Shkencëtarët kanë zbuluar se kripa e detit e korrur nga oqeanet e planetit Tokë mund të jetë e kontaminuar me plastikë. Ata kanë zbuluar gjurmë të plastikës në kripën e detit e cila është në shitje në SHBA, Kinë dhe përgjatë shteteve Evropiane, sipas një studimi të ri të publikuar nga ‘The Guardian’.
Plastika është si rezultat i mbeturinave që gjenden në oqean, të cilat grimcohen dhe përfundojnë në ushqimin tonë. Studimet e mëhershme gjithashtu kanë zbuluar se plastika është gjetur edhe në peshqit që shërbehen në restaurante të ndryshme, transmeton Telegrafi.
Ky hulumtim është udhëhequr nga Sherri Mason, profesoreshë në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut në Fredonia, e cila ka bashkëpunuar vazhdimisht me hulumtuesit e Universitetit të Minnesota, për të ekzaminuar mikroplastikat në kripë, birrë dhe ujë të pijshëm.
“Jo vetëm që plastika është e përhapur në shoqëritë tona në termet e përdorimit të përditshëm, por është prezente edhe në ambientin tonë. Plastika është prezente në ajër, ujë, në ushqimin e detit të cilin e hamë, në birrën që e pimë, në kripën që e përdorim – plastika është gjithandej”, ka shpjeguar ajo.
Vlen të ceket se çdo vit, 8 milionë tonë plastikë përfundojnë në oqeanet tona. /tg