Procesi i liberalizimit të vizave tashmë ka hyrë në fazën finale të tij, mirëpo edhe përkundër këtij deklarimi të zyrtarëve qeveritarë, këta të fundit nuk e kanë idenë se kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm drejtë vendeve të BE-së.
Ndërsa për Komisionin parlamentar për Integrime Evropiane, Qeveria e Kosovës për herë të parë përmes ministrit Bekim Çollaku është treguar e sinqertë me qytetarët duke mos i lënë ata që të shpresojnë kot për një liberalizimi të vizave brenda këtij viti.
Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi, ka thënë për KosovaPress se tashmë institucionet e vendit kanë hyrë në fazën përfundimtare të përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Komisioni Evropian, përkatësisht nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.
Ilazi: Ne do t’i përfundojmë detyrat tona.
“Jemi në fazën përfundimtare të përmbushjes së kritereve të përcaktuara për Kosovën në bazë të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave. Ajo çfarë mbetet është që pasi t’i përfundojmë detyrat e mbetura ne të dërgojmë një raport të Komisioni Evropian, pastaj i mbetet Komisionit Evropian të vlerësoj këtë raport, të vendos të dërgoj apo jo një grup verifikues për përmbushjen e kritereve”, ka thënë Ilazi.
Sipas numrit dy të Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE), institucioni që ai drejton ka synim që brenda këtij viti të gjitha obligimet që mbesin, ose që i kanë mbetur institucioneve të Kosovës, të përmbushen me sukses. Dhe vetëm pasi kjo të bëhet, sipas Ilazit, do të dërgohet raporti në Komisionin Evropian.
Ilazi: Ka mbetur edhe një numër i ligjeve për tu aprovuar në Kuvend
“Ka mbetur edhe një numër i ligjeve të cilat duhet të aprovohen nga Kuvendi i Kosovës. S’ka dilemë se ngërçi politik që përfshiu Kosovën vitin e kaluar ka ndikuar me vonesa në këtë proces. Është ligji kundër diskriminimit, ligji për Avokatin e Popullit, pastaj janë edhe disa ligje që duhet të plotësohen. Si MIE ne kemi përgjegjësi ligjin për përgjigje të telekomunikimeve elektronike dhe besoj që shumë shpejtë do të procedohet në Kuvend”, ka thënë Ilazi.
Se a do të lëvizin lirshëm qytetarët kosovar drejtë vendeve të BE-së deri në vitin 2016, këtë nuk e di asnjë zyrtar i MIE-së, dhe sipas Ilazit pikërisht heqja e vizave do të ndihmonte edhe në ndaljen e migrimit ilegal, fenomen ky i cili sipas tij ka përfshirë vendin në muajt e fundit të vitit të kaluar dhe fillimin e këtij viti.
Ndërsa nënkryetarja e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Valdete Bajrami, ka thënë për KosovaPress se Kosovës për dallim nga të gjitha vendet tjera të Ballkanit i është dashur të plotësoj kushte të tjera, gjë e cila rrjedhimisht ka ngadalësuar këtë proces.
Bajrami: Kosovës i është kërkuar të përmbush kritere shtesë
“Në raportin e ministrit Çollaku ju jeni dëshmitar që ai ka potencuar që nuk shpresojmë të kemi liberalizim të vizave këtë vit. Përkundër faktit që nga Kosova është kërkuar të përmbush ndoshta kushte të cilat në asnjë vend tjetër nuk është kërkuar të përmbushen, e kam fjalën për dallim nga të gjitha vendet e rajonit”, ka thënë Bajrami.
Sipas Bajramit deklarata e ministrit Çollaku është e para që u bë nga një pjesëtar i kabinetit qeveritar, për t’ua thënë më saktë qytetarëve që të mos mbajnë shpresa të kota.
Bajrami: Ka shumë arsye pse kemi ngec në këtë proces
“Po thjeshtë, liberalizim të vizave nuk do të ketë. Janë shumë arsye që ne si Kosovë kemi ngec ndoshta vet, një ndër to është miratimi i ligjeve dhe projektligjeve të cilat po bëhet muaji i tretë dhe ju e dini sa pak ligje kemi pas në Kuvend”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka folur edhe për migrimin ilegal, duke thënë se ky proces sado që është i dhimbshëm dhe me pasoja, është potencuar edhe nga ana e zyrtarëve ndërkombëtar se nuk do ta ngadalësojë këtë proces.
Bajrami: Çështja e migrimit nuk ngadalëson procesin e liberalizimit të vizave
“Çështja e migrimit është tepër e rëndë dhe nuk mundemi me qenë të kënaqur me këtë gjendje të cilën e kemi pas 15 viteve, migrimi është ndoshta një arsye e cila ka mundësi me na pengu në liberalizim të vizave, mirëpo prej shumë diplomatëve të cilët e kanë thënë se nuk do të thotë që ky është një proces i cila ka me ngadalësuar liberalizimin e vizave”, ka thënë Bajrami.
Për njohësin e integrimeve evropiane, Avni Mazrekun, vendi vazhdon të ketë si problem kryesor në heqjen e vizave reformimin e administratës publike. Mazreku ka thënë për KosovaPress se për një reformë të tillë mungon vullneti politik, çka edhe është identifikuar në raportin e progresit të vitit të kaluar.
Mazreku: Mungesë e vullnetit politik për t’i bërë reformat
“Pengesa kryesore për Kosovën është reforma në administratën publike. Reforma në administratën publike në fakt ka qenë diçka që është potencuar vazhdimisht nga viti 2008, së paku në të gjitha Raportet e Progresit të Komisionit Evropian, që bëhen për vendin përkatës.
Në këtë rast për Kosovën thuhet që ka ngec në këtë reformë, gjithmonë si rezultat i mungesës së vullnetit politik”, ka thënë Mazreku.
Sipas tij administrata publike e ka shndërruar vendin në një kontradiktë ekonomike, duke u bërë konsumuesi kryesor dhe njëkohësisht duke e penguar zhvillimin e sektorit privatë në vend, tek i cili, sipas Mazrekut, edhe duhet të mbështet zhvillimi ekonomik i vendit.
Mazreku:Duhet të reduktohet administrata publike
“Administrata publike duhet të reduktohet. Të krijohet hapësirë e zhvillimit ekonomik të vendit, përkatësisht të sektorit privat. Sepse zhvillimi ekonomik ndodh vetëm atëherë kur ka zhvillim të sektorit privat”, ka thënë Mazreku.kohaislame