ose menaxhuar përplasjen.

Por në mediat sociale (të tërbuara), komentet po shtohen kundër Xu Jiayin, i cili në mesazhet e tij, huazoi fjalët e përdorura nga Winston Churchill në vitin 1940, kur Anglia ishte e rrethuar nga nazistët: “Ne do të dalim nga ditët më të errëta”.

Në ‘Weibo’ (platforma sociale zyrtare kineze), ky koment pati efekte negative: “’Ripi’ Xu, pse nuk i kthen paratë e huazuara në vend që të bërtisni? Shpresoj se kjo është vjeshta juaj e fundit si njeri i lirë”.

Nofkën “Rripi”, Xu Jiayin e fitoi vite më parë, duke u shfaqur në Kongresin Kombëtar Popullor të veshur me një rrip të artë “Hermès”. Të mërkurën, “Evergrande” njoftoi se kishte “zgjidhur” problemin e pagimit të një kuponi prej 35.9 milionë dollarë në një obligacion të brendshëm që skadonte.

Këtë të enjte, aksionet u hapën me një rritje prej 18% në Bursën e Hong Kongut, por kanë rënë me mbi 85% që nga fillimi i vitit.

“Evergrande” ende i detyrohet një interesi prej 83.5 milionë dollarë të një obligacioni tjetër në dollarë ‘ofshore’. Por rregullat lejojnë vetëm 30 ditë kohë para se të deklarohet falimentimi.

Banka Qendrore e Pekinit ndërhyri përsëri duke injektuar likuiditet prej 120 miliardë juanë (rreth 18 miliardë dollarë). Ky është sesioni i katërt me radhë që Banka Popullore e Kinës ka mbledhur miliarda për të lehtësuar shqetësimet e investitorëve.

Por dyshimi nuk është zgjidhur ende. Detyrimet e grupit të pasurive të paluajtshme, janë me vlerë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Kinës, një shifër destabilizuese, e cila mund të ndikojë në rritjen e ekonomisë së dytë më të madhe në botë, ndërsa Pekini është ende duke kërkuar një strategji daljeje nga pandemia.

Vendimi përfundimtar i takon presidentit kinez, Xi Jinping. A do të urdhërojë ai shpëtimin e “Evergrande”-s, duke mohuar premtimin e tij për t’i dhënë fund “rritjes së çrregullt të kapitalit” (dhe borxhit)?

Apo do të rrezikojë të shkaktojë trazira sociale midis miliona kinezëve që i kanë dhënë hua para miliarderit të ndërtimit ose që kanë blerë apartamente ende për t’u përfunduar?

Nga frika e një falimentimi, që mund të shkaktojë trazira ociale, një qeveri e nivelit të qarkut në provincën jugperëndimore Guizhou, u kërkoi zyrtarëve të sigurojnë që punëtorët migrantë të punësuar në projektet e “Evergrande”-s, të marrin rrogat e tyre, sipas një kopje të një njoftimi zyrtar të parë nga “The Wall Street Journal”.

Njoftimi, i cili iu dërgua një grupi zyrtarësh lokalë të caktuar për t’u marrë me pasojat e mundshme të “Evergrande”-s, u bëri thirrje kuadrove “t’i kushtojnë një rëndësi të madhe seriozitetit të problemeve të ‘Evergrande’-s”.

Autoritetet lokale duhet të “guxojnë të veprojnë, të bashkëpunojnë ngushtë dhe të bëjnë çdo përpjekje për të zgjidhur krizën e borxhit të ‘Evergrande’-s,” thuhej në të.

Corriere

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit