Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk) organizoi një ceremoni ku u bë përurimi i pajisjeve të dhuruara në tre kabinetet e Shkollës së Mesme Profesionale në Komunën e Shtimes
SHTIME (AA) – Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk) organizoi një ceremoni ku u bë përurimi i pajisjeve të dhuruara në tre kabinetet e Shkollës së Mesme Profesionale në Komunën e Shtimes e cila ndodhet në pjesën jugore të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të projektit të donacionit për periudhën e parë të bashkëpunimit civilo-ushtarak KFOR-i Turk ka furnizuar tre kabinetet atë të makinërisë, elektroteknikës dhe të teknologjisë informative në Shkollën e Mesme Profesionale në Shtime.
KFOR-i Turk ka furnizuar këtë shkollë me 15 kompjuterë dhe 15 tavolina për kompjuterë, një televizor, një pres hidraulik, një tavolinë pune statike dhe një të lëvizshme, dy makina për prerje mekanike, gjashtë makina shpuese, dy makina për thyerje, një aparat për lakimin e gypave, një pompë uji dhe një garniturë mekanike si dhe shumë vegla dhe makina në vlerë prej 27 mijë euro.
Në këtë ceremoni morën pjesë komandanti i KFOR-it Turk në Kosovë, koloneli Cem Sinan Barım, kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, drejtori i Shkollës së Mesme Profesionale, Ilir Haxhiu si dhe mësimdhënësit, nxënësit e kesaj shkolle si dhe prindërit e tyre.
Komandati i KFOR-it Turk, koloneli Cem Sinan Barım gjatë fjalës së tij tha se duke u bazuar në konceptin e Mustafa Kemal Ataturkut “Paqe në vend, paqe në botë”, KFOR-i Turk është munduar që të kontribuojë në paqen në Kosovë që nga viti 1999.
Ai tha se këto vegla pune do të kenë kontribut në diturinë e nxënësve të kësaj shkolle. “Ushtria turke ashtu si në të kaluarën do të mundohet që të jetë afër miqve, vëllezërve kosovarë edhe në të ardhmën. Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që këta nxënës të edukohen në mënyrë cilësore dhe të shikojnë drejt ardhmërisë në mënyrë të sigurtë”, theksoi koloneli Barım.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli falënderoi komandantin Barım për të gjitha projektet e realizuara në këtë komunë. Ai tha se me anë të kësaj ndihme komuna do të arrijë cilësinë e duhur në fushën e arsimit dhe do t’i ofrojë tregut punëtorë të kualifikuar si dhe universiteteve kuadro shumë më të përgatitura gjatë studimeve.
Ai u shpreh se me këto pajisje KFOR-i Turk ka kontribuar në mësimdhënien në këtë komunë, që sipas tij, nxënësit do të kenë mundësi të implementojnë njohuritë teorike me punë praktike.
“Vlerën e këtij projekti që sot e kemi rreth 30 mijë euro dhe shumë projektet tjera të cilat kanë vlera të ndryshme nuk do t’i vlerësoja vetëm nga aspekti material. Ato kanë vlera të tjera shumë më të fuqishme në kuptimin e komunikimit, të lidhjes dhe respektit reciprok që e kemi”, tha Ismajli.
Drejtori i Shkollës së Mesme Profesionale të Shtimes, Ilir Haxhiu theksoi se ky projekt i realizuar së bashku me KFOR-in Turk është ndër projektet e para që është në cilësinë e donacionit nga institucionet e huaja. Ai shprehu falënderimet për komandantin Barım dhe gjithë pjesëtarët e Kryesisë së Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk) ku njoftoi se kanë punuar gjatë tërë vitit në realizimin e këtij projekti kaq domethënës për nxënësit.
Kujtojmë se Shkolla e Mesme Profesionale në Shtime është themeluar në vitin 2014 dhe ka 730 nxënës të cilët mësojnë në drejtime të ndyshme si makineri, elektroteknikë dhe kompjuteri.