-0.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Kriza e ekonomisë dhe kriza e mendjes

Më të lexuarat

Kriza e ekonomisë dhe kriza e mendjes

Bota, kryesisht ajo perëndimore, po përballet me një krizë ekonomike dhe financiare të konsiderueshme. Parashikimet janë shqetësuese, ndonëse duke qenë një kulturë që ka pas një traditë të madhe dhe një energji shpirtërore dhe intelektuale të fuqishme, ajo e ruan optimizmin e vet.

Gjithësesi, një brez i mësuar vetëm me rritjen ekonomike, me eksplorimin e suksesshëm të natyrës, me zbulimet e mëdha teknologjike, me konsumin gjithëmonë e më të bollshëm të të mirave materiale, ndodhet papritur para një humnere financiare, politikave buxhetore të kursimit, të shtrëngimit të rripit, një papunësie në rritje dhe uljes së fuqisë blerëse. Nuk është mësuar që ta zemë rrugët rurale apo autostradat të mos ndriçohen natën për kursim.
Kalimi brenda katër apo pesë vjetësh nga njera epokë te tjetra, nga suksesi te kriza ka qenë shokuese psikologjikisht. Ka gjetur veç të tjerash të papërgatitur jo vetëm ndërgjegjen kolektive të masave popullore, por edhe të dijetarëve, institucioneve të kërkimit shkencor dhe të atyre që shoqëria i paguan pikërisht për të qenë në pararojë të sfidave të saj.
Me një fjalë nuk është vetëm një krizë e ekonomisë, por edhe krizë e mendjes. Një krizë e intelektit. Kjo e dyta e bën të parën edhe më shqetësuese sepse zgjidhjet që janë propozuar për të dalë nga situata e turbullt ekonomike e këtyre viteve duken të pabesueshme, kontradiktore, të zbehta dhe pa atë dimensionin e fuqishëm të një zbulimi të madh ideologjik dhe shkencor që shoqërohet me një propozim epokal për të dalë matanë vështirësive të sotme financiare dhe ekonomike.

Nuk kemi vetëm stagnacionin e prodhimit, por edhe të mendjes. E gjitha kjo nuk duket vetëm në qendrat e mëdha të kulturës, por ndihet edhe më shumë në vendet më pak të zhvilluara ekonomikisht, sigurisht, ku pothuajse kërkimi shkencor, jeta intelektuale dhe arsimi nuk përballojnë dot sifidat intelektuale të kohës duke përpunuar modele teorike epokale apo afatshkurtra të alternativave të zhvillimit ekonomik. Duket sikur jetojmë në një kohë kur njerëzimi është futur e strukur në një mburojë mbrojtëse duke pritur se kur do të jenë më të forta rreziqet e krizës pa pasur mundësinë për të prodhuar zgjidhje.

Kriza e mendjes shfaqet në disa tregues.

1. Mungesa e modelit alternativ

Së pari, është kriza e aktorëve veprues në fushën e ekonomisë, politikës apo të veprimtarive shoqërore, të cilët nuk arrijnë të prodhojnë modele ekonomike të sukseshme apo rrugëdalje nga situata e tanishme. Mungon modeli i suksesshëm jo vetëm në aspektin e vet real, por edhe në përmasën e vet virtuale, pra intelektuale.
Njerëzit në ankth kërkojnë zgjidhje, por zgjidhje prej shkopi magjik hëpërhë nuk ka. Nuk mund të ketë, sepse zgjidhjet nuk bien nga qielli.
Kriza nisi të shfaqet e të pranohet përpara tre apo katër vjetësh fillimisht si krizë e modelit të financimit të kredisë imobiliare në disa zona urbane të Shteteve të Bashkuara. Atëhere u tha sepse kjo erdhi për shkak të “kredive të këqia”. U duk si krizë financiare, por vetëm e një sektori anësor. Pastaj kriza financiare preku zemrën e sistemit të sotëm financiar, pra bankat, por edhe në atë kohë mediat kishin përhapur idenë se ishte më tepër një krizë financiare pa shumë pasoja ekonomike.
Europa dukej e forët dhe larg tërmetit të krizës. Por, shumë shpejt optimizmi u prek sërish sepse disa vende të Europës si Spanja, Greqia, Portugalia, irlanda, etj., po dukeshin si anije që ekonomikisht po mbyteshin. Përsëri shpresa nuk po binte sepse u duke se këto vende kishin rënë në këtë gjendje jo për arsye strukturore, por për shkak të prapambetjes së tyre historike, të një klase politike jo fort të përgjegjshme, por do të dilnin që andej nëpërmjet ndihmës të Europës.
Por, nuk qe e thënë. Optimizmi përsëri po pësonte zhgënjime. Pas një kohe doli se pothuajse të gjitha ekonomitë europiane ishin në prag të një krize të rëndë dhe recesioni ekonomik po trokiste në derë.
Gjithësesi mbetej një shpresë se do të kishim një model që do të tregonte rrugën e daljes. Para një viti ky model përfaqësohej nga dy alternativa të mundshme. E para nga fakti se pritej që buxhetet shtetërore të ndërhynin për t’i ushqyer bankat me kapital financiar, por sot shohim që vetë borxhi publik është pesha e rëndë mbi ekonomitë europiane apo përtej oqeanit. Mbetej edhe modeli gjerman që tregonte një rreze shprese, ndërkaq që edhe ai sot po e ka vështirë të përballojë pasojat e krizës.
Mungon ende një model teorik dhe ideologjik daljeje nga kriza e sotme ekonomike. Ajo është ulur këmbëkryq për shkak pikërisht se kemi edhe një krizë të mendjes.

2. Kriza e aktorëve veprues

Ky model daljeje i sukseshëm ku të mbështetemi për të thënë: “Ja çfarë duhet bërë!”, mungon jo vetëm në planin gjeografik dhe kulturor, por edhe në atë se përgjegjësia për krizën apo bllokimi i alternativave për daljen prej saj ka kapur edhe të gjithë aktorët politikë dhe socialë që duhej të ishin energjikë për të përpunuar zgjidhje.
Instalimi i krizës ekonomike nuk erdhi sot, por si pasojë e administrimit të shoqërive prej disa dhjetra vitesh. Në këtë periudhë kanë qeverisur edhe forca politike të djathta edhe forca politike të majta. As partitë politike të majta nuk kanë arritur të parashikojnë faktin se ekonomia po shkonte drejt fundosjes.
Përgjigja markiste ndaj krizës jo vetëm që ishte bllokuar për shkak se ekonomia socialiste e para viteve ’90 dëshmoi se ai model ishte i dështuar, por edhe se parametrat e krizës së sotme nuk i ngjajnë në thelb shumë parametrave të imagjinuar mbi një shoqëri me proletariat të varfëruar. Kriza ka kapur pothuajse të gjitha shtresat e shoqërisë në forma të ndryshme.
Nuk flitet për sindikatat, të cilat sot, edhe atje ku ekzistojnë, më e shumta mbrojnë interesat të ditës të këtij apo atij grupi punonjësish të kërcënuar nga kriza ekonomike, pa pasur asnjë strategji daljeje prej saj.

3. Iluzioni i mekanizmave financiarë

Elementi i tretë që dëshmon për një krizë të mendjes, pra për një ngecje në përpunimin e strategjive dalëse nga kriza e sotme, është se në media, në ligjërimet e politikanëve dhe në analizat e studjuesve që japin prognoza, më shumë flitet për aspektet financiare të krizës dhe jo për krizën e modelit të ekonomisë reale.
Kuptohet se përse ndodh një përqasje thjesht financiariste e krizës së sotme.
Fundja mekanizmat financiarë janë të vetmet, pothuajse, që shoqëria e sotme ka disi në zotërim për t’i venë në përdorim me qëllim të riaxhustimit të ekuilibrave ekonomike. Ata janë instrumentet me të cilat mund të veprohet në planin afatshkurtër. Shkurtimi i buxheteve publike, modifikime në mekanizmat e interesave bankare, ndryshime në parametrat e vlerës së shtuar, lëvizje në politikat fiskale, etj.
Puna është se ndryshimet në këto mekanizma financiare, sado të rëndësishme të jenë, përsëri janë me pasoja kontradiktore. Nga njera anë e ndihmojnë lehtësimin e pasojave të krizës, por nga ana tjetër e rëndojnë gjendjen e krizës. Nëse ta zemë “rrogat” ngrijnë ndërkohë që çmimet rriten, duket sikur shoqëria është vendosur në rrugë të mbarë meqë ka nisur të kursejë. Por, nuk është e vërtetë. Rënia e fuqisë blerëse sjell pikërisht ngushtimin e tregut për mallrat që konsumohen, pra me një fjalë godet sektorët e prodhimit.
Për më tepër, çështja bëhet edhe më e ndërlikuar sepse nëse kemi ekuilibre të ekonomisë reale që nuk funksionojnë dhe janë bërë kërcënuese, sado kapital financiar të hedhësh në këtë model, i pariparuar, ai përsëri do t’i ngjajë një grope të zezë ku të gjitha buxhetet gllabërohen pa sjell ndonjë rezultat pozitiv.
Shoqëria duket se e kapur në urgjencë nuk është në gjendje të mendojë më për zgjidhje afatgjata, sepse i duhet të përballojë nevoja të ngutshme, sot për nesër, pra të kufizohet vetëm në analiza të faktorëve të sipërfaqshëm financiarë pa pasur asnjë mundësi për të bërë një reflektim të thellë për anë thelbësore të sistemit ekonomik të sotëm.

4. Kriza e ekpertizave dhe analizave shkencore

Në një kuptim të katërt, kriza e mendjes është edhe kriza e shkencave të sotme sociale dhe e mënyrës sesi formohen brezat e rinj të ekspertëve, elitave intelektuale, kuadrove që drejtojnë veprimtaritë e mendjes.
Në shumë drejtime investimet publike dhe private në formimin universitar dhe pasuniversitar kanë shkuar prej vitesh në ato profile profesionesh që janë produkt pikërisht i një modeli social dhe ekonomik që ka rënë në krizë.
Një shoqëri shërbimesh që është zhvilluar në mënyrë të ekzagjeruar duke lënë pasdore prodhimin, novacionin teknologjik, shfrytëzimin e shumë energjive natyrore.
Sistemet arsimore formojnë në vendet e mëdha pa fund individë në profesione për të cilat shoqëria jo vetëm është e ngopur tashmë, por edhe që nuk kanë më asnjë rendiment kulturor. Mijra arkitektë, profesion i bukur, por përsa të tillë ka nevojë një shoqëri? Mijëra avoketër, profesion i zgjedhur, por për sa të tillë ka nevojë një shoqëri e dhënë? Mijëra specialistë të marrëdhënieve publike, por për sa të tillë kanë nevojë strategjitë e komunikimit dhe të publicitetit?
Miliona letrarë, filozofë, sociologë, poetë, gjeografë, antropologë etj.
Kriza mbështetet në një shoqëri shërbimesh që me përmasat e ekzagjeruara që ka marrë nuk ka rendimentin e pritshëm. Kurse sistemi i formimit universitar të brezave të rinj nxjerr në treg pa fund specialistë që janë të profilizuar pikërisht në profesione me të cilat shoqëria është e tejmbushur. Kriza riprodhon veten e vet nëpërmjet një sistemi universitar që nuk del dot nga qerthulli i tanishëm në krizë.
Profesionet e reja që mund të prodhojnë vlera krijuese që e nxjerrin shoqërinë nga kriza ende nuk janë imagjinuar.
Duhet dalë nga kriza e mendjes më së pari.

nga Artan Fuga

 *Artikulli paraqet reflektimin personal të autorit dhe qëndrimet e tij, jo domosdoshmërisht janë edhe reflektime të redaksisë apo qëndrime të saj.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit