-2.1 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Kosova pranon notën verbale të njohjes nga Libia

Më të lexuarat

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes Ambasadës së Kosovës në Tiranë, ka pranuar notën verbale të njohjes së Republikës së Kosovës nga shteti i Libisë.

Nota verbale e njohjes i është dorëzuar Gani Veselaj, ministër-këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Libisë në Tiranë, Essam F. Ben Galiel.

Në notën verbale të njohjes, komunikohet vendimi i Qeverisë së Libisë, për të deklaruar zyrtarisht njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur.

Në notë, po ashtu theksohet se ky vendim i hap udhë vendosjes së shpejt të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.

Ndërkaq, gjatë takimit, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Libisë në Tiranë, Essam F. Ben Galiel ka theksuar vullnetin e Libisë për të fuqizuar bashkëpunimin me Kosovën, duke theksuar edhe besimin se dy vendet shumë shpejt do të vendosin marrëdhëniet diplomatike.

Ai po ashtu ka folur edhe për rrugën e Libisë deri te vendimi për njohjen e Kosovës, duke theksuar se me gjithë se ndjehet se ky vendim është paksa i vonuar, çështja e Kosovës ka qenë gjithnjë në zemrat e popullit të Libisë.

Nga ana e tij, Gani Veselaj, ministër-këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, ka falënderuar  Galiel për sjelljen e notës verbale të njohjes së Kosovës nga ky shtet, duke shprehur gatishmërinë e Ambasadës së Kosovës në Tiranë për të mbajtur marrëdhënie të shkëlqyera me Ambasadën e Libisë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në kuadër të lobimit të fuqishëm për njohjen e Kosovës, gjatë tre vjetëve të fundit ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të institucioneve të Libisë, pas rënies së regjimit të Muamar Gaddafit.

Së fundi, më 2 shkurt të këtij viti gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e 49-të për Siguri në Munih, Hoxhaj ka takuar ministrin për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Libisë, Mohamed Abdulaziz, i cili pati deklaruar se Libia pritet ta njoh së shpejti shtetin e Kosovës.

Vendimi për njohjen e Kosovës nga Libia, i është konfirmuar kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi nga homologu i tij libian, Ali Zeidan, më 25 shtator 2013, pas një takimi në Nju Jork. /Tg/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit