Shtëpitë ku besimtarët myslimanë i luten Zotit po shtohen. Sipas statistikave të këtij viti të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), në Kosovë ekzistojnë 742 xhami.
Numri i objekteve fetare islame arrin në gjithsej 798, nëse llogaritet edhe Presheva, Medvegja e Bujanoci, të cilat komuna aktivitetin e tyre fetar e zhvillojnë nën ombrellën e BIK-ut.
Shumë kërkesa janë adresuar edhe në BIK për ndërtim të xhamive të reja.
Por, ndërtimi i xhamisë qendrore, i përfolur si një nga kërkesat më të mëdha për të plotësuar kërkesat e besimtarëve të këtij komuniteti në kryeqendër, ende nuk dihet nëse do të përfundojë sivjet.
Madje, një përgjigje të saktë për këtë nuk e ka as BIK-u. Ndërkaq, në vend ekzistojnë 24 xhami pasive, për shkak të shpërnguljes së banorëve nga vendbanimet.
Ahmet Sadria nga BIK-u thotë për gazetën se është preokupim i vazhdueshëm i BIK-ut çështja e xhamisë qendrore, shkruan Zëri.