0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Kosova, vend i trafikimit të brendshëm

Më të lexuarat

Autoritetet e rendit bëjnë të ditur se nga fillimi i këtij viti, në Kosovë janë identifikuar 61 viktima të trafikuara.

Më shumë se 50 për qind e këtyre viktimave bëhet e ditur se janë nga Kosova, kurse të tjerat nga vendet e rajonit dhe më gjerë.

Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në kuadër të Policisë së Kosovës, Arben Paçarizi, thotë për Radion Evropa e Lirë se 191 persona që dyshohet se janë marrë me dukurinë e trafikimit, ose që lidhen me këtë dukuri, janë arrestuar.

“Kosova mund të quhet vend i trafikimit të brendshëm për faktin se nga viti 2007 e këndej, kemi rritje të numrit të viktimave vendore që rekrutohen dhe shfrytëzohen në Kosovë. Gjithashtu, kemi disa viktima që vijnë nga shtetet e rajonit, që realisht ne mund të jemi vend destinimi”, bën të ditur Paçarizi.

Paçarizi thotë se rastet, të cilat janë identifikuar të trafikuara, kryesisht janë vajza të reja, të cilat janë mashtruar kinse për vend pune, pasi që viktimat kanë pasur probleme të rënda ekonomike.

“Viktimat shpesh joshen përmes mashtrimeve të ndryshme për një vend pune, martesë ose bashkëjetesë. Ato largohen nga shtëpia, raportohen të zhdukura. Këtu janë ajo kategoria që është më e prekur nga kushtet e vështira ekonomike. Po, gjithashtu, kemi një situatë, ku personat që trafikohen janë të moshës 14 deri në 17-vjeçare. Kemi një rritje të këtij numri në vitet e fundit, deri më tani janë 13 viktima që i takojnë kësaj kategorie”, sqaron Paçarizi.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Kosovës thonë se janë duke u angazhuar në masë të madhe, duke zbatuar edhe strategji për mbrojtjen dhe identifikimin e viktimave të trafikuara.

Ndryshe, raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi trafikimin e personave për vitin 2012, e ka cilësuar Kosovën si një vend që është burim, destinacion, dhe ndoshta vend transit për gratë dhe fëmijët që janë viktima të trafikimit për shfrytëzim seksual, si dhe për fëmijët që i nënshtrohen lypjes së detyruar.

Qeveria e Kosovës, është thënë në raport, nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë.

Se Kosova dhe institucionet e saj kanë ende punë për të bërë në këtë drejtim, e pohon edhe përfaqësuesja e Qendrës për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me njerëz, Hamijete Dedolli.

“Ri-integrimi është çështje shumë serioze ku mendoj që Qeveria duhet të angazhohet shumë më tepër, sepse ne punojmë me programe me donacion, mirëpo kemi nevojë për mbështetje më të madhe. Nga vetë fakti që po na rrezikohen fëmijët tanë, do të thotë po trafikohen fëmijët 12, 13, 14 vjeçarë, duke u dhunuar, duke u eksplatuar seksualisht, duke u abuzuar fizikisht psikikisht, kjo do të thotë se para nesh është një punë shumë serioze. Ne punojmë si shoqëri civile, Qeveria po punon, po duhet të punojmë shumë më tepër”, thekson Dedolli.

Drejtoresha e Qendrës, e cila është e specializuar për të rehabilituar dhe ndihmuar viktimat e trafikimit, shprehet se çështja e trafikimit të njerëzve vazhdon të jetë një problem shumë serioz për Kosovën.

“Pas 13 vjetësh pothuajse kur së pari jemi ballafaquar në mënyrë serioze me këtë problem, edhe më tutje shohim se në Kosovë zhvillohet trafikimi me njerëz”, u shpreh Dedolli.

Ndryshe, në Kosovë, organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe e përkrahur edhe nga institucionet e tjera vendore e ndërkombëtare, për javë të tëra ka vazhduar kampanja “Hapi sytë, ke kujdes”, që ka për qëllim parandalimin dhe informimin për dukurinë negative të trafikimit të njerëzve në vend.

Pikërisht më 18 Tetor, që është edhe Dita Evropiane Kundër Trafikimit, në Prishtinë janë organizuar disa aktivitete që kanë për synim fuqizimin e institucioneve në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore dhe dhunës në familje.

Dita Evropiane Kundër Trafikimit duhet të shërbejë për ngritjen e vetëdijesimit të qeverive, mediave dhe të gjithë personave, se trafikimi i qenieve njerëzore është krim i rëndë dhe shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, deklaron shefi i EULEX, Xavier de Marnhac.

Ai shton se çdo vit në Evropë trafikohen me qindra mijëra gra, burra, djem dhe vajza, për qëllime të shfrytëzimit seksual, apo të shfrytëzimit për punë, heqje të organeve, etj.

EULEX-i përmes punës së tij në grupin punues ndërministror, ndihmon Qeverinë e Kosovës për zbatimin e Strategjisë nacionale dhe planit të veprimit.

Me rastin e kësaj dite, përfaqësuesit e misionit të OSBE-së në Kosovë bëjnë thirrje për një vetëdijesim më të madh për rrezikun nga trafikimi me qenie njerëzore.

“Trafikimi me qenie njerëzore – blerja dhe shitja e njerëzve me qëllim të eksploatimit – është një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut dhe një nga format më përfituese të krimit të organizuar”, thotë Hjortur Sverrison, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në misionin e OSBE-së.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit