-4.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Kosova në presion social

Më të lexuarat

Papunësia në Kosovë, e cila ka arritur në shkallën 44.9 për qind, është si pasojë e mungesës së mbështetjes institucionale dhe procesit të privatizimit, i cili si i tillë nuk gjeneron vende të reja pune, por i reduktoi edhe atë që ishin, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Ata thonë se në një periudhë të gjatë kohore, rritja ekonomike ne Kosovë nuk u shndërrua në zhvillim ekonomik. Sikur rritja ekonomike do të ishte shndërruar në zhvillim ekonomik, sipas tyre, do të kishte një zbutje të papunësisë dhe zbutje të varfërisë në vend.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadiku, thotë për Radion Evropa e Lirë se shkalla e lartë e papunësisë ndërlidhet me zhvillimin e deritashëm të sektorit privat. Siç thekson Sadiku, sektori privat ka pasur pengesa në zhvillim. “Një prej problemeve më serioze për rritjen e punësimit në Kosovë, mbetet mungesa e mbështetjes institucionale, mungesa e mbështetjes për të përmirësuar mjedisin biznesor dhe inkurajimi e iniciativave private për të gjeneruar më shumë vende pune”, thekson ai.

Pritje për krijimin e vendeve të reja të punës ka pasur gjatë procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, por që edhe në këtë rast, sipas profesor Sadikut, ndodhi e kundërta. “Procesi i privatizimit me të gjitha problemet e veta, me te gjitha pritjet që i kemi pasur, vërtetë nuk është dëshmuar si nj prej politikave për uljen e papunësisë në Kosovë. Prandaj, mbetet obligim i institucioneve që të punojnë më me ngulm të promovojnë politika te reja, sektorë të ri të ekonomisë, të aktivizojnë potencialet të cilat mund të shndërrohen në punësim, sepse Kosova gjendet në një presion të madh social”, shprehet Sadiku.

Ndërkohë, ulja e shkallës së papunësisë deri në vitin 2015, edhe sipas zhvillimeve në sektorin publik, nuk pritet të shënojë rënie, pasi që korniza afatmesme e shpenzimeve 2013-2015, e miratuar nga Qeveria e Kosovës, nuk parasheh punësim të ri.

Sipas kësaj kornize, zëvendësime dhe pranime të punëtorëve të rinj do të bëhen vetëm atëherë kur kërkohet me ligj, ose kur punëtorët aktualë pensionohen, apo nuk janë të gatshëm për punë.

Profesori i ekonomisë, Isa Tahiri thotë se institucionet e Kosovës do të duhej të ishin më të organizuara për moskrijimin e kësaj përqindjeje të papunësisë. “Ekzistojnë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm për ngritjen e numrit të të punësuarve në Kosovë, është organizimi i qeverisë se sa duhet të jetë numri i studentëve për kokë banori në Kosovë”, bën të ditur Tahiri.

Orientimi i punësimit në sektorin privat, thekson Tahiri, është mënyra më e mirë e zvogëlimit të shkallës së papunësisë në Kosovë. “Nuk ka prodhueshmëri brenda Kosovës, pjesa dërmuese e tatimeve që i mbledh Kosova është në kufi. Kosova duhet të ndryshojë politikat, duhet t’i aktivizojë resurset dhe faktorët që shndërrohen në punësim më të madh dhe duhet të zgjidhen sektorët e ekonomisë që mund të jenë më prodhues, më të sigurt për një punësimi të qëndrueshëm”, thotë Tahiri.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit