1.6 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Kriteret ekonomike të studimit të fizibilitetit për Kosovën

Më të lexuarat

Deri në fund të vitit, autoritetet kosovare duhet t’i përmbushin kriteret afatshkurtra të përcaktuara në Studimin e Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Ndër to janë edhe çështja e marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Evropian dhe sundimi i rendit dhe ligjit, respektivisht forcimi i rolit të gjykatave ekonomike

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, thotë për emisionin “Index” të Radio Kosovës se janë në përgatitje e sipër të marrëveshjes për tregti të lirë me BE-në.

Njohësit e çështjeve ekonomike dhe drejtues të komunitetit të biznesit theksojnë se integrimi ekonomik dhe marrëdhëniet tregtare janë të rëndësishme dhe të domosdoshme për integrimin e gjithmbarshëm të vendit në strukturat e BE-së. Kurse njohës të çështjeve të gjyqësisë, thonë se sfidë mjaft e madhe për vendin është sundimi i ligjit dhe korrupsioni.

Institucionet e Kosovës janë duke u angazhuar seriozisht për adresimin e të gjitha sfidave afatshkurtra të përcaktuara me Studimin e Fizibilitetitit. Marrëveshja tregtare me BE-në është paraparë ne mesin e katër kushteve që qeveria vendore duhet t’i përmbushë deri në fund të këtij viti. Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, thotë se kjo çështje është në rrugë të mbarë dhe marrëveshja do të miratohet gjatë nëntorit në Qeveri.

-Është kërkuar nga ana e qeverisë së Kosovës, përkatësisht MTI-së, që të vazhdojë reformat e brendshme strukturore në Ministri, si dhe të funksionalizojë, përkatësisht të strukturojë mekanizmin negociues me Bashkimin Evropian. Edhe kjo çështje tashmë ka përfunduar dhe presim që gjatë javëve të ardhshme, gjithsesi brenda muajit nëntor të kalojë dhe të miratohet në qeveri, thotë Vlora Çitaku.

Zëvendëskryeministrja për ekonomi, njëherësh ministre e tregtisë dhe industrisë, Mimoza Kusari Lila, thotë se kanë marrë një vlerësim pozitiv nga Studimi i Fizibilitetit për aspektin e përgatitjeve për marrëveshjen e tregtisë së lirë me BE-në.

-Siç dihet pjesë e Stabilizim Asociimit është tregtia e lirë në masën e afro 70 për qind të përmbajtjes përbën negocimi i kësaj marrëveshjeje. Janë evidentuar përparime në raport me disa kërkesa që kanë qenë të adresuara në raportin e progresit të viteve të mëhershme. Jemi në proces ndërsa ristrukturimi i MTI-së përgatitja për negocim të marrëveshjes. Natyrisht, mbeten ende punë në përgatitje, qoftë në strukturë, qoftë në përmbajtje të Ministrisë për negociata. Por, kemi edhe detyrime afatshkurtra të cilat janë obligative deri në fund të këtij viti, për të marrë dritën e gjelbër, që shpresojmë në dhjetor, për fillimin e negocimit edhe ato jemi duke i adresuar. Prej ristrukturimit të Ministrisë, Departamentit të Tregtisë dhe caktimi i negociatorit tek struktura e përgjithshme e Ministrisë, dhe pastaj, natyrisht, vet fillimi i negociatave, thotë Mimoza Kusari-Lila.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit thonë se integrimi politik në BE nuk mund të ndodh pa integrim ekonomik. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se kriteret e përcaktuara mund të përmbushen, por për këtë nevojitet gatishmëri e autoriteteve përgjegjëse.

-Është e vërtetë se rruga integruese e Kosovës në familjen evropiane, nuk duhet të analizohet vetëm nga këndvështrimi politik, nuk mund të ketë integrim politik, nëse nuk ka integrim ekonomik, dhe integrimi ekonomik në familjen evropiane, kërkon përmbushjen e kritereve, të cilat nga dita në ditë janë më rigoroze dhe numerikisht më të mëdha. Mirëpo të gjitha këto nuk janë qëllime dhe kritere që nuk mund të realizohen nga institucionet në Kosovë, por për këtë duhet gatishmëri dhe sakrificë, thotë Gërxhaliu.

Njohës të çështjeve ekonomike thonë se kriteret ekonomike nuk është vështirë të përmbushen në aspektin formal, apo të hartimit të legjislacionit, por sfidë mbetet zbatimi i këtij legjislacioni në praktikë. Alban Zogaj, anëtar i grupit i ekspertëve E15, thotë se kushtet ekonomike që duhet të përmbushë secili vend që synon të integrohet në BE, janë që vendi të ketë një ekonomi funksionale të tregut, që prodhuesit e këtyre vendeve të kenë aftësi për të përballuar presionet konkurruese në tregun evropian, dhe krijimit të legjislacionit të doganave dhe tregtisë në përgjithësi.

-Ne, në aspektin juridik dhe të legjislacionit, jemi mirë, sepse Kosova është deklaruar në vazhdimësi që organizimi i tregut do të jetë treg i konkurrencës së lirë dhe që prodhuesit e jashtëm do të mund të konkurrojnë në tregun e Kosovës pa barriera të shumta. Por në anën tjetër, problem i madh për mendimin tim është pjesa e zbatimit të ligjit në rastet e ekonomisë, thotë Alban Zogaj.

Sundimi i rendit dhe ligjit, funksionimi më efikas i gjykatave në përgjithësi dhe atyre ekonomike në veçanti, theksohen vazhdimisht si probleme edhe nga strukturat e BE-së. Ministrja Kusari-Lila shfaq bindjen se do të ketë përparim edhe në këtë drejtim.

-Kjo mbetet dhe është një prej sfidave edhe të vendeve tjera që vetëm se kanë filluar negociatat. Besoj që ka vullnet politik të konsiderueshëm që të kemi avancim të duhur. Edhe që lidhet me çështje ekonomike është funksionimi i gjykatave ekonomike sidomos dhe kontestet e ndryshme që lindin në përmbushjen qoftë në marrëdhëniet kontraktuale në mes të palëve, qoftë të mbrojtjes së investimeve. Kemi pas në këtë aspekt edhe një raportim nga Këshilli Gjyqësor dhe besohet që nga janari i vitit 2013 me hyrjen në fuqi të ligjit mbi gjykata të ketë një përmirësim të ndjeshëm që besoj do të reflektojë edhe në sferën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, shton zëvendëskryeministrja Kusari-Lila.

Edhe kreu i OEK-ut, Gërxhaliu, thekson nevojën e forcimit të sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë, në funksion edhe të çështjeve ekonomike.

-Mbi të gjitha emëruesi i përbashkët i përshpejtimit të proceseve integruese nga aspekti ekonomik është sundimi i rendit dhe i ligjit. Në qoftë se në këtë drejtim kemi gatishmëri të ballafaqohemi dhe ligji të jetë në funksion të përshpejtimit, atëherë vërtetë procesi do të përshpejtohet dhe do të jetë në funksion të ardhmërisë së Kosovës. Por krejt varet sa është gatishmëria institucionale që të ballafaqohet me këtë sfidë që e ka emrin sundimi i rendit dhe ligjit, shton Gërxhaliu.

Kurse Zogaj thotë se sfidë e madhe do të mbetet edhe funksionimi të gjykatave të mirëfillta ekonomike për zgjidhjen e çështjeve të bizneseve.

-Këtu them se duhet të bëhet një punë më e madhe dhe këtu mund të lindin probleme, për arsye se ne akoma nuk kemi gjykata të mirëfillta ekonomike të cilat merren me problematikat e biznesit ose me problematikat ekonomike dhe kësisoj ne kemi një mungesë të madhe të zbatimit të ligjit, ose edhe në rastet kur ligji zbatohet, ai është shumë i vonuar, shton Alban Zogaj.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Arif Shala, thotë se Qeveria duhet të angazhohet maksimalisht për përmbushjen e kritereve afatshkurtra ekonomike, dhe sidomos arritjen e marrëveshjes tregtare me BE-në. Ai thekson se kjo marrëveshje mund të jetë shumë e dobishme për vendin sesa ajo e CEFTA-s duke marrë parasysh se Kosova bën tregti të madhe me vendet e BE-së.

-Mendoj që Kosova duhet të ketë një politikë të qartë, të mirëfilltë ekonomike, për të përmbushur kriteret ekonomike për BE-në, ngase me CEFTËN, mendoj që Kosova ka pasur një stagnim shumë të madh. Nëse arrihet një marrëveshje, Kosova do të ketë përfitime ekonomike, pasi çdo vend që ka arritur marrëveshje me BE-në ka pasur përfitime, dhe mbesim me shpresë se qeveria do të punojë për zbatimin e këtyre kritereve, thotë Arif Shala.

Edhe Shala pranon se korrupsioni është shndërruar në dukuri shqetësuese për vendin, duke thënë se për luftimin e tij nevojitet angazhim i shtuar.

-Nëse institucionet tona nuk fokusohen në veçanti në luftimin e korrupsionit, domosdoshmërish nuk do të kemi zhvillim ekonomik, shton Shala.

Ndërkohë, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, thekson se luftimi i dukurive negative, sic është korrupsioni, duhet të adresohet nga ministria amë por edhe nga ministritë e tjera, për shkurtimin e burokracisë dhe procedurave që nevojiten qoftë për biznese qoftë për sfera tjera.

-Besoj se edhe ky është një aspekt shumë i rëndësishëm. Dhe natyrisht duhet të jetë një involvim i të gjitha palëve jo vetëm i qeverisë për të pasur sukses në këtë proces, është legjislativi, është gjyqësori dhe natyrisht shoqëria civile dhe gjithë qytetarët e Kosovës të cilët besojnë në një të ardhme dhe vizion për Kosovën dhe të kryhen disa obligime të cilat neve na presin. Se shpeshherë është ekzekutivi ai i cili thumbohet ose është më së shumti në fokus por natyrisht të gjitha segmentet tjera kanë pjesën e tyre të detyrimeve sidomos kur flasim këtu edhe legjislativi dhe shtylla e drejtësisë të cilat janë si shtylla shumë të rëndësishme për të pasur një shoqëri funksionale, thotë Mimoza Kusari-Lila.

Ajo vë në dukje se përveç gjykatave, dukuria e korrupsionit mund të luftohet edhe në forma tjera, qoftë përmes shkurtimit të procedurave, por edhe nxitjes së raportimit të kësaj dukurie.

-Natyrisht, prej nesh çfarë mund të bëjmë në luftimin e korrupsionit dhe çfarë po bëjmë është shkurtimi i procedurave. E para është qasja sa më e vogël e palëve në institucione edhe pritjet e gjata të cilat e shkaktojnë dukurinë. Tjetra është inkurajimi i raportimit të rasteve, shpesh edhe në MTI këtë e kam thënë edhe publikisht ka pasur ankesa të cilat lidhen direkt ose rrjedhimisht me tendencë të dikujt për të kërkuar mito. Dhe kur janë kërkuar palët që të raportojnë me këtë dukuri ka pasur hezitime. Pra edhe ky është një aspekt I cili ne mundohemi ti inkurajojmë të gjithë ata të cilët ballafaqohen të raportojnë, por nëse ka mungesë të gatishmërisë për arsye se njerëzit e kanë spekticizmin e ballafaqimit me organet e rendit të jenë dëshmitarë të rastit etj. Dhe më përpara vendosin të mos raportojnë fare se sa të raportojnë dhe të bëhen pjesë e procesit edhe vet për luftimin e korrupsionit, shtoi ajo.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Institutit të Kosovës për gjyqësi kritikojnë Qeverinë se sundimin e ligjit nuk e kanë përcaktuar si fushë me prioritet në asnjë dokument strategjik, siç është plani për zhvillim ekonomik apo korniza afatmesme e shpenzimeve. Betim Musliu nga ky institut, thekson se edhe mekanizmat e krijuar për sundimin e ligjit, nuk kanë dhënë rezultate.

-Për fat të keq në Kosovë janë krijuar një sërë mekanizmash me qëllim që të shpërndahet përgjegjësia dhe papërgjegjësia e zyrtarëve institucionalë duke bërë kështu që rezultatet të cilat mungojnë në sferën e sundimit të ligjit, pra në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të fshihen prapa këtyre mekanizmave duke bërë që secili rast që nuk zgjidhet të mos ketë fare përgjegjës. Pra një qytetar nëse ka një rast korruptim që ta lajmëroj atë, nuk di saktë se ku ta paraqes atë, sepse ekzistojnë prokuroritë, policia, gjykatat, agjencitë e ndryshme, adresat e ndryshme dhe të gjitha këto kanë krijuar një mjegull për qytetarin që ta di saktë adresën se ku duhet të luftohet korrupsioni dhe kjo ka bërë që edhe përgjegjësinë ta kemi shumë të vogël, thotë Betim Musliu.

Ai thotë se për dallim nga gjykatat tjera, gjykata ekonomike, mandatin e së cilës është zgjidhja e kontesteve ekonomike, është më efikase dhe nuk ka një numër shumë të madh të lëndëve që presin.

-Por, përgjithësisht, sistemi gjyqësor vuan nga një numër i madh i lëndëve të pazgjidhura dhe kjo natyrisht ndikon në sigurinë e përgjithshme juridike, si të gjithë qytetarëve të vendit po ashtu edhe të investitorëve të huaj. Sepse kushdo që dëshiron të investojë në Kosovë fillimisht sheh se çfarë ambienti juridik ekziston në atë vend. Dhe nëse ekzistojnë këto probleme të sundimit të ligjit në Kosovës, atëherë direkt reflektohen edhe te siguria e tyre juridike për të investuar në vend, shton Musliu.

Edhe zëvendësdrejtori i Gjykatës Ekonomike, Nezir Bytyqi, thotë se nuk ka vonesa të theksuara të lëndëve. Sipas tij shpesh lëndët kryhen brenda një dite, por në raste të veçanta ato mund të zgjasin edhe deri në një vit. Nga kontestet ekonomike si lëndë kryesore në këtë gjykatë, nga 371 lëndë të këtij viti, deri në fund të shtatorit 171 lëndë janë zgjidhur. Ndërsa, sipas tij problem mbesin ekzekutimet e lëndëve.

Por njohës të çështjeve ekonomike shfaqin dyshime se brenda një afati të shkurtër do të mund të forcohet sundimi i rendit dhe ligjit. Alban Zogaj thekson se përgatitja e dokumentacioneve dhe realiteti në ekonomi dhe në treg janë tërësisht ndryshe.

-Nuk besoj që për një kohë të shkurtër disa prej problemeve të mëdha që ekzistojnë me zbatimin e ligjit mund të rregullohen, sepse do të kërkojë një kohë më të gjatë rregullimi i këtyre çështjeve, sidomos insistimi i vazhdueshëm i akterëve vendorë dhe të jashtëm që të kemi gjykata të veçanta për marrëdhëniet ekonomike, thotë Alban Zogaj.

Ndryshe, Komisioni Evropian ka identifikuar katër fusha në të cilat Kosova duhet të shënojë përparim të menjëhershëm me qëllim të fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ato janë: sundimi i ligjit, reforma e administratës publike, trashëgimia kulturore dhe tregtia.

Qeveria e Kosovës është zotuar se do t’i përmbushë në afat rekord të gjitha obligimet afatshkurta, por edhe ato afatgjata, të parapara me Studimin e Fizibilitetit.

Kryeministri, Hashim Thaçi, ka thënë se Studimi i Fizibilitetit ia hap Kosovës dritën jeshile për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në të ardhmen. Sipas tij, Brukseli është pajtuar që Kosova të jetë partnere e barabartë me të gjitha vendet tjera që aspirojnë integrimet, duke i hequr të gjitha pengesat që kanë mundur të ekzistojnë. Studimi i Fizibilitetit, sipas Thaçit, për Kosovën ka domethënien e fillimit të procesit, edhe pse jo të shkurtër të integrimit të saj në Bashkimin Evropian.

-Fillimi i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit shënon hapin më të rëndësishëm në kuadër të avancimit të procesit integrues të shtetit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe të faktorizimit të Kosovës në pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, ka thënë kohë më parë kreu i Qeverisë./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit