Akademiku Artan Fuga ka bërë një analizë ndryshe sa i përket shkakut të tërmeti tragjik që goditi vendin, ndërsa thotë se ai erdhi si pasojë e ndëshkimit mbi veset, mëkatet tona individuale dhe kolektive.
Me një shënim në facebook, akademiku Fuga sqaron se ky nuk është rrëfim fetar, por “mençuri shekullore, e mbështetur në arsyetim jo në besime pa bazë”.
Artan Fuga
“Kot gërmoni, jo pllaka afrikane, jo pllaka europiane, jo kjo, jo ajo, nuk kanë punë këto në Vorë, Shijak, Kurbin, Durrës, a në Hamallas! Na shkund derisa na ta pranojmë degjenerimin tonë moral dhe pastaj, nuk përsëritet më jo për tridhjetë a treqind vjet, por asnjëherë!”, shkruan mes të tjerash Fuga.
Postimi i plotë:
Paturpësia si shkak tërmetesh!
————————————–
Unë nuk u besoj mrekullive, por jam i bindur nga studimet e mia që tërmeti na ra mbi shpinë pikërisht për shkak të zvetënimit dhe bjerrjes sonë morale!
Për shkak të paturpësisë!
Erdhi si ndëshkim mbi veset, mëkatet tona individuale dhe kolektive.
Nuk është rrëfim fetar, por mund të shpjegohet me arësye dhe krejt shkencërisht!
Kot gërmoni, jo pllaka afrikane, jo pllaka europiane, jo kjo, jo ajo, nuk kanë punë këto në Vorë, Shijak, Kurbin, Durrës, a në Hamallas!
Na shkund derisa na t’a pranojmë degjenerimin tonë moral dhe pastaj, nuk përsëritet më jo për tridhjet a treqind vjet, por asnjëherë!
Nuk doni t’ja dini të pastroheni? Po na paralajmëron!
Hiç ne, veshin shurdhër këndej!
Nuk ka nevojë të jesh sizmolog ta dish këtë, ka një shkencë tjetër, ose grup shkencash që e shpjegojnë.
Mënçuri shekullore kjo e mbështetur në arësyetim jo në besime pa bazë!
Kurse fetarët jo vetëm të bëjnë magazinierin, karpentierin, gjeneralin, por t’a thonë këtë sepse edhe atyre në rrugë tjetër zbulimi u është thënë!
Nuk e thonë? Bëjnë mëkat!