Pavarësisht mobilizimit të Policisë së Kosovës rreth sigurisë në komunikacion, numri i aksidenteve nuk ka të ndalur. Me shtimin aksidenteve në komunikacion kanë ndodhur shumë aksidente që kanë përfunduar edhe me të vdekur. E numri i vdekjeve krahasuar me periudhën janar-korrik 2016-2017 ka shënuar rritje.
Vitin e kaluar në këtë periudhë kanë vdekur 59 persona derisa në periudhën e njëjtë këtë viti numri i të vdekurve nga aksidentet në komunikacion ka shkuar në 71 persona.
Në Policinë e Kosovës kanë thënë se i kanë rritur masat në komunikacion. “Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve të trafikut, të cilat kohët e fundit kanë shënuar ngritje”, bëhet e ditur në një përgjigje për Telegrafin nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.
E, për të parandaluar numrin aksidenteve, si dhe vdekjet në komunikacion, Policia e Kosovës, ka krijuar Task Forcë, përmes së cilës është bërë shtimi i prezencës së njësiteve policore në trafik.
Edhe numri i gjobave është rritur më 2016 kanë qenë mbi 19 mijë, kurse më 2017 janë rreth 22 mijë gjoba të shqiptuara në periudhën janar-korrik, shkruan Telegrafi.
“Aplikimi i masës zero-tolerancë ndaj gjithë kundërvajtësve në trafik, ka shtuar edhe numrin e shqiptimit të gjobave në trafik ku gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2218 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, duke përfshirë edhe për tejkalimin e shpejtësisë e që është njëri prej shkaktarëve kyç të aksidenteve me pasoja fatale. Kjo Task-Forcë policore do të vazhdojë me angazhimet e saja në terren deri në arritjen e qëllimit dhe objektivave të saja, e që janë përmirësimi i sigurisë në trafik dhe parandalimi i aksidenteve”, thonë në Policinë e Kosovës.
Por, Dr. sc. Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit ka thënë për Telegrafin se përkundër aksidenteve të mëdha, nuk janë marr masat nevojshme nga institucionet për parandalimin tyre.
Sipas tij, në Kosovë përsëriten aksidentet të cilët ndodhin për shkak të njëjtave elemente.
“Faktorët që janë prezent si shkaktarë të aksidenteve janë: njeriu, rruga, mjeti, komunikacioni rrugore (njohja e rregullave të komunikacionit). Të gjithë këta faktorë i kanë edhe elementet e tyre që shkaktojnë aksidente, por në Kosovë nuk ka institucione që merren me hulumtime të shkaktarëve të aksidenteve dhe të merren masat preventive. Pra në mungesë të këtyre, përsëriten aksidentet që shkaktohen nga të njëjtët elemente”, ka thënë Nol Dedaj për Telegrafin.
Faktorët të cilët kontribuojnë në aksidente sipas Policisë së Kosovës janë mosrespektimi i shenjave të trafikut, tejkalimi, anashkalimi, tejkalimi i shpejtësisë etj.